E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza e autoritetit dhe legjitimitetit dhe lëvizja politike

A ndodhet Shqipëria në një krizë politike? Çfarë fshihet pas termit dhe deklaratës për ekzistencë të një "krize politike" në vend? Çfarë është kriza e autoritetit dhe legjitimitetit? Si mund të kapërcehet kjo situatë politike?


Cilat janë lëvizjet politike (protestat politike) dhe elementet kryesore të tyre? Ky shkrim përpiqet t'u japë përgjigje këtyre pyetjeve, që shumëkush mund t'i ngrejë në ambiente politike, pune, shoqërore, apo familjare.


Së pari, një situatë mund të konsiderohet si "krizë politike" atëherë kur kemi një shkatërrim fondamental të ekuilibrave të strukturës shoqërore dhe politike, pra një udhë pa krye. Kriza politike merr formën e kompletuar atëherë, kur nuk ka asnjë grup tjetër shoqëror dhe politik që të vendosi në funksionim një struktur të re social dhe politik.


Nëse do të ndiqnim teorinë e sistemit, atëherë do të theksonim që një situate shndërrohet në krizë politike, atëherë kur sistemi politik nuk arrin të prodhojë të mira dhe përfitime për shoqërinë të cilës ky system i shërben.


Kjo situate do të karakterizohej nga një rritje shumë e madhe e kërkesës dhe mosaprovimit nga shoqëria dhe do të rezultonte në ndryshimin e elementëve dhe mekanizmave drejtues të sistemit, madje edhe ndryshim e vetë sistemit. Periudha midis këtij ndryshimi përbën atë që mund të etiketohet si krizë politike.


Mund të them me bindje dhe argumente, se situata në të cilën ndodhet politika Shqiptare nuk mund të konsiderohet aspak si "krizë politike" por një situatë që ka promovuar një "krizë autoriteti" dhe "legjitimiteti" të forcave që drejtojnë sistemin politik.

Të pretendosh se bojkoti parlamentar shkakton krizë politike, do të thotë që në mënyrë tinzare të gënjesh opinionin publik me vetëdije, ose të mos kesh njohuri të funksionimit të një sistemi demokratik. Bojkoti parlamentar nuk është krizë politike por mënyra më demokratike për të sfiduar autoritetin dhe legjitimitetin e një qeverie.


Kriza e autoriteti ka të bëjë me pamundësinë e një procesi elektoral për të mandatuar një forcë politike për të qeverisur ose kur mandatet e përfituara nga kjo forc konsiderohen të manipuluara.


Kriza e legjitimitetit vjen atëher kur mbështetja legjitime për autoritetin e një force të caktuar sfidohet nga struktura brenda sistemit politik ashtu edhe atij shoqëror, dhe autoriteti politik dështon të marrë legjitimitet nga populli.


Një forcë gëzon autoritet dhe legjitimitet atëherë, kur pushteti që kjo forcë posedon, është përfituar mbi baza morale dhe ligjore. Të paturit e pushtetit nuk të dhuron të drejtën për të patur autoritet dhe legjitimitet në ushtrimin e atij pushteti.


Por të mendosh se pasja e pushtetit sjell autoritet, legjitimitet, dhe të drejtën për të sunduar mbi një popull, kjo mund të konsiderohet. shumë monstruoze dhe Makiaveliane, sidomos kur kujton diktator si Hitleri, Stalini, dhe Hoxha.

Gjithashtu, kjo krizë autoriteti dhe legjitimiteti që ka mbërthyer qeverinë Shqiptare, përbën një problem për sistemin politik, pasi vetë sistemi posedon mekanizma për ta zgjidhur këtë problem.


Analistët politikë të medias duhet ta kuptojnë mirë se kjo nuk është krizë politike por krizë e mirfillt. Autoriteti dhe legjitimiteti e qeverisë së Tiranës, dhe barra për të vërtetuar të kundërtën (burden of proof) i takon qeverisë.


Shpëtimi i autoritetit dhe i legjitimitetit të kësaj qeverie qëndron brënda atyre kutive të votimit. Hapja e tyre do të zgjidhte këtë problem politik dhe hamëndësitë rreth tij. Përse nuk hapen kutitë e votimit?!


Nëse kjo krizë autoriteti dhe legjitimiteti nuk zgjidhet dhe me kalimin e kohës problemet e dala prej saj akumulohen, ather kjo krizë mund të kthehet në krizë politike.


Por çfarë shkakton kjo mungesë autoriteti, legjitimiteti dhe moszgjidhja e këtij problem nga vetë sistemi politik? Pikë së pari, kjo situatë i ofron opozitës politike një oportunitet politik për të filluar një lëvizje politike mbarëpopullore.


Një lëvizje politike konsiderohet një sfidë kolektive nga grupime shoqërore apo politike më të njëjtin qëllim dhe solidaritet në një bashkveprim të vazhdueshëm më elitat, pushtetin, dhe oponentët.


Ajo çfarë i duhet një lëvizjeje politike të qëndrueshme është oportuniteti politik, ideologjia, repertori i verpimeve me simbolet, organizimi, dhe një figurë drejtuese karizmatike dhe kurajoze.


Së pari, oportuniteti politik po i jepet kësaj lëvizjeje nga vetë forcat në pushtet për shkak të mospasjes së vullnetit nga qeveria për të zgjidhur problemin e autoritetit dhe legjitimitetit të pushtetit të saj, përmes numërimit të fletëve të votimit në kutitë e kontenstuara.


Moshapja e kutive të votimit është një motiv për grupimet shoqërore të besojnë se diçka fshihet në ato kuti.


Ky oportunitet politik duhet të bashkojë palët në veprime kolektive, të vazhdueshme nga ku të gjenerojnë oportunitete të tjera. Kjo gjë kërkon një komunikim dhe planizim perfekt midis grupimeve të ndryshme që marrin pjesë në lëvizje.


Në këtë fazë duhet të qartësohet repertori i veprimeve që duhen ndërmarrë (tërësia e mjeteve dhe mënyrave të përdorura për të avancuar një pretendim politik apo shoqëror), simbolet dhe ideologjia e lëvizjes, dhe një strukturë e mirëdetajuar që lidh qëndrën me bazën dhe që siguron bashkëveprimin midis tyre.

Në vazhdim, ideologjia e kësaj lëvizje politike është ajo tërësi idesh që udhëhiqet nga parimi i drejtësisë dhe i të drejtës sociale.


Për më shumë, organizimi i një lëvizjeje politike është ajo pjesë e rëndësishme që i jep fuqi dhe qëndrueshmëri kësaj lëvizjeje politike. Organizimi inkludon tre elemente bazë: (1) organizimi formal - organizim që identifikon qëllimet me preferencat e një lëvizjeje dhe që tenton t'i implementojë ato qëllime, (2) organizimi i veprimeve të përbashkëta - forma organizative me të cilën bën të mundur përballjen me kundërshtarin politik, dhe (3) mobilizimin e strukturave - mobilizim që lidh liderët me nivelet dhe grupimet e tjera të lëvizjes dhe që krijojnë koordinim sa më efikas të hallkave dhe vazhdimësi të lëvizjes politike.


Në përfundim, përsëris se situata politike në Shqipëri kurrsesi nuk mund të konsiderohet si krizë politike, pasi ajo është një situatë që mund të menaxhohet nga vetë sistemi politik. Kjo situatë është shprehja më e dukshme e krizës së autoritetit dhe legjitimitetit, që ka pllakosur qeverinë pas bojkotit që opozita po i bën Kuvendit dhe pretendimeve të saj për autoritet dhe legjitimitet të munguar të institucioneve politike.


Qeveria duhet të provojë të kundërtën përmes hapjes së kutive të votimit. Përndryshe, kjo gjë do të shërbejë si një oportunitet politik për të nisur një lëvizje politike që mund të konkludojë ose me rënien e qeverisë ose me krijimin e një krize politike. Kjo lëvizje politike ka gjithçka që i nevojitet, inkluduar këtu edhe një udhëheqës karizmatik dhe kurajoz si E.Rama.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›