E Shtunë, 31 Tetor 2026

Refleksionet e dyfishta

Refleksionet e dyfishta janë një patologji e habitshme e gjykimit klinik të përkufizuar si skico-ideologji, çka është diçka më e fuqishme dhe padeshifrueshme sesa keqbesimi i thjeshtë. Mendimi dhe qëndrimi i dyfishtë është një mekanizëm i çuditshëm mendor (është një deficit (emplegji) intelektual, sipas përkufizimit të shkrimtarit spanjoll Jorge Semprun), që bën të mundur mbajtjen në të njëjtën kohë të dy tezave të kundërta pa u ndjerë kurrë në kundërshtim, duke shijuar kështu inkoherencën ose mos pasjen e brejtjes së hipokrizisë. Mendimi i dyfishtë është mendimi i lirshëm që nuk ndjen dhimbjen e kontrastit, të fyerjes të drejt peshimit logjik të fakteve. Një ditë është kështu, ditën tjetër ashtu në kundërthënie. Kaq dhe Mjaft.
Meqë duhet një shembull për t’u kuptuar më qartë po marr as më pak e as më shumë liderin e Partisë Socialiste. Edi Rama është protagonisti kryesor politik në vend, që duke radikalizuar situatën mes dy partive kryesore dhe polarizuar kampet politike, të ngjashme me ato të dekadave të mëparshme prandaj është i përshtatshëm për operacionin “kështu është e vërteta”. Duke e ekzekutuar përfundimisht filozofinë e Politikës së Re, Rama po ndjek rrugën e kundërshtarëve të tij, që aq shumë e pati mallkuar gjatë ngjitjes në krye të PS. Fondi i thënieve dhe kundërthënieve të Ramës në kohë, role dhe funksione të ndryshme publike është kaq i madh sa gjatësia proverbiale e tij. Gjithsesi po citoj në mirëbesimin të memories kundërthëniet e ideve politike. Së pari pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 2005 nga ana e Fatos Nanos, Edi Rama shkroi dy faqe gazetë tek “ZP” duke deklaruar se kryetari i partisë që humb zgjedhjet jep dorëheqjen. Mjerisht për të, e shkroi edhe ne Statutin e Partisë (neni 28. Mandati i Kryetarit të Partisë është 4 vjet. Mandati i tij ndërpritet para kohe kur: a) jep dorëheqjen; b) partia humbet në zgjedhjet e përgjithshme legjislative); pa parashikuar se do t’i kthehej një bumerang. Sepse Edi Rama pati fatkeqësinë që humbi zgjedhjet, edhe pse dorëheqjen nuk e dha. Bile standardet e dyfishta u shfaqen tek tha se “po ika, s’kanë më të mirë”.
Premtoi politikë të re dhe prodhoi të kundërtën me riciklimin në politikën e lartë opozitare të fosileve të komunizmit si Gramoz Ruci, Namik Dokle apo/dhe Valentina Leskaj, etj. Në refleksionet e famshme të 1992 shkruante kundër komunizmit, por pasi erdhi në kryet të Partisë Socialiste, në mënyrë të habitshme bën apoteozë ideologjike në Pezë, si çdo vit më 16 shtator. Nga antikomunist shovinist, nga njeri që e quajti PS-së parti ilegale tek kryetari i kësaj partie. Kjo në gjuhën e politikës amerikane quhet flip-flop. Dhe bile flip-flop kur ndryshon një apo disa ide kryesore të mendimit politik dhe jo tërë idetë 100%. Ky është një nga treguesit se kush është Rama. Në kongres, hedh idenë e një partie liberale të majtë dhe të moderuar, në të njëjtën kohë kryen veprime anarkiste.
Ai deklaroi se nuk ishte politikan por qytetar i thjeshtë, sepse në fakt nuk donte të përzihej me dështimin e politikanëve, ka një arsye që ai nuk dëshironte ta quante veten politikan, sepse si i tillë kjo fjalë mbart me veten edhe pasojën e dështimin,çka ai nuk e duron dot. Por më 15 janar 2008, Edi Rama bëri deklaratën e çuditshme: “Unë nuk jam politikan”, medemek si Ronald Regan, deklaratë të cilën “Zëri i Popullit” të nesërmen, më 16 janar 2008, e kishte vënë në krye të faqes së parë. Kamuflazh patetik i populizmit makiavelist.
Si të mos njihej rebelizmi i tij dhe dalja jashtë disiplinës tradicionale partiake, kur një ditë ai u thirr në krye të njërës prej dy partive më të mëdha të vendit dhe e ktheu partinë më të madhe opozitare në shtojcë të mendimeve dhe qëndrimeve të veta, duke eliminuar çdo mendim ndryshe. Përgjatë grevës së urisë pati thënë se nuk dalim gjallë nga çadra e lirisë pa u hapur kutitë, kur pas dy ditësh kërkoi një darkë në Strasburg. Po ashtu në fillim pati refuzuar Komisionin e Venecias dhe më pas tha se ishte gati të shkonte në Venecia. Po sjell këtu disa pasazhe me standard të dyfishtë: Edi Rama i parë: “Këshilli i Evropës mund ta pyesë Komisionin e Venecias, nëse do të sqarojë më mirë këndvështrimin e vet. Ne nuk kemi nevojë as ta pyesim Komisionin e Venecias dhe as presim nga Komisioni i Venecias të na e zgjidhë ne problemin”. Ja edhe Rama mbas pak kohësh, ku opinioni interpretativ i Komisioni Venecias njëherë nuk pranohet dhe herën tjetër kërkohet si skaf shpëtimi: “Jemi gati për zgjidhje transparente përmes një hetimi që fillon me hapjen e kutive të të gjithë dokumentacionit zgjedhor, ndërsa hapjen e kutive të votimit t’ia lëmë një pale të tretë siç është Komisioni i Venecias”. Edi Rama edhe miqësinë e ka hipokrite, sepse mjafton këtu të sjellësh intervistën në dhjetor 2004 (Blendi Fevziu...Jeta ime” f.q. 161) ku gjejmë një fokusim total të asaj çka mendonte Rama për Spartak Ngjelën: ““Spartak Ngjela është një figurë tjetër, ai është libertar dhe libertin, nëse do t’i bënim një karakterizim, është një person, i cili ka një elokuencë të admirueshme, por që, sa më shumë kalon koha dhe sa më shumë e njeh, aq më shumë kupton se ka një kulturë shumë të kufizuar, ka një kulturë të përmbledhur..”. Siç mund të kuptoni në këtë intervistë, Edi Rama po përkufizon Ngjelën si një demagog që flet pa menduar sepse nuk ka lexuar”. Mirëpo veç të lexosh më poshtë kur Edi Rama cilëson me etiketime Ngjelën: “Spartaku është plotësisht eklektik, i papritur, i këndshëm, suprizues, qesharak, sharlatan...i cili aranzhon shumë mirë, pasi është një person, i cili nuk është as i moralshëm, as imoral, por është amoral”. Më e bukura është se Edi Rama në dhjetor të vitin 2004 e konsideronte Spartak Ngjelën një njeri amoral, që është imoral dhe çka është me e keqja nuk ka moral. Kurse sot ai është këshilltari më i mirë i tij.
Sidoqoftë paradoksi është më i thellë se ky! Kjo ngjarje duket se ka qenë shkruar nën format që ne njohim më mirë, në Ungjijtë e Politikës së re. Apoteoza e refleksioneve të dyfishta është përthyerja e mendimeve sinusoidale ndaj komoditetit ideologjik, është natyra e ndarë e arsyetimit që ndjen të patolerueshme fyerjen e logjikës koherente. Edi Rama është padyshim elokuent në të folur, demagog par-excelence, “harbut në intervista” kur ia kërkon momenti si në rastin e intervistës tek “Zëri i Amerikës”, gënjeshtar i paskrupullt, arrogant me bashkëbiseduesit që nuk bien dakord me të, nuk pranon marrjen e përgjegjësisë vetjake në rast dështimi por ia faturon atë të tjerëve.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›