Kriza, Topi takon Lohan e Montobbio

Në kuadër të takimeve për zgjidhjen e krizës politike në vend, Presidenti Bamir Topi ka takuar sot ambasadorët e Bashkimit Europian dhe Komisionit Europian në vendin tonë.
Ambasadori i Spanjës Manuel Montobbio, vend i cili mban presidencën e radhës së BE-së si dhe ambasadori i Komisionit Europian, Helmut Lohan kanë mbërritur në Presidencë në 11:43, për të biseduar për rreth 45 minuta me kreun e shtetit Bamir Topi për mundësitë e zgjidhjes së krizës politike në Shqipëri. Takimi u zhvillua me dyer të mbyllura, ndërkohë që pas daljes nga Presidenca, ambasadorët nuk kanë pranuar të prononcohen për mediat.
Menjëherë pas përfundimit të takimit mes Topit dhe ambasadorëve Lohan e Montobbio në Presidencë ka mbërritur ambasadori amerikan John Withers.
Pritet gjithashtu që nga kjo javë Topi të nisë kontaktet e para mes dy krerët e partive kryesore, kreut të PD-së njëherësh kryeministër Sali Berisha dhe kryesocialistit Edi Rama.