Pakti detar, Qeveria: S’i dhuruam asnjë km Greqisë
adi shkembi
Ministria e Mbrojtjes zbardh marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Greqisë për përcaktimin e kufirit detar mes dy vendeve dhe i përgjigjet pretendimeve të ngritura për marrjen nga pala greke të rreth 354.4 km2 sipërfaqe ujore. Përmes një takimi me përfaqësues të mediave, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami dhe zv/shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Kundëradmiral Kristaq Gërveni kanë shpjeguar të gjitha pikat e nxehta të përcaktimit të kufirit tonë ujor.
Debati
Pak ditë më parë, ish-drejtori i Institutit Gjeografik Ushtar, Myslim Pasha ka argumentuar publikisht se Greqia përfiton 354.4 km2 sipërfaqe ujore nga marrëveshja me Shqipërinë. Kështu sipas Pashës, Greqia ka përfituar 335 km2 sipërfaqe ujore nga ujërat detarë arkipelagore të Korfuzit deri në Ngushticën e Otrantos (koordinata “150”). Por sipas Gërvenit koordinata 150 nuk bie mbi pikën treshe (pika ku do të përcaktohet si kufiri detar mes Shqipërisë-Italisë dhe Greqisë). Zyrtari i lartë i ushtrisë theksoi se në pretendimet e Pashës, koordinatat në hartë janë hedhur në mënyrë të gabuar dhe vija ndarëse reale është e spostuar nga vija e hedhur në hartën e botuar në media. Spostimi i saj është 19.7 km. Spostimi i koordinatave (nga 125 në 150) krijon trekëndëshin imagjinar 335.2 km², i cili pretendohet se i është dhënë një favor shtetit grek. Një tjetër pretendim i kolonel Pashës është që Greqia ka përfituar 2.9 km2 sipërfaqe ujore në Kepin e Stillos, përballë Gjirit të Kërkyrës, në hyrje të Ngushticës Veriore të Korfuzit. Kjo sipas Kolonelit ka ardhur nga fakti që nga piramida 79 deri në gjirin e Korfuzit largësia është 16 km dhe kjo duhet të konsiderohet fillimore. Por kundëradmiral Gërveni argumentoi përmes paraqitjes në hartë se vija ndarëse nga piramida 79 deri në bregun e Korfuzit (Kepi Sidero) distanca nuk është 16 km, por 9.91 km. Kolonel Pasha pretendon se Greqia përfiton 1.5 km2 sipërfaqe ujore në ishullin Barketa. Kjo sipas tij ka ardhur nga fakti që Barketa është konsideruar si ishull dhe jo si shkëmb dhe si i tillë ai duhet marrë si pikë referimi. Duke hedhur poshtë këto argumente kundëradmiral Gërveni tha se Barketa është një shkëmb me përmasa 4 metra me 4 metra, dhe ky përcaktim është bërë edhe në botimin shqiptar të vitit 1992: “Udhëzimi i Lundrimit për detet Adriatik dhe Jon”. Pretendimi i fundit i kolonel Pashës është se Shqipëria ka humbur 15 km2 sipërfaqe ujore pasi ka konsideruar gjirin e Sarandës gji të hapur dhe jo historik. “Në bisedime, duket se as që nuk është argumentuar dhe nuk është trajtuar veçoria historike, gjeostrategjike dhe ekonomike e gjirit të Sarandës”, thekson Pasha në pretendimet e tij. Por sipas Gërvenit, Gjiri i Sarandës nga ana juridike, gjeografike dhe historike nuk plotëson kushtet për të qenë gji i mbyllur dhe historik. “Nuk ka asnjë ligj, asnjë vendim të Kuvendit, asnjë akt ligjor (VKM) të Këshillit të Ministrave apo qoftë edhe një vendim të Bashkisë së Qytetit të Sarandës që të përcaktojë gjirin e Sarandës, gji historik”, theksoi Gerveni.
Marrëveshja
Në takimin e djeshëm me mediat, Ministria e Mbrojtjes zbardhi edhe negociatat e bëra me palën greke për marrëveshjen e nënshkruar në Tiranë nga kryeministri Berisha dhe homologu i tij grek Karamanlis. Pala shqiptare, e cila kryesohej nga sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, Ferit Hoxha i nisi bisedimet me palën greke në 7 prill 2008 dhe marrëveshja u negociua mbi Konventën e detit. Pala jonë është prezantuar në takimet me palën greke me hartat shqiptare ku ishin hedhur vijat bazë. Gjatë bisedimeve pala greke paraqiti direkt vijën ndarëse me Shqipërinë, por për të ato nuk u ra dakord. Gjatë kësaj periudhe deri në takimin e dytë u vazhda me korrespondencën mes dy ministrive të Jashtme dhe vetëm në takimin e dytë në Tiranë u ra dakord për koordinatat. Në takimin e tretë u miratua teksti i plotë i marrëveshjes, e cila u firmos në 27 mars. Gjatë takimit të djeshëm me mediat, ministri i Mbrojtjes, Imami u shpreh i gatshëm të diskutojë edhe me ekspertët e opozitës për pretendimet e tyre lidhur me këtë marrëveshje.
Përplasjet mes kolonelit Myslym Pasha dhe Qeverisë
- Ngushtica e Otrantos dhe pika treshe
Pretendimi i Kolonelit Myslym Pasha: Është ndërprerë në mënyrë tërësore, e drejta e Shqipërisë për një pjesë sovrane në ngushticës së Otrantos, në cenimin e detit shtetëror dhe hapësirës së afërt vijimore (contigous zone) si dhe hapësirës së veçantë ekonomike (exlusive economic zone).
Përgjigjja e Kundëradmiral, Kristaq Gërvenit: Koordinata 150 (pjesë e ngushticës së Otrantos) nuk bie në pikën treshe. Marrëveshja me Greqinë nuk cenon marrëveshjen tre paleshe (Shqipëri-Greqi-Itali). Koordinatat në hartë janë hedhur në mënyrë të gabuar. Vija ndarëse reale është e postuar nga vija e hedhur në hartën e botuar në media. Pika 150 është shumë afër pikës treshe. Spostimi i saj është 19.7 km. Spostimi i koordinatave (125-150) krijon trekëndëshin imagjinar 235.2 km²
- A është gji i mbyllur Gjiri i Sarandës dhe a duhet të konsiderohet gji historik?
Pretendimi i Kolonelit Myslym Pasha: Në bisedime, duket se as që nuk është argumentuar dhe nuk është trajtuar veçoria historike, gjeostrategjike dhe ekonomike e gjirit të Sarandës. Ky Gji është trajtuar si një vijë bregore detare e zakonshme. Matjet për përcaktimin e mesores i përkasin meslargësisë midis të dy brigjeve: Sarandë-Breg Korfuzi. Ujërat e brendshëm “historikë” janë konsideruar si “Free bay = gji i lirë” për t’u ndarë me shtetin fqinj.
Përgjigjja e Kundëradmiral, Kristaq Gërvenit: Gjiri i Sarandës nga ana juridike, gjeografike dhe historike nuk plotëson kushtet për të qenë gji i mbyllur dhe historik. Në Udhëzuesin e Lundrimit për Detet Adriatik dhe Jon, botim i vitit 1992, në faqen 66 thuhet shprehimisht: “Gjiri i Sarandës formohet midis Kepit Denta në jug dhe Kepit Paladha në veriperëndim”. Sipërfaqja e Gjirit të Sarandës është = 4.4 km2, sipërfaqja e gjysmërrethit është = 4.8 km2, kjo midis kepeve më të dala të gjirit të Sarandës. Nuk është i pranueshme përcaktimi i Gjirit të Sarandës nga Kepi i Qefalit deri te Kepi i Demes (pranë Ksamilit). Nuk ka asnjë ligj, asnjë vendim të Kuvendit, asnjë akt ligjor (VKM) të Këshillit të Ministrave apo qoftë edhe një vendim të Bashkisë së Qytetit të Sarandës që të përcaktojë gjirin e Sarandës, gji historik.
- Shkëmbi Barketa
Pretendimi i Kolonelit Myslym Pasha: Përballë kepit të Mërtesës (Vrojtimit) në vijnë lindje/perëndim drejt Kepit Varvara (Korfuz) ndodhen të dy ujdhesa shkëmbore, Tignosso dhe Barketa, të cilat janë të pasqyruara në të gjitha hartat historike detare. Barketa, duhet t’i takonte Shqipërisë, ndërsa Ujdhesa Tignosso, përfshihet në arkipelagun e ujdhesave të Korfuzit.
Përgjigjja e Kundëradmiral, Kristaq Gervenit: Në Udhëzuesin e Lundrimit për Detet Adriatik e Jon, botim shqiptar i vitit 1992, Shkëmbi Barketa trajtohet ne Kapitullin III – Ishujt e Jonit të Veriut. Në faqen 71, kur flitet për Ishullin e vogël Peristere ose Tignoso (ishull grek) theksohet: “Në veri të këtij ishulli ndodhet një shkëmb baras me nivelin e ujit”. Nga çdo detar kuptohet thjeshtë se ky shkëmb është pjesë e formacionit të shelfit kontinental të ishujve grek.
- Ishulli Tongo dhe Kepit Stillo
Pretendimi i Kolonelit Myslym Pasha: Po të merret parasysh drejtimi që jep prej piramida kufitare 79, Komisioni Ndërkombëtar ( 1913-1925) vijimi duhet të shkojë deri në takim me ujdhesën e Korfuzit. Kjo largësi është 16 km. Kjo vijë duhet të konsiderohet fillimore.
Përgjigjja e Kundëradmiral, Kristaq Gervenit: Lidhur me vijën ndarëse që fillon nga piramida 79 e kufirit tokësor, distanca
deri ne bregun e Korfuzit (Kepi Sidero) nuk është 16 km, (siç pretendohet) por është = 9.91 km.
- Greqia arqipelag
Pretendimi i Kolonelit Myslym Pasha: Greqia nuk është “shtet arkipelag”, por në përbërje të tij “përfshin tërësi ujdhesash arkipelagore” si pjesë jetësore e Republikës së Greqisë. Kësisoj, në nismën për të ndarë ujorin në Ngushtesën Veriore të Korfuzit, që ndërmjetëson të dy shtetet tona fqinje, vëmendja jonë përqendrohet ndaj Arkipelagut të Ujdhesave Jonianë që ndodhet në perëndim.
Përgjigjja e Kundëradmiral, Kristaq Gervenit: Nga përcaktimi ligjor dhe paraqitja gjeografike Greqia nuk është shtet arkipelag.
- Ishulli i Othonit
Pretendimi i Kolonelit Myslym Pasha: Arsyetimi ligjor ka qenë i mbështetur në logjikën ishullore, ku Othoni është konsideruar si pikë e fundme prej së cilit janë llogaritur dy njësitë detare (DSH dhe HAV), pa arsyetuar se drejtimi verior i përftimit të këtyre standardeve, është në kundërshtim të hapur me rrethanat gjeografike të ngushtesës, e cila u përket vetëm dy shteteve përballë, Italisë dhe Shqipërisë.
Përgjigja e Kundëradmiral, Kristaq Gervenit: Ishulli Othonit është i banuar dhe sipas Konventës ai ka të njëjtin status me kontinentin.
Marrëveshja, opozita në Kushtetuese
Aristir Lumezi
Partitë opozitare, të majta dhe të djathta i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për marrëveshjen e kufijve me Greqinë. Dje pasdite, kryetari socialist Edi Rama thirri në një takim kreun e PSD-së, Skënder Gjinushi, të G99 Erion Veliaj, kreun e PLD Spartak Ngjela, kreun demokristian Nard Ndoka dhe ish-drejtuesin e LSI-së, Ndre Legisi për të përcaktuar një qëndrim rreth marrëveshjes që qeveria shqiptare dhe ajo greke kanë arritur për kufijtë detarë mes dy vendeve. Në fund të takimit, të gjithë kryetarët e partive firmosën kërkesën që sot do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, përmes së cilës kërkohet verifikimi i kushtetutshmërisë së kësaj marrëveshjeje. Sipas përfaqësuesve të partive opozitare, “para ratifikimit të marrëveshjes së kufijve nga Parlamenti, Gjykata Kushtetuese ka targetin të verifikojë kushtetutshmërinë e saj”.
Në kërkesën e tyre, socialistët i janë përmbajtur tërësisë së parimeve që kanë të bëjnë me sovranitetin territorial të vendit dhe pikërisht nenit 3 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, sipas të cilit, tërësia e territorit të shtetit i cili ka për detyrë ta respektojë dhe mbrojë atë. “Pavarësia e shtetit dhe tërësia e territorit të tij, dinjiteti i njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, drejtësia shoqërore, rendi kushtetues, pluralizmi, identiteti kombëtar dhe trashëgimia kombëtare, bashkëjetesa fetare, si dhe bashkëjetesa dhe mirëkuptimi i shqiptarëve me pakicat janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë”, thuhet në nenin 3 të Kushtetutës. Pritet që sot kërkesa e PS-së e mbështetur dhe nga partitë e vogla të majta dhe të djathta të depozitohet në Gjykatën Kushtetuese, e cila pritet ta marrë në shqyrtim përpara seancës plenare kur kjo marrëveshje pritet të miratohet në Kuvendin e Shqipërisë. Pas takimit me kryetarët e partive të vogla, kreu socialist Edi Rama u shpreh se, “u ra dakord që të nënshkruajmë atë hap që ne i ftuam të ndërmerrnim së bashku, për të ankimuar në Gjykatën Kushtetuese këtë marrëveshje krejtësisht të pavend dhe krejtësisht të padenjë, e cila pa asnjë dyshim duhet të zmbrapset për të krijuar kushtet që të ketë një rinegocim, ku ata që e përfaqësojnë vendin tonë, duhet ta përfaqësojnë denjësisht, si të barabartë mes të barabartëve”. “Në respekt të plotë të fqinjësisë së mirë, në respekt të plotë të miqësisë tradicionale, në respekt të plotë të ardhmërisë së dy popujve tanë dhe në funksion të atyre interesave që asnjëherë nuk mund të negociohen dhe aq më pak të preken për arsye që për momentin janë shumë të errëta”, u shpreh Rama. Ndërsa kreu i G99 i kërkoi Gjykatës Kushtetuese të shprehet për këtë marrëveshje. “E çojmë në Gjykatën Kushtetuese, sepse është gjykata e vendit tonë, ndaj edhe kemi besim të plotë që Gjykata Kushtetuese nuk do të vazhdojë të politizohet dhe do të pranojë që po flasim për territor shqiptar, për një gjë që precedentët kanë treguar që është territor shqiptar. Gjykata e Hagës ka treguar që tashmë është territor shqiptar, kështu që besojmë që do të kemi një vendim shqiptar nga një gjykatë shqiptare. Kjo është e vetmja shpresë për ta avancuar këtë në anën ligjore”, u shpreh Veliaj.
Ngjela: Gjykata ta shqyrtojë me urgjencë
Kreu i PLD-së, Spartak Ngjela, i bëri apel dje pas takimit Gjykatës Kushtetuese ta marrë me urgjencë kërkesën e partive opozitare. “Gjykata Kushtetuese duhet ta marrë me urgjencë, duke i vënë Parlamentit në dijeni faktin, se edhe sikur të gjithë deputetët të jenë dakord unanimisht, ndëshkohen penalisht në rast se kjo provohet. Dhe kjo nuk ka pse të mos provohet, sepse në rast se nuk do të ishte territor shqiptar 250 km2, nuk do kishte nevojë për marrëveshje. Atëherë Shqipëria çedon nga territori i saj dhe ky është krim i rëndë. Gjej rastin t’i them Presidentit të Republikës të jetë i vëmendshëm dhe ta shohë me përparësi këtë çështje. Po degradon situata në sens negativ, ku janë manipuluar zgjedhjet dhe po bëhen marrëveshje të dyshimta. Gjykata Kushtetuese nuk e merr dot në shqyrtim pasi ratifikohet, sipas Kushtetutës, e merr vetëm përpara”.
Marrëveshja me Greqinë, shtyhet ratifikimi
Parlamenti ka shtyrë ratifikimin e marrëveshjes për përcaktimin e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë. Konferenca e kryetarëve kishte përcaktuar pak ditë më parë ratifikimin e saj në seancën parlamentare të datës 19 tetor. Në kalendarin tre javor të punimeve të Kuvendit të Shqipërisë, deri më 16 nëntor, nuk është përfshirë miratimi në Kuvend i kësaj marrëveshjeje. Por duket se debatet politike dhe përfshirja në to e opozitës kanë bërë që miratimi i saj të bëhet në një datë të pacaktuar, duke i lënë kohë kështu qetësimit të situatës politike në vend. Ditët e fundit opozita dhe kryesisht Partia Socialiste është bërë pjesë
e këtij debati që kishte përfshirë vetëm qarqet mediatike dhe të ekspertëve ushtarakë e shoqatave patriotike, përfshirë këtu dhe partinë më të re të çamëve, PDU. Marrëveshja për ujërat detare me Greqinë u firmos mes dy qeverive në prill të këtij viti dhe u bë e njohur që pas publikimit të përmbajtjes së saj nga mediat.
Sipas ekspertëve ushtarakë në lirim, mësohet me fakte se marrëveshja cenon ujërat kombëtare në detin Jon me rreth 354.4 km2, të cilat i kalojnë Greqisë. Pak ditë më parë edhe ushtarakët shqiptarë dhe disa shoqata në vend i kërkuan Kuvendit mosratifikimin e marrëveshjes shqiptaro-greke për delimitimin e kufijve detarë. Marrëveshja u miratua nga Komisioni parlamentar i Ligjeve më 25 shtator, ndërsa pritej të kalonte për miratim në Kuvend më 19 tetor. Parti të majta pritet të organizojnë dhe protesta ditët në vijim, me qëllim mosratifikimin e saj nga Parlamenti shqiptar të marrëveshjes së kufijve detarë mes Shqipërisë dhe Greqisë.