E Diel, 1 Nëntor 2026

Vullnet i kabinetit Berisha për të luftuar korrupsionin në administratë - dosje të reja mbërrijnë tek akuza

Që prej ardhjes në pushtet të mazhorancës së djathtë, institucioni i kryeministrit ka shprehur vullnetin për të qenë në ballë të përpjekjeve për zvoglimin e korrupsionit në administratën shtetërore, por edhe për përmirësimin e perceptimit për nivelin e korrupsionit në vend. Gjatë dy viteve të para, një sërë dosjesh iu përcollën institucionit të akuzës, ndërkohë që u mbështetën fuqimisht edhe auditimet dhe vendimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit për procedimin penal të një sërë funksionarëve të lartë. Arrestimi i një zv/ministri, por edhe i një rrjeti të gjerë korruptiv në Ministrinë e Transporteve regjistron edhe apogjeun e këtyre përpjekjeve. Megjithatë me nisjen e dhjetorit duket se do të regjistrohet edhe një stinë tjetër, ku sita e kryeministrisë do të veprojë fort tek një numër ende i panjohur i zyrtarëve të administratës. Burime nga Departamenti i Antikorrupsionit, por edhe nga Drejtoria e Auditimit konfirmuan mbrëmë për gazetën 55 se një numër i rëndësishëm dosjesh janë mbyllur dhe për ato ku janë konfirmuar shkeljet, vetë këto institucione do të kryenin rolin e investuesit për të çelur hetimet pranë institucionit të akuzës. Respektimi i traditës së një auditimi të pakompromis shkon në kohezion me premtimin qeveritar për luftën me tolerancë zero ndaj korrupsionit, premtim i artikuluar shumë herë nga kryeministri Sali Berisha. Ende nuk janë të qartë sektorët, të cilët janë subjekt të këtyre dosjeve, megjithatë duket se suksesi i nismës më të fundit të zyrave në Këshillin e Ministrave a Ministrinë e Financave do të varen në një shkallë të gjerë edhe nga predispozita e institucionit të akuzës, e cila këto kohë ka dëshirë të merret me hetimin e montazheve që kanë përfitim politik për të majtën, sesa të dosjeve të kopsitura, të cilat konfirmojnë premtimin elektoral të së djathtës, për të ulur shkallën e korrupsionit në vend....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›