Kriza, Berisha: Zgjidhja, sipas Kushtetutës

Kryeministri Berisha tha se gjatë darkës spikati vendosmëria për respektimin e plotë të Kushtetutës e kuadrit ligjor
TIRANË - Pas negociatave të tej zgjatura dy ditë më parë në Strasburg ka ardhur edhe reagimi i parë i kryeministrit Sali Berisha, menjëherë pas mbërritjes së tij në aeroportin "Nënë Tereza".
Pa folur konkretisht mbi atë çka është diskutuar, kryeministri Sali Berisha është kthyer nga Strasburgu me të njëjtin qëndrim që ka pasur gjatë këtyre 9 muajve. Të paktën kështu u shpreh publikisht, teksa përsëriti edhe njëherë se çdo zgjidhje do të vijë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe vendimet e gjykatave.
Ai ka deklaruar se i mbetet sërish opsionit për daljen nga kjo situatë nëpërmjet respektimit të kuadrit ligjor, vendimeve të gjykatave dhe Kushtetutës, por pa saktësuar kësaj here nëse i referohej vetëm fletëve të votimit, apo edhe materialeve të tjera zgjedhore.
Ai vuri në dukje se në takimin e tij me kreun e opozitës Rama dhe përfaqësuesit e Parlamentit Europian, u shfaq një vendosmëri për të respektuar të gjithë instrumentet ligjorë të përmendur më lart.
Duke mos dhënë detaje të tjera rreth takimit kreu i ekzekutivit specifikoi se diskutimet në restorantin "Krokodil" të Strasburgut ishin njësoj si takimi i para disa muajve me drejtuesit e Komitetit Presidencial të Këshillit të Europës në selinë e Presidentit Topi.
"Darka në restorant "Krokodil" të Strasburgut është një nga darkat mund të them më të shijshme. Unë jam edhe një person që e dua shumë Strasburgun sepse është një qytet me histori frymëzuese. Nga ana tjetër darka sigurisht, që nuk ishte një darkë ahengu, por një darke pune.
Mund t'ju them se tek të pranishmit spikati qartësisht vendosmëria për respektimin e plotë të Kushtetutës, kuadrit ligjor dhe vendimeve të gjykatave për zgjidhjen e këtij problemi.
Pra, ajo çka duhet të përfundoj, se ishte në sintoni dhe me qëndrimet e mëparshme si të Komitetit Presidencial dhe Byrosë Parlamentare të Këshillit të Europës ashtu edhe deklaratat e përsëritura të Brukselit", - tha dje Berisha.
Për sa i përket qëndrimit të kryetarit të opozitës, zotit Edi Rama, në këtë darkë bisedimesh, Berisha theksoi se ai duhet të jetë vetë kreu i opozitës që të flasë për një gjë të tillë ndërsa nuk ngurroi të lëshojë edhe batutën e tij se në Strasburg i paskan kërkuar që të paguajë darkën që zgjati për afro 5 orë. "Gjithçka lidhet me personin e tij.
Të lutem shumë prite këtu kur të kthehet dhe pyeteni atë. E tëra çfarë mund t'u them unë ju për të është kjo se dëgjova një zë që se nga erdhi, as vetë nuk e mora vesh që tha se këtë darkë të takon ta paguash ti", - u shpreh ai.
Negociatat që zgjatën për rreth 5 orë në restorantin "Krokodil" të Strasburgut, midis përfaqësuesve të mazhorancës të kryesuara nga Kryeministri Berisha dhe atyre të opozitës të kryesuar nga kreu i opozitës, Edi Rama, të shoqëruar respektivisht edhe nga përfaqësuesit e Parlamentit Evropian e zyrtarë të tjerë të BE-së, përfunduan pa asnjë rezultat konkret duke e lënë sërish çështjen pezull.
Përfaqësuesit e PE-së sëbashku me komisionerin për Zgjerim Shtefan Fyle theksuan se nevojitet ende shumë punë për të bërë duke u lënë dy javë afat liderëve shqiptarë për të zgjidhur krizën politike, në të kundërt Bashkimi Evropian do të fillojë të aplikojë masa të rrepta për Shqipërinë lidhur me kërkesën e saj për statusin e vendit kandidat.