E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimi i energjisë, çeket e OSSH përplasen me Entin Rregullator

TIRANE - Sapo është dërguar kërkesa për rritjen e çmimit të energjisë elektrike nga kompania që tashmë ka blerë OSSH, vjen edhe përplasja e parë mes çekëve dhe Entit Rregullator të Energjisë. Fjala është për humbjet, që sipas OSSH-së janë më shumë se sa janë deklaruar në raportin e 2008-ës. Argumenti është kundërshtuar nga kreu i ERE-s, Nepravishta. Ky pretendim i 'Cez'-it lidhet ngushtë me çmimin e ri të energjisë që ata kanë kërkuar për vitin 2010.

Bujar Nepravishta sqaron se: "Në rast se do pranohej niveli 32.7 %, atëherë në vitin 2014-en humbjet do ishin 15.7 % si detyrim i Cez. Kurse tani nëse humbjet merren 35.7 %, ato do jenë 18 % në 2014-en".

Kompania çeke pretendon se treguesit e OSSH-së në vitin 2008 kanë qenë të manipuluara, sidomos në pjesën e humbjeve, që sipas 'Cez'-it çek janë ulur artificialisht nga drejtuesit e mëparshëm të OSSH-së. "Sistemi i faturimit nuk është i besueshem, OSSH ka faturuar 61 milione kv/ore me shume se sa ka arkëtuar", u shpreh përfaqësuesi i firmës, Jakob Minarik. Ai pohon se një nga problemet kryesore të vërejtura është abuzimi me faturimin e energjisë elektrike.

Por Enti Rregullator do të japë përgjigjen përfundimtare pas një jave në se do të pranojë ose jo këtë nivel humbjesh që paraqet operatori privat. Burime pranë këtij institucioni pohojnë se shifra prej 35.7% duket e ekzagjeruar. ERE është e prirur të besojë raportin e punonjësve shtetërore të OSSH, bërë në fillim të vitit 2009-ës se humbjet janë në shifrën e 32.7 për qind.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›