E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza e bankave 200 mld euro per rikapitalizimin

Bankat europiane do të duhet të mbledhin 200 miliardë euro për të qënë të sigurta nga skenari më i keq i një rrëzimi domino për shkak të krizës së borxheve në eurozonë. Me druajtjen se kriza e borxheve mund të përfshijë sistemin bankar, liderët e Bashkimit Europian hodhën idenë e rikapitalizimit të bankave, të cilat do të duhet të rrisin fondet e tyre rezervë. Kjo masë pritet të jetë edhe një pikë e rëndësishme e strategjisë përfundimtare të daljes nga kriza që do të paraqitet në samitin e BE-së në 23 tetor.

"Ndërsa kriza ngushtohet mbi kokat tona, nuk shoh mundësi tjetër përvecse të veprojmë menjëherë. Kështu, fakti që ne po konsiderojmë ndryshime ambicioze për të ardhmen, nuk duhet të jetë një shfajësim për të mos zbatuar vendimet tona tani. Kjo është arsyeja përse kemi nevojë të veprojmë së bashku, në mënyrë të unifikuar dhe koherente. Kriza nuk është e përvecme, ndaj dhe përgjigja ndaj saj nuk duhet të jetë e tillë”, tha presidenti i Komisionit të BE-së, Hoze Manuel Barroso.

Në përgjigje të këtyre lëvizjeve, Autoriteti Europian i Bankave propozoi mbledhjen e fondit që në total kap shifrën 200 miliardë euro, e që do ti ndihmojë bankat të mbrohen nga tronditjet e mundshme të radhës në tregjet financiare. Analistët ekonomikë thonë se sistemi bankar aktualisht do ta ketë të vështirë të mbledhë një fond të tillë. Sipas tyre, do të jenë qeveritë që do t’u duhet të derdhin para për bankat, në më shumë se një rast. 

Propozimi i Autoritetit Europian kërkon që bankat të rrisin kapitalin e tyre rezervë nga 9 deri në 10 për qind të të gjitha aseteve të tyre, pasi të llogarisin edhe reduktimin e vlerës së huave të dhëna për Greqinë, republikën e Irlandës, Portugalinë, Spanjën dhe Italinë.

Juli Prifti

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›