E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasje mes policisë dhe protestuesve të opozitës

Tensionohet situata, deputetët socialistë ndalojnë protestuesit nga veriu që të konfrontohen me forcat e policisë


TIRANË- Protesta e djeshme e opozitës në kryeqytet ka qenë më e tensionuar se sa herët e tjera. Forca të policisë dhe protestuesit e ardhur nga Shkodra, Malësia e Madhe, Puka, dhe Lezha Laçi e Mirdita janë detyruar dy herë që të konfrontohen fizikisht, një herë tek stacioni i trenit dhe një herë tjetër pranë ish-hotel Dajtit.


Në të dyja rastet kanë ndërhyrë deputetët e PS-së, të cilët kanë arritur që të qetësojnë situatën për të parandaluar ndonjë veprim dhune nga të dyja palët. Ata janë vendosur mes protestuesve dhe policisë për të mos lejuar përkeqësimin e situatës.


Protesta nisi që tek stacioni i trenit, ku kanë mbërritur autobusët me simpatizantë dhe përkrahësit e opozitës nga disa prej qyteteve veriore të Shqipërisë. Marshimi-protestë nisi në orën 17:00, si zakonisht, kur turma e protestuesve të mbërritur nga Shkodra, Malësia e Madhe, Puka, dhe Lezha Laçi e Mirdita iu drejtua qendrës së kryeqytetit, për t'iu bashkuar një mase tjetër njerëzish që përkrah protestuesit në qendër të Tiranës, në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", përballë selisë së qeverisë. Rrjedha e protestuesve, nisi të rrëshqasë përgjatë bulevardit "Zogu i Parë", ku shumë qytetarë dhe kureshtarë iu bashkuan protestës, së nisur pranë stacionit të trenit.


Ndërkaq forca të shumta të policisë së kryeqytetit, kanë ndjekur protestën e ditës së djeshme në krahët e bulevardit dhe në mënyrë të vazhdueshme kanë larguar mjetet që ndodheshin në qendër të rrugës me qëllim që të mos kishte ndonjë përplasje me protestuesit.


Pas më tepër se dhjetë minuta rrugëtim në këmbë masa e protestuesve mbërriti pranë Muzeut Historik Kombëtar, ku masa e protestuesve ndaloi për një moment dhe shumë prej tyre u ulën në rrugë duke qëndruar. Pas këtij momenti turma mori rrugën në drejtim të bulevardit të kryeqytetit. Turma drejtohej nga deputetët Tomë Doshi, Alfred Dalipi, Erion Braçe dhe përfaqësues vendorë të PS-së në këto rrethe.


Më pas protestuesit mbërritën përballë parlamentit, ku për më tepër se gjysmë ore ata bllokuan rrugën aty e cila ushtonte me thirrjet për hapjen e kutive, largimin e qeverisë dhe largimin e kryeministrit Berisha.


Protestuesit përpara parlamentit udhëhiqeshin nga deputetët e Partisë Socialiste si Namik Dokle e Ilir Gjoni. Ata protestonin duke mbajtur në duar slogane, që stigmatizonin maxhorancën qeverisëse dhe duke i kërkuar asaj në të njëjtën kohë, që të hapë kutitë e votimit, si rrugë për zgjidhjen e krizës politike. Protestuesit janë ulur në sheshin përballë parlamentit për të treguar se nuk do të tërhiqen pa arritur qëllimin e tyre, transparencën e zgjedhjeve.


Më pas të gjithë protestuesit përshkruan hapësirën përpara Parlamentit e më pas më pas vijuan për në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", ku janë vendosur në grevë urie prej shtatë ditësh 20 deputetë dhe 180 protestues të majtë. Protesta e opozitës para Kuvendit bëri që edhe seanca plenare të nisë një orë me vonesë ndryshe nga sa mblidhet zakonisht. Sot pritet protesta e radhës në Tiranë ku do të marrin pjesë, përveç kryeqytetasve, edhe qytetarët e ardhur nga qarku i Fierit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›