E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-PD sherr në Bruksel, Fule: Kjo është zgjedhja juaj!

Parlamenti Europian nuk ka arritur të dalë me një deklaratë të përbashkët, në përfundim të tryezës së komitetit të stabilizim asociimit mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë. Kjo është hera e tretë rresht që ligjvënësit shqiptarë të shumicës dhe opozitës parlamentare nuk arrijnë të bien dakord për termat e deklaratës. Demokratët dhe socialistet nuk kanë gjetur, as në Bruksel, gjuhën e përbashkët mbi konkluzionet e këtij takimi, i cili u zhvillua enkas me dyer të mbyllura. “Top Channel” mundi të sigurojë një pjesë të këtij debati të zhvilluar me dyer të mbyllura. “Për fat të keq, zgjedhjet për pushtetin vendor kanë përkeqësuar klimën politike e nuk mundën ta kapërcenin atë, në mënyrë që të fillonte me të vërtetë procesi i shtet-ndërtimit të një vendi anëtar. Anëtarësimi në BE, pa kushte, parashikon probleme, kushtet pa anëtarësimin parashikon tradhti”, u shpreh deputeti socialist Ditmir Bushati. Ne mbetemi të angazhuar për të vendosur interesat e vendit dhe të ardhmen e vendit mbi politikat partiake, shtoi ai, dhe besojmë se zbatimi i 12 prioriteteve kyçe si dhe prioriteteve te tjera, duke marrë parasysh realitetin e ri me të cilin vendi po përballet, janë thelbësore për Shqipërinë për të ecur përpara me vendosmëri. Ndërsa deputetja demokrate, Albana Vokshi, kërkoi të dinte nëse komisioneri Fule është vënë në dijeni të deklaratës së fundit të zotit Rama, në letrën e hapur të tij përpara disa ditëve, dhe të kërcënimeve që ai i ka bërë deri tani gjyqtarëve. “Po ashtu do të doja ta pyesja nëse është vënë në dijeni me deklaratën e fundit, të sotme, të bërë vetëm një orë përpara, të zotit Rama, ku jo vetëm që nuk e pranon vendimin e institucionit më të lartë, vendimin e mbrëmshëm pra të Kolegjit Zgjedhor mbi ankesën e Partisë Socialiste, por në fjalimin e fundit të tij, ai thekson se tashmë rruga e Partisë Socialiste është që të shkohet deri në fund me atë plan që ka nisur, pra që të shkohet deri në rrëzimin e qeverisë”, theksoi Vokshi, e cila ju drejtua komisionerit Fule duke e pyetur se “nëse një person do të bënte një deklaratë të tillë në vendet tuaja, cili do të ishte reagimi juaj ndaj këtyre deklaratave?”. Pas kësaj ka ardhur edhe përgjigja e komisionerit Fule, i cili tha se “së pari ndaj Zonjës Vokshi. Jo, Jo dhe Nuk e Di. Ju përgjigja pyetjeve tuaja, dakord...”. Së dyti, sqaroi Fule, Shqipëria është vendi i vetëm ku unë kam kërkuar, si Komisioner, që opozita të pyetej për zgjidhjen e planit të aksionit. Dhe unë jam i shqetësuar... Jam i shqetësuar... Bëhet fjalë për besueshmërinë e procesit. “Nëse ky do ishte Plani im B, unë nuk kam sot një plan C. Nëse ju keni një plan D, ajo ju përket juve. Integrimi europian, të cilit ju i përkisni, është këtu. Së treti, do t’ju lexoja raportin e 2007-tës të ODIHR. Është shumë e rëndësishme. Më lejoni t’jua citoj ‘..u përdoren fletë votimi me ngjyra përafërsisht të ngjashme për votime të ndryshme. Kjo çoi në pështjellim dhe mund të ketë sjellë një numër të konsiderueshëm fletësh votimi, të hedhura në kutinë e gabuar të votimit, duke i bërë kështu të pavlefshme’”, deklaroi Fule. Kam gjithashtu raportin e ndërmjetëm, shtoi ai, që thotë se logjika ligjore në vendimin e KQZ-së ishte e paqartë. “Nëse më pyesni pse ekziston kjo koeçidencë, nuk mund të them gjë.., por mund të them se kam pasur disa telefonata me të dy palët, zotin Sali Berisha, e të tjerë udhëheqës politikë. Për qeverinë, me zotin Sali Berisha, bisedova dhe i thashë atij ‘siguro që zgjedhjet lokale të 8 majit të jenë një gjenerator tani në tërësi’. Ju thashë të dyve në fakt, që të garantohej se zgjedhjet lokale duhej të zbusnin mjedisin, ishin shumë të rëndësishme. Faleminderit, e raportoj në tetor...”, nënvizoi Fule. Komisioneri nuk e ka fshehur irritimin me palën shqiptare, ndërsa duke ju drejtuar deputetëve të pranishëm aty, tha se “a është kjo ajo që doni? Qeveria? Opozita? Nëse po, kështu vazhdoni, nëse jo, mund të ndihmoni me disa indikacione, konsensus a diçka që ngre urën mes jush. Dera ngjitur mbetet hapur. Për ne, në rregull është. Kjo është zgjedhja juaj. Është absolutisht, zgjedhja juaj. Nuk jam unë ai që do të shkojë në BE. Unë jam ai që bën të funksionojë besueshmëria e një mandati, e nuk do ta kapërcej atë linjë. Më vjen keq djema, sepse ekzistojnë vërtetë mundësitë”. Sakaq, eurodeputetja Doris Pack, duke ju drejtuar deputetëve shqiptarë, tha se ajo çka thanë në tryezë duhet ngritur në parlamentin shqiptar. “Ka shumë gjëra që mund të bëhen në parlament, ku nevojitet një shumicë, e ka gjëra që nuk mund të bëhen pa ju. Ne nuk jemi mësuesit tuaj. Mendoj se ju duhet të veproni për atë që ju jeni zgjedhur, të gjithë ju, në parlament. Ju nuk jeni të zgjedhur në nivel lokal, nuk jeni kryetarë bashkish, jeni zgjedhur për parlamentin, ndaj duhet të shkoni në parlament e bëni atë çfarë është planifikuar”, u shpreh Pack. Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu u shpreh se “gjithsecili ndoqi me kujdes zgjedhjet lokale dhe planin e aksionit për 12 prioritetet kyçe”. Përpara se të mirëpres mesazhin dërguar ndaj Kryeministrit Berisha nga Sekretari i Përgjithshëm Jagland, tha Bregu, unë ftoj gjithashtu për dialog të gjitha partitë politike për të përmirësuar më tej kuadrin ligjor për zgjedhjet e ardhshme, me ndihmën e komisionit, duke rikonfirmuar vullnetin e maxhorancës për dialog me opozitën, për të bërë ndryshimet e rekomanduara nga OSBE/ODIHR.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›