Petroviç: Ndarja e Kosovës, opsion i dëmshëm
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Slobodan Petroviç është kundër ndarjes së Veriut. Ai thotë se vendosjen e rendit dhe ligjit në Veri e mbështet tërë bashkësia ndërkombëtare. Lideri i SLS-së ka thënë se mungesa e ligjit u konvenon vetëm përfituesve nga kontrabanda
Kryetari i partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, Slobodan Petrovic, sërish është shprehur kundër ndarjes së Veriut, duke e quajtur këtë opsion të dëmshëm.
Ai thotë se perspektiva e vetme është integrimi evropian i Serbisë dhe Kosovës.
Petrovic, i cili është Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, ka deklaruar se “vendosjen e sundimit të ligjit në Veri e mbështet e tërë bashkësia ndërkombëtare”. I pyetur se është në gjendje Qeveria e Kosovës të shtrijë pushtetin e saj edhe në Veri, Petrovic është përgjigjur: “Nuk ka asnjë vend në botë ku nuk respektohen ligji dhe rendi. Në interesin e çdo qytetari është që të ketë një jetë të sigurt. Kur nuk respektohet ligji, kjo paraqet problem për të gjithë. Vendosja e rendit dhe ligjit më së shumti u pengon atyre, të cilët merren me aktivitete të paligjshme dhe kanë përfitime të mëdha financiare nga një situatë e padefinuar”, ka thënë ai, në një intervistë për Radio Deutsche Welle në gjuhën shqipe. Ai ka falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar në qetësimin e gjendjes, në veçanti falënderon qytetarët, duke shtuar se në pjesë të tjera të Kosovës nuk pati probleme. Por Petrovic ka fjalë të mira edhe për Qeverinë e Kosovës për qetësimin e situatës në Veri. Ai thotë se edhe partia e tij ka dhënë kontribut në këtë drejtim. “Kjo flet edhe për rolin e përgjegjshëm të institucioneve të Kosovës, në radhë të parë përfaqësuesve të bashkësisë etnike serbe në institucionet e Kosovës. Roli i Partisë sonë liberale reflektohet në të gjitha aktivitetet, që sjellin zgjidhje kompromisi dhe zgjidhje paqësore, ku qytetarët janë fituesit më të mëdhenj. Ne mbështesim të gjitha përpjekjet për zgjidhjen e problemeve me marrëveshje”. Ndërkaq, i pyetur për rolin e Beogradit në zhvillimet e fundit në Kosovë, ai ka thënë se roli i Beogradit në këtë rast ka qenë i rëndësishëm dhe pret që Beogradi të luajë një rol konstruktiv. “Shpresoj se do të arrihet zgjidhje përfundimtare, ku të respektohen rendi dhe ligji dhe e cila do të ishte në interesin e të gjithë qytetarëve në Kosovë”. Petrovic ka komentuar deklaratat e shpeshta të zyrtarëve të Beogradit për mundësinë e ndarjes së territorit të Kosovës. Petrovic thotë se këta njerëz nuk kanë ide dhe në këtë mënyrë zhvendoset vëmendja nga temat e rëndësishme. “Deklaratat për ndarjen edhe më shumë destabilizojnë gjendjen. Në mungesë të ideve progresive për përmirësimin e gjendjes për të gjithë qytetarët dhe integrime më të shpjeta në Bashkimin Evropian, disa politikanë kanë dhënë deklarata të këtilla dhe e kanë zhvendosur vëmendjen nga temat më të rëndësishme. Sfida më e madhe e Kosovës dhe rajonit është përmirësimi i kushteve ekonomike dhe integrimi evropian e euroatlantik. Ky është edhe prioriteti i Qeverisë së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë ai. Lideri i Partisë Liberale të Pavarur (SLS) ka folur edhe rreth mundësisë së njohjes së Kosovës nga ana e Serbisë, si kusht për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Petrovic ka theksuar se nga Brukseli është thënë shpesh se njohja e Kosovës nuk është kusht për integrim në BE. “Por kusht është vendosja e raporteve më të mira të mundshme. Qytetarët e Kosovës dhe rajonit janë të ngopur me konfrontime dhe raporte të tendosura. Ajo që plotësisht është e sigurt, është se rruga drejt integrimeve evropiane është shumë më e shpejtë dhe efikase, nëse shkojmë së bashku në këtë rrugë”, është shprehur ai. Sipas tij, ky është obligimi i të gjitha qeverive dhe institucioneve në rajon. “Ne në të kaluarën kemi humbur tepër kohë dhe tani kemi nevojë për rezultate të jashtëzakonshme për të kompensuar këtë kohë. Vetëm me këtë rrugë mund të pritet një ardhmëri më e mirë dhe e sigurt e qytetarëve tanë në këto hapësira”, ka thënë Petrovic.
Koment- Server: Ndarja e Kosovës prek Ballkanin/Analisti i njohur i çështjeve ballkanase, Daniel Server ka deklaruar se propozimet për ndarjen e Kosovës mund të shkaktojnë tensione në Maqedoni, Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë. Në një intervistë për një të përditshme maqedonase, Server është shprehur se shqiptarët e Maqedonisë nuk duhet ta keqpërdorin këtë situatë. “Roli i duhur i liderëve shqiptarë në Maqedoni do të ishte të përpiqeshin për të siguruar që forcat politike panshqiptare të mos e përdorin këtë situatë, por kjo nuk do të jetë e lehtë”, ka deklaruar Server. Sipas tij, shqiptarët e Maqedonisë duhet të fokusohen tek zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, e cila ka rritur influencën e tyre dhe ka konsoliduar shtetin e Maqedonisë. “Një gjë është e sigurt, shqiptarët e Maqedonisë kanë sot në Shkup një rol shumë më të fuqishëm nga ai që do të kishin në një Shqipëri të madhe”, ka nënvizuar Server.