Votat, Ristani: S’pres surpriza, në librat e protokollit s’ka indice të tjera
TIRANË- Në pritje të zbardhjes së vendimit të Kolegjit Zgjedhor, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, ka deklaruar dje se gjatë procedurës së parë, të ndjekur nga ky komision, janë parë të gjitha librat e protokollit dhe se në këto të fundit nuk ka më indicie të tjera. Pavarësisht këtij procesi, Ristani ka sqaruar se do të këqyren të gjitha materialet zgjedhore.”... Do të këqyren të gjitha materialet zgjedhore pavarësisht se KQZ-ja i ka parë të gjithë librat e protokollit...Tashmë do të hapen të gjithë kutitë, pavarësisht librave të protokollit, pavarësisht nëse ka shënime apo jo në këto libra. Ne do t’i hapim. Personalisht, nuk pres që të ketë surpriza, të ketë gjetje të reja, sepse po të kishte do të ishin shënuar në librat e protokollit të mbledhjeve, megjithatë le të themi se KZAZ të caktuara nuk mund ta kenë bërë detyrën mirë dhe nuk kanë shënuar në librat e protokollit ato që duhet të shënonin”, - tha dje Ristani. Kryetari i KQZ-së argumentoi se institucioni që ai drejton është në pritje të vendimit të zbardhur nga Kolegji, për të cilën pritet që të ketë një vendimmarrje të re nga KQZ-ja, për mënyrën se si do të procedohet. “Presim vendimin e zbardhur të Kolegjit, sepse pjesa arsyetuese ka rëndësi për mënyrën e kuptimit të dizpozitivit të vendimit që është marrë. Do të ketë një vendimmarrje të KQZ-së për zbatimin e vendimit të gjykatës dhe më pas në sallën tonë të mbledhjeve, do të ngrihen disa grupe numërimi, sa më shumë të jetë e mundur, në mënyrë që procesi të ecë shpejt dhe të mbarojë në kohë”, - tha ai. Në vendimin e tij, Kolegji kërkon një hetim të mëtejshëm të çështjes, pra për të shkuar më tej me hapjen e kutive të tjera, të cilat nuk janë hapur nga KQZ-ja deri më tani. Hapja e kutive do të çojë në vlerësimin e të gjitha fletëve, që nuk janë hedhur në kutinë e duhur, të cilat do të tabulohen më pas në tabelën përmbledhëse për kryetarin e Bashkisë Tiranë. Vendimi i Kolegjit është mbështetur dje edhe nga juristi dhe ish-kryetari i KQZ-së, Çlirim Gjata. Përpos faktit që ky vendim legjitimon numërimin e çdo vote të hedhur në kuti të tjera nga votuesit, në zgjedhjet lokale të 8 majit, Gjata shtoi se një tjetër aspekt pozitiv i vendimit të Kolegjit Zgjedhor është edhe rrëzimi i pretendimeve për mos-rakordim të shifrave mes numrit të votave dhe zgjedhësve në kutitë e votimit. Gjata theksoi se Kolegji Zgjedhor ka mbrojtur më shumë çështjen e transparencës pra, sipas tij, ky kolegj ka vepruar më shumë mbi parime sesa mbi procedurë.