E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza e zhvillimit të ekonomive të vogla në kohën e krizës financiare

Si mund të financohet zhvillim i vendeve të varfra. Për të gjetur përgjigje për këtë pyetje mbahet në Doha një konferencë e Kombeve të Bashkuara. Pothuaj çdo ditë njoftojmë për krizën globale financiare, për humbjet gjigante dhe paketat e shpëtimit edhe më të mëdha. Edhe në Doha në Emiratin e Katarit duke filluar nga dita e shtunë do të diskutohet mbi çështje financiare. Atje nuk do të flitet megjithatë për bankat e goditura nga kriza por për vendet në zhvillim. "Financim për zhvillimin" është titulli i konferencës, në të cilën marrin pjesë përfaqësues të të gjitha vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara. Që konferenca në Doha do të zhvillohej në mes të një krize globale financiare dhe ekonomike, nuk mund ta parashikonte askush një vit më parë kur u vendos data e mbajtjes së saj. Për këtë arsye disa kërkojnë që konferenca të anulohet me argumentin: kush mund të merret seriozisht me pyetjen se si mund të financohet zhvillimi në rajonet e varfra të botës, kur në vendet e pasura sistemet financiare rrezikohen nga rrënimi? Ministrja gjermane për zhvillimin Hajdemari Viçorek-Cojl është përkundrazi e gëzuar që konferenca megjithatë do të mbahet. Përballë paketave gjigande të shpëtimit prej qindra miliardë dollarësh që u hartuan në Gjermani, SHBA dhe gjetkë për shpëtimin e sektorit bankar, është një moment i mirë, që bashkësia ndërkombëtare të kujtohet për detyra të tjera mëdha, u shpreh ministrja: "Çdo qeverie e cila ka shpëtuar me shuma miliardëshe sistemin përkatës bankar, i duhet thënë vazhdimisht: nëse janë në dispozicion mjete për shpëtimin e bankave, atëherë është e mundur të mobilizohen fonde edhe për shpëtimin e botës nga uria, varfëria, papunësia dhe ndryshimi i klimës". Megjithatë mbetet frika që ky apel do të mbetet pa fryte. Disa ekspertë i shohin vendet në zhvillim veçanërisht të prekur nga kriza financiare. Bankat janë tejet të rezervuara në dhënien e kredive, firmat i shtyjnë për më vonë investimet, tërheqin paratë dhe si rregull evitojnë gjithçka që mund të jetë me rrezik. Konferenca e parë për financimin e zhvillimit u zhvillua rreth gjashtë vjet më parë në qytetin meksikan Monterrey. Në Doha tani do të diskutohet tani pyetja se çfarë duhet mbetet për t'u bërë nëse kërkohet të ruhet një shans i vetëm për arritjen e objektivave të mijëvjeçarit. Luftimi i varfërisë, më shumë arsim, përkujdesje më e mirë mjekësore, zhvillim i qëndrueshëm - lista është e gjatë por një pyetje mbetet: si mund të financohen ato? Mbi shumën e ndihmës klasike për zhvillim, pra paratë që vendet e pasura u paguajnë vendeve të varfra, polemizohet edhe në Doha. Por kjo është vetëm një nga pikat e rendit të ditës, thotë Jens Martens. Ai drejton Zyrën Evropiane të Forumit për Politika Globale, një organizatë joqeveritare, e cila analizon atë çfarë ndodh brenda Kombeve të Bashkuara: "Ne diskutojmë kryesisht vetëm për ndihmën zyrtare për zhvillim, që shkon në jug. Këto janë rreth 100 miliardë euro në vit. Por përballë kësaj shume qëndron një shumëfish i saj, vlerësohet rreth 700 deri 900 miliardë dollarë amerikanë që nga vendet e jugut çdo vit përmes evazionit të kapitalit shkojnë në llogari bankare në oazet fiskale si Lihtenshtajni, Zvicra apo ishujt Kajman. Nuk është fare e vërtetë që vendet e jugut mbyten me para. Përkundrazi, paratë dalin nga këto vende". Jo vetëm elitat e korruptuara në vendet në zhvillim kontribuojnë në daljen e flukseve të kapitalit. Edhe koncernet nga vendet e pasuraqë veprojnë ndërkombtarisht i shfrytëzojnë ato për të kursyer tatime dhe dogana. Për qeverinë gjermane luftimi i evazionit të kapitalit ka një rëndësi të veçantë, thotë ministrja Viçorek Cojl. Në temën ndërkombëtare të tregtisë ajo nuk pret rezultate konkrete, thjesht sepse bisedimet në organizatën e tregtisë botërore njëherë për njëherë ka dështuar. Raundi i papërfunduar i Dohës nga i cili pritet të përfitojnë veçanërisht vendet në zhvillim, filloi në vitin 2001 gjithashtu në Doha. Pesimistët këtë e shohin si sinjal negativ. Jens Martens, nuk bën pjesë në këtë grup njerëzish: "Në fund do të arrihet një marëveshje, kjo është dramaturgjia e proceseve të tilla negociuese në Kombet e Bashkuara. Qeveritë në Doha do të përpiqen ndoshta në shumë takime të mëpasshme, mbi çështjet kritike. Dhe në 2 dhjetor ndoshta në orët e vonëta të darkës do të dalë një dokument përmbyllës". ...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›