Kriza e Edi Ramës e ka burimin tek fakti që nuk ka krizë në hapësirën shqiptare
E ashtuquajtura krizë, e pretenduar nga ana e opozitës, sa vjen e po bëhet më e papranueshme për elektoratin shqiptar, të djathtë ose të majtë. Nisi me kërkesa të pabazuara në ligj për hapje kutish, domethënë për të mos njohur rezultatin e zgjedhjeve të qershorit 2009. Vazhdoi me të njëjtën kërkesë për hapje kutish, duke bojkotuar Parlamentin për më shumë se 10 muaj, një rast i paprecedent në historinë e demokracive perëndimore. Kulmoi me të ashtuquajturën grevë të urisë, gjatë së cilës u bënë thirrje antikushtetuese, ndërsa të ashtuquajturit grevistë gjallonin si të ishin desh e viça të vënë në mbarështim e në dhjamosje, me sloganin-hiç: “Hap kutitë ose largohu!”. Përfundoi si flluskë sapuni, ndërsa ata që u betuan e u përbetuan të mos hynin në Parlament po të mos hapeshin kutitë, u shfaqën një ditë bash në sallën e Parlamentit, pa u hapur kutitë; u shfaqën buzëvarur, për t’u betuar e për t’u përbetuar se do të qëndrojnë atje, gjithë duke pretenduar hapje kutish, pra duke prodhuar krizë në mënyrë artificiale. Prej afro një viti, që nga qershori 2009, deri në qershorin 2010, fjalët “kuti” dhe “transparencë” u bënë më të lakuarat në ligjërimet politike të opozitarëve, njëherësh më të keqpërdorurat, çka të bind se kriza ishte dhe mbeti produkt për të ushqyer me oksigjen mendjet e sëmura që presin të bien dardha nga qielli.
Që nuk do të hapeshin kutitë, këtë e dinte, siç thonë, edhe bufi, pavarësisht ndërhyrjeve me elegancë a, ndonjëherë, me harbutëri të qëllimshme të diplomacisë ndërkombëtare. Edhe që nuk do të hapen kutitë, por do të zbatohet ligji, gjithashtu, e dimë ne, e dinë ata që e kërkojnë, e dinë ndërkombëtarët, e di bufi dhe zogu i tij, finka. Që “Krokodilit” një ditë do t’ia ndjenim zërin, siç po i ndihet pak e nga pak, edhe kjo dihej. Atëherë? Gjithçka shpjegohet me këmbënguljen e veshgjatit që s’tundet vendit veçse me shkop.
Tashmë, bufi që diçka dinte përpara se opozita socialiste të ulej forcërisht në Parlament, është më i ftilluar se kurrë për krakitjet ogurzeza të sorrave opozitare. Letrat e kryetarit socialist dërguar në adresë të personaliteteve që përfaqësojnë institucionet e BE-së a më tej se BE-ja, i ngjajnë as më shumë, as më pak gjethes së fikut, shprehin dëshirë për të fshehur turpin e lakuriqësisë. Po çka mund të fshehë një gjethe fiku?
Këto e të tjera na i vërtetoi sërish Edi Rama gjatë intervistës në VOA (Zëri i Amerikës).
E pardjeshmja ishte një ditë plot ngjarje. Fitore dhe humbje të pritshme e të papritshme në Kampionatin Botëror të Futbollit. Ndeshje që zunë ekranet e televizioneve dhe valët e radiove shqiptare, sikurse i kanë zënë në të gjithë botën. Megjithatë u gjet edhe një dritare për të na futur në botën e kutive. Jo drejtpërdrejt, përmes rrugës më të shkurtër, po tërthorazi, duke e zënë veshin pas koke. Deputetja socialiste Kodheli nga Selia e PS-së në Tiranë; Kryetari socialist Edi Rama nga New Yorku, përmes “Ditarit” të VOA-s. E para, dhiareve të një krize imagjinare; i dyti sipas lojës sillu, sillu rrumbullak.
Deputetja socialiste foli vetë, shijoi vetë, gëzoi vetë. Tha çka deshi e si deshi, pa u turbulluar nga gazetarët që e ndoqën. Seç ligjëroi për një krizë politike, seç tha për një krizë ekonomike, të cilat shqiptarët po i përjetokërkan përherë e më tepër, ndonëse dita e mbushur plot ngjarje fliste për të kundërtën e asaj që zonja deputete e quajti krizë. I madh e i vogël pardje ndoqën me ethe Botërorin (siç do ta ndjekin edhe sot, edhe nesër), madje pa ua varur fare krakitjeve, ndërsa kafenetë u mbushën e do të mbushen plot e përplot për të shijuar magjinë e futbollit, bash në kulmin e “krizës” që zonja Kodheli gati na e përzjeu me gllënjkat e kafesë, të birrës a të rakisë, bashkë me gëzimin e dëshpërimin që prunë golat e shënuar.
Shefi socialist, gjithashtu vetë foli, vetë shijoi, vetë gëzoi. Nuk ua fishkëlleu pyetjeve që i drejtoi intervistuesja. Me një mjekër që ndillte zi më tepër se çdo herë tjetër, na ngopi me “mbështetjen” e gjithanshme që partitë simotra i paskëshin dhënë atij për të rrëzuar “me mjete demokratike” qeverinë e ligjshme, të dalë prej zgjedhjeve të certifikuara botërisht, edhe prej personaliteteve të vetë Internacionales Socialiste. Deri këtu, Rama luajti si deshi, ishte në truallin e vet. Ne as pamë, as dëgjuam ç’u tha nga internacionalistët socialistë për të e për partinë e tij që politikën e kanë shpërngulur prej institucioneve, në rrugë të madhe. Për të zezën e vet, Rama pandehu se do ta kalonte intervistën siç kalon daljet në konferencat për shtyp me gazetarët, të cilëve ua mbyll gojën me arrogancën e vet të papërsëritshme. Nuk iu përgjigj drejtpërdrejt as pyetjes se çfarë arriti PS-ja me grevën e urisë, as nëse do të marrë pjesë partia e tij apo jo në zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm, as nëse ka ndonjë plan reformash po t’i fitojë zgjedhjet, as nëse do të kandidojë ai vetë apo jo për Bashkinë e Tiranës. Tërthorazi, çoç bërbëliti diçka mes posë dhe josë, çka analistët do ta deshifrojnë për publikun e zakonshëm. Intervistuesja, nga ana e saj, i vuri në dukje me mirësjellje se nuk u ishte përgjigjur pyetjeve. Mirëpo ai, drugën e Mukës: Krizë, transparencë, qeveri e paligjshme, mosheqje dorë nga kërkesat, moskthim prapa në rrugën e nisur, përkrahje pa kufi e miqve tanë e të tjera mbroçkulla kësisoj, pa prurë as edhe një fakt të vetëm pro opozitës, kundër pozitës.
është e qartë: qoftë zonja Kodheli, qoftë shefi i saj, qoftë të tjerët që do të mbroçkullisin sot, nesër, pasnesër..., janë të ndërgjegjshëm se atë kosh krize të imagjinuar, e kanë hedhur në treg për konsum të brendshëm, të ngopin barkun bosh të militantëve që po u firojnë dita-ditës. Por kulmin e papërgjegjshmërisë, Kryetari i PS-së e manifestoi ndaj një radioje me reputacion të padiskutueshëm ndërkombëtar, siç është VOA. Sipas Ramës, pyetja nëse do të kandidojë ose jo për Bashkinë Kryeqytetit, qenkësh pyetje që u bëkësh në kafenetë e Tiranës! Pra, VOA dhe kafenetë e Tiranës qenkëshin e njëjta gjë.
Ku e çon mushka këtë njeri që di vetëm të fyejë, kur i kërkohet të shpalosë të vërtetat e planeve të tij politike? Që flet e flet e nuk thotë asgjë, kur duhet të shpalosë një program politik si kryetar i partisë më të madhe opozitare? Që politikën e ka ndrydhur në kuti, kur çdo kutie i pati vënë roje besnike për ta kontrolluar? Ku e çon mushka këtë kinse lider që është gati të na ndrydhë të gjithë në kuti, të na e mohojë të drejtën e lëvizjes së lirë, kur bota po na e ofron? Që kërkon ta rrethojë edhe një herë Shqipërinë me tela me gjemba, kur bota po heq kufijtë?
Dy ditë përpara, domethënë të dielën, ditën e martesave, u bë një dasmë e përmasave kombëtare: Nusja, tiranase. Dhëndri, prej Prishtine. Jo se s’kemi parë a s’kemi dëgjuar më herët për dasma të tilla me flamurin, me qeleshet, me këngët, dhe me vallet që na bashkojnë. E veçanta e dasmës në fjalë ishte që dasmorët këtë herë lëvizën pa kufizim numri, lëvizën rehatshëm si askurrë, lëvizën me mikrobusë në rrugën që lidh dy pjesët e Kombit tonë, si ata që erdhën të marrin nusen, ashtu edhe ata që e përcollën, sipas zakonit, deri në Prishtinë.
Ja, pra, ku e ka burimin kriza e Edi Ramës. Ai lutet për krizë, sepse nuk ka krizë në gjithë hapësirë kombëtare. Ai gjallon me atë lloj krize që mbillet në Beograd, që kultivohet në Mitrovicë, që përpunohet në makinën propagandistike të sofistikuar të asaj që shtypi e ka emërtuar Selia Rozë dhe që hidhet më në fund falas në tregun tonë.