E Diel, 1 Nëntor 2026

Makinat e zyrtarëve, 74 deputetë pro heqjes së tyre

 

Bledar Hoti

Parlamenti miraton me 74 vota pro heqjen e makinave të të gjithë zyrtarëve në vend. Maxhoranca e djathtë ka qenë të paktën unanime në vota në lidhje me heqjen e makinave, por s’ka qenë dakord me disa prej neneve të vendosura. Deputeti i PD-së, Dashnor Sulaj, ka qenë kundër idesë së dhënies së parablerjes së makinave nga ana e zyrtarëve, pasi do të kishte raste abuzimi. Gjithashtu Sulaj kërkoi që t’i jepeshin bonos edhe gjyqtarëve të Krimeve të Rënda dhe të Gjykatës së Apelit. Kryeministri Berisha ka pranuar një pjesë të kërkesave të tij, duke përfshirë drejtuesit e Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda dhe të Krimeve të Rënda. I vetmi nga opozita në këtë sallë parlamentare, Vangjel Dule, u shpreh kundër kësaj nisme, duke theksuar se “të zgjedhurit e popullit po kthehen në deputetë blloku, pasi nuk u jepet mundësia të shkojnë në zonat e tyre, pra një parlament të shkëputur nga populli”. “Aty ku vepron nacionaliteti vepron hipokrizia. Jam dakord në parim me këtë nismë, por ky ligj cenon të drejtën e parlamentarit, pasi jemi i vetmi parlament që kemi deputet ambulant, s’kemi zyra, s’kemi këshilltarë. S’kemi të bëjmë me gjueti shtrigash, më vjen keq që kryeministri na vë si gjë të keqe”, tha Dule. Sipas tij, ky ligj lë shumë hapësira të mëdha abuzimi. Por kryeministri Berisha reagoi duke theksuar se, “nisma e tij nuk ka pasur si qëllim në mënyrë absolute që të denigrojë deputetët”. “Zoti Dule, ndjej keqardhje kur ju thoni ato që nuk kam thënë. Në të gjitha deklarimet e mia, se në këtë problem madhor nuk është deputeti në epiqendër. Këtë e kam bërë mbi bazë e përllogaritjeve të sakta, prandaj ajo që thoni ju është e pabazë. Nuk qëndron që Shqipëria të jetë i vetmi vend në botë t’u garantojë makina deputetëve, kjo nuk qëndron”, theksoi Berisha. Sipas tij kjo shumë e lënë për deputetët dalin për të qarkulluar me makina në vendet ku janë zgjedhur. Në votimin nen për nen është vendosur që makinat nuk do të shkojnë në Parkun e Rezervave të Shtetit, por do të mbahen nga institucionet përkatëse, të cilat më pas do të realizojnë shitjen. Ndërsa është ulur kuota e bonusit e kreut të ZRPP-së nga 35 mijë në 20 mijë lekë në muaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›