E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Gozhdët" e Enciklopedisë

Një fjalë e urtë popullore në Mokër thotë: "Gozhdën mund ta shkulësh, por vrimat e hapura ngelen". Është fjala e duhur ndoshta për atë që ka ndodhur këto ditë me të shumëpërfolurën Enciklopedi Maqedonase.


U shpall "tërheqja e saj nga qarkullimi" por Enciklopedia ndodhet tashmë në bibliotekat shtëpiake të maqedonasve, pasi kopjet e nxjerra në treg gjatë kohës së debatit që e shoqëroi këtë botim, u shitën me shpejtësi marramendëse.


Nëse do të tërhiqet apo do të korrigjohet Enciklopedia, ka pak rëndësi përballë faktit që botimi i rizgjoi mllefet e fshehura. Situata ndëretnike brenda Maqedonisë mori plagë të reja e të freskëta, nga ato që zor se mund të riparohen shpejt.


Jo më kot biseda që dëgjon më shpesh sot në ambjentet maqedonase është tema e ndryshimit demografik në favor të shqiptarëve në Maqedoni. Shqetësimi që nuk fshihet dot është se "po vërtetohet teza e e ish - kryetarit të Akademisë Maqedonase George Efremov, sipas të cilit ndryshimi i vazhdueshëm demografik në favor të shqiptarëve do sjellë gllabërimin e maqedonasve prej tyre".


Shqiptarët pyesin: Pse? Pse duhej kjo trandje e re? Dhe pse pikërisht kur në gjysma-shtetin e brishtë ballkanik, treni i Europës kishte paralajmëruar një ndalesë të rëndësishme? Shkupi pret të marrë një datë për bisedime në raportin e nëntorit, dhe është në prag të liberalizimit të vizave në janar të 2010-s.


Kjo që ndodhi i ka vënë politikanët, deputetët dhe pushtetarët shqiptarë në Maqedoni në një situatë serioze. "Enciklopedia", por mbi të gjitha, fryma që ajo përcolli, u ka mbetur atyre si një patate e nxehtë në dorë. Atmosferës së rënduar i shtohen edhe telashet egzistuese: kriza ekonomike dhe një proces politik i rëndësishëm i mbetur pezull: Marrëveshja e Ohrit.


A ka një prapavijë politike kjo Enciklopedi? Apo është - ashtu si z.Gruevski këmbëngul - një punë rastësore e Akademisë së Maqedonisë, dhe e një farë akademiku me emrin Ristovski? Vetëm një mendje naive, muna ta besojë këtë.


Pas pseudo - akademikëve dhe pseudo-historianëve që nuk i kanë munguar kurrë Ballkanit, qëndron qeveria aktuale e Gruevskit, e cila qysh në fillimet e saj, pas ardhjes në pushtet, krijoi një atmosferë injoruese për shqiptarët e Maqedonisë.


Një i njohuri im, maqedonas më tha: "E lexova Enciklopedinë dhe e di? Më erdhi në mëndje konflikti i armatosur i 2001-shit. Mu duk si një lloj ndjenje hakmarrjeje naive për atë frustim që pësuam nga shqiptarët atëkohë..".


Është e qartë çfarë ndjesish përcjell ky libër tek maqedonasit. Bazuar këtu, botimi i tij dhe loja me "tërheqjen" pas-shitjes, shpresohet të përkthehet në vota për Gruevskin, që me këtë manovër të (sh)përdorjes së problemeve etnike në funksion të pushtetit politik, ka bërë një lojë sa populiste dhe dinake, aq edhe të rrezikshme.


Përballë kësaj, përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Maqedoni, qofshin në pozitë apo në opozitë duhet të kenë një qëndrim të përbashkët. Tashmë, shqiptarët e Maqedonisë e kanë projektin e tyre historik, Marrëveshjen e Ohrit. Ata duhet ta jetësojnë këtë marrëveshje.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›