E Shtunë, 31 Tetor 2026

Frikë nga pijet alkoolike me ilaçe

16/10/2009  Inspektorati: I rrezikshëm për shëndetin e konsumatorit. Prodhuesit ua hedhin që t’i ruajnë

KORCCE - Inspektorati Ushqimor Korçë përveç vëmendjes që duhet të tregojë për prodhimet bujqësore të stinës në të njëjtën kohë do të jetë i përqendruar edhe te prodhimi i verës dhe rakisë. Tashmë është vënë re se subjekte prodhuese të këtyre pijeve apo edhe prodhues familjarë, kanë nisur të përdorin ilaçe që shërbejnë për ruajtjen e verës, por nëse përdorimi i ilaçeve të tilla nuk përdoret në mënyrë profesionale, atëherë vera jo vetëm që humbet cilësinë e saj, por sjell dhe pasoja për shëndetin e konsumatorit. Përdorimi i ilaçeve nga subjektet prodhuese apo nga familjarët për prodhimin e verës dhe rakisë, është bërë i ditur nga burime pranë Inspektoratit Ushqimor Korçë, të cilat theksuan faktin se përdorimi i ilaçeve të tilla nuk është i një proces i lehtë, madje mund të thuhet se paraqet mjaft vështirësi. Për këtë arsye do të ishte mirë që çdo prodhues vere të shmangte përdorimin e ilaçeve të tilla.

Pijet me ilaçe do të sekuestrohen

Burime pranë Inspektoratit Ushqimor Korçë u kanë kërkuar prodhuesve të pijeve të mos përdorin ilaçe për ruajtjen e tyre, pasi nëse do të kapen me produkte të tilla, gjithë sasia do të sekuestrohet. Sipas burimeve në fjalë, ky lloj ilaçi gjendet në çdo farmaci, por përdorimi i tij kërkon precizion të lartë. Nëse nuk respektohet ky kriter atëherë pijet dëmtojnë shëndetin e konsumatorit. Kryesisht vera është një pije që konsumohet në masë të gjerë, çka do të thotë se dëmtimi në shëndetin e njerëzve do të ishte në një masë të madhe. Për të gjitha këto arsye, ndërsa Inspektorati Ushqimor do të ndjekë nga afër prodhimin e pijeve, përmes laboratorit ushqimor do të analizojë edhe përbërjen e tyre si dhe masën e ilaçit që është përdorur për ruajtjen e pijeve. Në rast se kriteret nuk janë përmbushur atëherë këto produkte do të asgjësohen.

Siguria ushqimore

Për Inspektoratin Ushqimor, siguria e ushqimit dhe shëndeti i konsumatorit mbetet prioriteti kryesor i saj, çka do të thotë se askush nuk do të tolerohet kur preket cilësia e mallit dhe kur ky i fundit prek shëndetin e konsumatorit. Burimet e cituara më sipër vunë në dukje faktin se gjatë këtij 9- mujori janë realizuar prej tij, 1.056 kontrolle mbi produktet ushqimore, të cilat ishin prodhuar në vend ose ishin importuar. Ndaj këtyre mallrave ishte ushtruar kontroll mbi cilësinë, afatet e skadencës, kushtet e prodhimit dhe të tregtimit. Kontrollet e ushtruara bënë të mundur të zbulojnë 7.500 kg produkte ushqimore me probleme, të cilat u asgjësuan. Ndërkaq vetëm nga ana e laboratorit ushqimor, gjatë këtij viti janë realizuar 6.500 analiza. Ndërsa këto shifra janë bërë të ditura nga Inspektorati Ushqimor, në të njëjtën kohë po ky institucion ka theksuar se asnjë produkt nuk do të mund të dalë në treg pa iu nënshtruar analizave. Këtë fat do të ketë edhe vera që do të prodhohet dhe tregtohet për konsumatorin. Nëse do të gjenden pije, ku ilaçi për ruajtjen e tyre është përdorur pa kriter, atëherë ai do të bllokohet, kanë përfunduar burimet pranë Inspektoratit Ushqimor Korçë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›