E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kriza e hidrokarbureve, Sri Lanka bllokon pikat e karburanteve: Jo naftë për mjetet private

Në Sri Lanka autoritetet kanë vendosur që automjeteve private të mos u shitet karburant, pasi vendi po përballet me një krizë të rëndë ekonomike. Autoritetet kanë pezulluar shitjen e karburantit për mjetet të konsideruara jo thelbësore ndërsa vendi po përballet me krizën më të rëndë ekonomike të dekadave të fundit. Qeveria tha se  automjeteve private nuk do t’u lejohej të blinin naftë dhe benzinë deri në datën 10 korrik. 

Për dy javët e ardhshme, vetëm autobusët, trenat dhe automjetet që përdoren për shërbime mjekësore dhe transportin e ushqimeve do të lejohen të mbushen më karburant. Shkollat në zonat urbane janë mbyllur dhe zyrtarët i kanë kërkuar 22 milionë qytetarëve të vendit të punojnë nga shtëpitë.

Kombi i vogël në Azinë jugore është në bisedime për marrëveshje për të dalë nga kriza ndërsa po përpiqet të paguajë për importet e produkteve si karburantet dhe ushqimet.

Zyrtarët e vendit gjithashtu kanë shkuar tek prodhuesit e mëdhenj të produkteve të energjisë si Rusia dhe Katari në përpjekje për të siguruar furnizime me naftë me çmime të lira. Ekonomia e Sri Lankës është goditur rëndë nga pandemia, çmimet e rritura të energjisë dhe reduktimi i taksave. Mungesa  e sasisë së mjaftueshme të valutës për të paguar importet e mallrave thelbësore, mungesa akute e ushqimeve, karburanteve dhe ilaçeve, ka bërë që kostoja e jetesës të jetë në nivele rekord.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›