BE dërgon ekspert ligjor për zgjidhjen e çështjes

Negociatat në nivel ekspertësh duhet të përfundojnë brenda dy javësh. Në negociata përfshihet edhe Brukseli, përmes propozimeve
TIRANË - Përfundimi i negociatave pa rezultat në darkën informale të zhvilluar në Strasburg midis Ramës dhe Berishës me praninë e ndërkombëtarëve, ka bërë që negociatat të vijojnë, kësaj here në nivel teknik, për të konkluduar në finale ndoshta me një takim të dytë, Rama-Berisha.
Në negociata do të vijojnë të jenë të përfshirë edhe të huajt. Së shpejti, mësohet se në Tiranë, do të mbërrije një ekspert ligjor nga Bashkimi Europian për të negociuar me ekspertët ligjorë të PS-së e PD-së. Megjithëse nuk është bërë ende e ditur se kush do të jetë ky ekspert ligjor, vlen të theksohet se ai do të jetë në Shqipëri pikërisht për të ndihmuar në arritjen e një kompromisi përfundimtar.
Eksperti që do të zbresë në Tiranë do të konsultohet dhe do të zhvillojë bisedime me një ekspert ligjor nga mazhoranca dhe një ekspert ligjor nga opozita, për të shqyrtuar mjetet ligjore e juridike, si rrugë për zgjidhjen e situatës politike.
Në këto konsultime juridike, do të shihet mënyra dhe procedurat që mund të ndjekë komisioni hetimor parlamentar për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe specifikisht ajo që lidhet me fletët e votimit.
Mënyra se si duhet shkuar deri tek Komisioni i Venecias për të shqyrtuar fletët e kutive të votimit është një nga pikat kyçe që palët ende nuk kanë gjetur një zgjidhje. Në tryezën e negociatave janë hedhur disa variante për zgjidhjen e krizës politike. Por dy janë ato që spikasin dhe për të cilat palët nuk kanë gjetur një gjuhe të përbashkët.
Të dy variantet kanë të përbashkët ngritjen e një komisioni hetimor, ku shumicën dhe kryetarin ta ketë opozita. Ky komision do të verifikojë materialet zgjedhore dhe nëse zbulon shkelje, i dërgon ato në Prokurori.
Varianti i parë parashikon që propozimi për fletët e kutive të votimit t'i dërgohet Gjykatës Kushtetuese dhe kjo e fundit nëse e sheh të arsyeshme t'i kërkojë mendim Komisionit të Venecias.
Deri në marrjen e një opinioni apo rekomandimi nga ky komision, fletët e votimit, për të cilat në Kod nuk është parashikuar ndonjë afat, nuk duhet të asgjësohen.
Ndërsa varianti i dytë parashikon një tjetër rrugë që mund të ndiqet për në Komisionin e Venecias. Sipas këtij opsioni, parashikohet që nëse komisioni hetimor parlamentar vëren parregullsi në materialet zgjedhore, i drejtohet Komisionit të Venecias, përmes kryetares së Kuvendit, që ky komision të japë një gjykim mbi fletët e kutive të votimit.
Një tjetër variant i përfolur së tepërmi dje, por që drejtuesit e dy forcave kryesore politike janë treguar tepër të rezervuar, është se vetë PE-ja u ka servirur një draft-propozim i bazuar kryesisht mbi variantet e mësipërme, për të cilën, palëve u është lënë afat plot dy javë kohë.
********************************
Katerinë Ashton dhe Stephan Fuele i bëjnë thirrje liderëve politikë që të marrin përsipër përgjegjësitë
BE: Jemi të shqetësuar për bllokimin politik
TIRANË - Përfaqësuesja e BE-së për Politikë të Jashtme, Katerinë Ashton, dhe Komisioneri për Zgjerim, Stephan Fuele, i bënë thirrje Kryeministrit Berisha dhe liderit të opozitës, Rama, të marrin përgjegjësi për zgjidhjen e krizës politike në vend. Deklarata vjen menjëherë pas përfundimit pa rezultat të takimit joformal të zhvilluar në Strasburg.
"Shqipëria është në një moment vendimtar në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Europian.
Gjithashtu, një sërë sfidash të brendshme kërkojnë kurajë politike. BE-ja është seriozisht e shqetësuar për bllokimin politik të vazhdueshëm. BE-ja është e shqetësuar për Parlamentin jofunksional dhe për efektet e mundshme në institucionet e tjera", - thuhet në njoftimin për shtyp.
Politikanët europianë theksojnë se "është koha për të gjetur një zgjidhje për krizën aktuale mbi një bazë që t'i rezistojë testit të kohës. Perspektivat e Shqipërisë nuk duhet të ndikohen më tej nga vazhdimi i gjendjes ekzistuese".
Ashton dhe Fule i bashkëngjiten thirrjes së grupeve politike të Parlamentit Europian dërguar krerëve të mazhorancës dhe opozitës për gjetjen e një zgjidhje kombëtare, të qëndrueshme dhe të shpejtë.