Hetim ligjor apo amoralitet politik e profesional

Këto ditë prokurorja e përgjithshme Ina Rama ka faktuar në mënyrë të hapur e të dokumentuar se e shndërroi zyrën e saj ngjashmërisht në zyrën e Sudes famëkeqe të piramidave. Krahasimin me Suden nuk e bëjmë si reminishencë për lidhjen familjare të saj, që ia njeh i gjithë qyteti i Durrësit me Sude-piramidën, por për poshtërimin e njëjtë që Ina Rama po i bën opinionit publik dhe zyrës së saj njëkohësisht. Vendosmëria antiligjore e saj, me një zell politik ekstrem i ngjan pikërisht veprimtarisë së Sude-piramidës, që e vampiroi popullin. Kohë më parë, zonja Ina Rama paraqiti kërkesën për heqjen e imunitetit të ministrit Basha. Kërkesa përshkohej nga një verbëri, nga një amoralitet i pazakontë. Argumentet ligjore ishin foshnjarake dhe të panevojshme, sepse s’kishte asnjë pengesë që ajo t’i vazhdonte hetimet, edhe me imunitetin e Bashës. Mirëpo, çështja nuk ishte tek hetimi, çështja ishte tek impakti politik dhe prandaj i duhej heqja e imunitetit, në mënyrë që në jehonën opinioniste të konsiderohej e të shndërrohej si faj. Ajo hapi praktikisht një hetim-gjykim për një vendim kolektiv, që nuk është parë e dëgjuar të prodhonte flakëhedhëset e prokurorisë e të gjyqit, si konferenca shtypi të Edi Ramës. Një shtysë e fuqishme, e papërballueshme për Ina Ramën, do të ishte në themel të hapjes së çështjes së Rrugës Durrës-Prishtinë. Kjo rrugë është një akt historik për çështjen kombëtare shqiptare dhe bie ndesh me shumë synime të vjetra me frymëzim nga brenda e nga jashtë vendit. Por jo më të pakëta ishin interesat e botës së krimit, e cila i ishte bashkangjitur sulmit ndaj rrugës, duke e emblemizuar atë tek figura e zotit Basha. Ministri Basha, politikan i përgjegjshëm, intelektual me performancë përkushtimi ndaj misionit të tij, i hapi rrugë vetë heqjes së imunitetit, në mënyrë që i ashtuquajturi “hetim i Ina Ramës” dhe bandillëve pas saj, të mos çalonte e të mos pengohej.
Por Ina Rama dhe ata që janë pas saj, që e kuptojnë pushtetin si mundësi për të fshehur lidhjet me botën e krimit, u ngopën dhe u kënaqën me zhurmën politike të imunitetit, por u regjistrua vetëm një herë thirrja e zotit Basha e paraqitja e tij në prokurori, për ta ndihmuar hetimin, me përgjegjshmëri qytetare, por më pas nuk ndodhi asgjë, nuk u regjistrua asgjë, sepse s’kishte ç’të hetohej. Edhe në këtë situatë, prokurorja dhe prokuroria nuk guxoi të bënte një sqarim me zotin Basha, nuk guxoi të drejtonte një pyetje, nuk zhvilluan një seancë, megjithëse ministri Basha ishte i gatshëm. Pra këtu nuk kishim të bënim me interes hetimor, kishim të bënim me komitet partie, këtu nuk kishte respekt për ligjin nga ana e prokurorisë, por vetëm një prostituim politik, prandaj kur e bëjmë krahasimin në standardin e Sudes, nuk e kemi fjalën vetëm për dëmet që Sudja i shkaktoi popullit - edhe në Durrës, përmes punonjësve familjarë të kryeprokurores - por ashtu si Sudja, kryeprokurorja, me këtë lojë në kurriz të ligjit, në amoralitet të plotë me të vërtetën, mashtroi shqiptarët me titujt fals të hetimit të çështjes Basha.
Mirëpo ditët kalojnë dhe në rastin kur Gjykata e Tiranës, në përputhje me ligjin, me principialitet moral dhe ligjor ndaloi me vendim të qartë shtyrjen e afateve, zgjatjet e zvarritjet për çështjen e hetimit të rrugës, kryeprokurorja u zu ngushtë; doli në televizion dhe tha se i nënshtrohej vendimit të gjykatës, por do ta apelonte atë. Gjykata kishte qenë shumë e saktë, për t’i tërhequr vëmendjen asaj dhe ustallarëve të tjerë pas saj, se kishin hyrë në një rrugë pa krye, se po ushtronin një presion e një dhunë, se po abuzonin me pushtetin, por përsëri na del standardi i Sudes dhe 48 orë më vonë, ajo kërren me firmën e saj thirrjen në prokurori e rëndimin e pozitës juridike të ministrit, fiks me 27 nëntor; dhe e hedh në postë (palo)veprën e vet, të cilën avokatët e çështjes, por edhe më gjerë, mbarë opinioni, e kuptuan se kryeprokurorja kishte ngecur në një hendek të vështirë e i duhej patjetër ta përdhunonte ligjin e zyrën e nderuar që shteti dhe kushtetuta e ka ngritur në mbrojtje të qytetarëve. Duke u kapur në një flagrancë të rëndë ligjore e morale, e justifikuar vetëm nga politika, ajo u përpoq që ta paraqiste shkresën e saj për thirrjen e Bashës në prokurori si një lajmërim ku qytetarët të derdhin koshin e plehrave. Po, ky koncept ekziston tek bashkëpunëtorët e ngushtë të Ina Ramës, si Zamir Shtylla, që ua komunikonte akuzat armiqve të partisë e të popullit, mundësisht natën e vitit të ri, apo kur kishin fatkeqësi familjare a fatkeqësi të tjera natyrore, apo festa, që të mos kishin ku të përplasnin kokën. Pra, ligji për Ina Ramën ngjan me rregullat e Sudes. Në shtrëngicë të thellë prej ligjit, opinionit dhe keqpërdorimit të saj, ajo, menjëherë pas Mimi Kodhelit, nxori një deklaratë që pak a shumë donte të thoshte “e lagu, s’e lagu”. Vetëm 45 minuta pas konferencës së shtypit të ministrit Basha, ajo doli, jo si kryeprokurore, por sikur të ishte në fushatë elektorale, sigurisht jo si Mimi Kodheli, por ca më poshtë, si Ponja te Portokallia. E përballur me vendimin e Gjykatës së Tiranës dhe e detyruar të bëjë herë pas here veprime e shkresa, formulime e kërkesa, të cilat tregojnë se sa ajo i është qepur polikisht kësaj çështjeje, ajo është e detyruar të paraqesë kërkesa për zgjatje hetimesh. Kjo çështje është nul. Cilido gjyqtar do të tallet me formulimet e kryeprokurores. Edhe ajo e di këtë, por nuk e lënë të ndalet. Ajo nuk e ka prerjen për të qenë ligjvënës. Ajo nuk e ka integritetin që t’i kthehet së keqes, sepse nga Lushnja deri në zyrën e sotme kanë ndodhur shumë gjëra. Prandaj ajo sot është poltrona kryesore politike e opozitës dhe e puçistëve të tjerë. Ajo mund të dalë me ngut, sa herë t’i thonë, në media, por gjithnjë me doping, si sportistët fallso, të cilëve trofetë u anulohen të nesërmen. Vetëm detyrime të thella personale, okulte, mund ta shpjegojnë këtë pozitë. Ajo thellohet në mashtrimin që u bën të gjithë shqiptarëve me standardin e Sudes. Ajo shprehet se shtyrja e afatit të hetimit për Bashën është juridiksion i Gjykatës së Lartë. Kjo është një krijimtari folklorike, politike, një sharlatanizëm i vërtetë, i saj dhe i korit të bashkëpunëtorëve të saj. Në ligjet e një vendi të lirë, ashtu si njoftimet për akuzat, ashtu edhe juridiksionet, nga më e thjeshta tek më e komplikuara, janë të fiksuara në ligj dhe ato nuk mund t’i lëvizësh me autoritetin e firmës së kryeprokurores. Edhe në qoftë se e bën këtë - siç e ka bërë deri më tani - ky është një abuzim me ligjin. Gjykata e Tiranës pikërisht atë vendim që u dha përpjekjeve të saj, do t’ia japë edhe nesër, edhe pasnesër, e jo vetëm kjo gjykatë, e jo vetëm ai gjyqtar, por e gjithë drejtësia, për moszgjatje e shtrembërime si deri tani, për t’i dhënë hapësirë të keqes, intrigave, atentatit kundër moralit, kundër ligjit, kundër shoqërisë.
...