E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza, Brukseli: Jeni të paaftë të gjeni zgjidhje!

Pamundësia për të pasur një deklaratë të përbashkët, ka detyruar europarlamentarët të lëshojnë dje një qëndrim të njëanshëm në përfundim të Komitetit të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri. Dokumenti i miratuar përmban tetë pika të prekura nga europarlamentarët, që i përkisnin krahëve të ndryshme politike. Komiteti mirëpret atmosferën e mirë dhe dialogun pozitiv parlamentar, të kryer në takimin e tretë në Bruksel. “Shprehim shqetësim të thellë për krizën politike, e cila pasoi zgjedhjet parlamentare të qershorit 2009 dhe ato administrative të majit 2011, ndërsa u kërkojmë të dyja palëve, qeverisë dhe opozitës, të bashkëpunojnë drejt gjetjes së një marrëveshjeje brenda kuadrit ligjor të institucioneve demokratike”, thuhet në deklaratë. Brukseli nënvizon faktin se mungesa e gjatë e stabilitetit politik ka dëmtuar pozicionin e vendit dhe perspektivën europiane. “Shprehim keqardhje se pavarësisht kontributeve të shumta të Parlamentit Europian, Komisionit, Shërbimit të Jashtëm dhe Këshillit të Europës, për të stimuluar dialogun midis blloqeve politike, dy palët janë të paaftë që të gjejnë një kompromis për hir të vendit e qytetarëve të tyre”, theksojnë europarlamentarët. Në dokumentin final nënvizohet se “Parlamenti Europian nuk do të mbajë anë sa i takon mosmarrëveshjeve zgjedhore dhe do të qëndrojë neutral. Në të njëjtën kohë presim që mosmarrëveshjet të zgjidhen, në respekt të plotë të ligjit dhe Kushtetutës së Shqipërisë, apo nëse është e nevojshme me këshillën e mundshme të institucioneve ndërkombëtare”. Një tjetër pikë është ajo që paralajmëron se nëse prioritetet e adresuara në opinionin e Komisionit Europian për aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat nuk do të përmbushen, dhe kriza politike nuk do të zgjidhet menjëherë, progresi institucional mes Shqipërisë dhe Bashkimin Europian do të dëmtohet seriozisht. “Përsërisim se Parlamenti Europian është i gatshëm të ndihmojë dhe asistojë Shqipërinë, në përpjekjet e saj për integrimin europian. Mirëpresim suksesin e arritur me liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe nënvizojmë se qytetarët shqiptarë e kanë përdorur këtë të drejtë në mënyrë të përgjegjshme e pa abuzuar. Marrëdhëniet e mira të Shqipërisë me fqinjët janë shumë të rëndësishme për stabilitetin në Europën Juglindore, çka është thelbësor për progresin dhe integrimin e Ballkanit perëndimor. Deklarata është firmosur nga eurodeputetët: Eduard Kukan, Jelko Kacin, Victor Bostinaru, Lajos Bokros, Antonio Cancian, Marije Cornelissen, Francesco De Angelis, Tanja Fajon, Marietta Giannakou, Kinga Goncz, Anna Ibrisagic, Stanimir Ilchev, Sarah Ludford, Marian-Jean Marinescu, Jan Ollbrycht, Maria Munic De Urquizza, Doris Pack, Marietje Schaake, Jutta Steinruck, Laszlo Surjan dhe Michail Tremopoulos.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›