E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukan: Zgjedhjet? Respektoni institucionet

Kryetari i delegacionit për Europën Juglindore në Parlamentin Europian, Eduard Kukan, deklaroi dje pas takimit me deputetët shqiptarë se “është dialogu dhe vullneti politik që do të bëjë të mundur ecjen e Shqipërisë përpara në integrimin europian”. Ne, vijoi ai, gjithmonë themi që këtë mungesë dialogu e vuajnë qytetarët e Shqipërisë, ndaj politikanët shqiptarë duhet të vënë interesin e qytetarëve si prioritet. “Deri tani nuk ka progres për dialogun politik, pasi qëndrimet janë të kundërta”, deklaroi Kukan. Lidhur me situatën paszgjedhore në Shqipëri, ai tha se “duhet të respektohet vendimi i institucionit që është kompetent, për të gjykuar çështjen e zgjedhjeve dhe të gjithë duhet ta bëjnë këtë gjë”. Në vlerësimin e tij, procesi zgjedhor nuk ka mbaruar dhe do të jetë e rëndësishme, që kur ai të mbarojë, situata politike në Shqipëri të qetësohet. “Unë po e shpresoj vërtet këtë, sepse i kam parë deklaratat e zotit Rama dhe do të citoj vetëm njërën. Ai ka thënë, se do të vazhdoj betejën ligjore. Nëse ai vazhdon betejën ligjore, kjo është ok. Pra, ankesa para institucioneve përkatëse është shumë e drejtë, por kur ai thotë këtë, duhet gjithashtu të pranojë vendimet e këtyre institucioneve ligjore”, nënvizoi Kukan. Kjo është shumë mirë, theksoi Kukan, duke ju referuar Ramës, ai duhet të protestojë, madje ta çojë çështjen edhe në Gjykatën Kushtetuese, por duhet të ndjekë vetëm ligjin. “Kjo do të arrihet vetëm me dialog konsensual politik, për të cilin theksoi se deri tani asgjë nuk ka ndryshuar nga më parë”, insistoi ai. Në deklarimet e tij publike, Kukan nuk e ka fshehur pamundësinë për të arritur në një deklaratë të përbashkët të palës shqiptare dhe të europarlamentarëve. Këtij objektivi i shërbeu edhe mbledhja me dyer të mbyllura në Bruksel, për shkak të dy eksperiencave të hidhura në dy takimet e mëparshme. “Ideja e organizimit të takimit me dyer të mbyllura është që të krijojmë atmosferën e duhur, për të diskutuar mbi çështjet për të cilat jemi mbledhur, pasi duke u nisur nga eksperienca e kaluar, prezenca e medias përdoret nga disa prej nesh për të dhënë mesazhe emocionale të panevojshme dhe ekstreme”, nënvizoi kryetari i delegacionit për Europën Juglindore, Eduard Kukan një ditë më parë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›