Vatikani paralajmëron për rrezikun e një konflikti fetar në Azi

Lajmi, që pushtoi gjatë javës së kaluar faqet e para të mediave botërore, ishte padyshim ai i atentateve fondamentaliste të Mumbait, që shkaktuan 195 të vdekur e më se 300 të plagosur e, sidomos, shumë tmerr në të gjithë botën. Përmes një telegrami, drejtuar kardinalit Osvald Gracias, kryeipeshkëv i Bombeit, Benedikti XVI përcolli ngushëllimet për viktimat e atentateve të tmerrshme dhe kërkoi t’i jepet fund të gjitha akteve të terrorizmit. Papa shprehu shqetësimin e tij të thellë për shkallëzimin e dhunës në Mumbai, shqetësim që e shpreh edhe drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Atë Federiko Lombardi në reflektimin e kësaj fundjave: “Atentatet e Mumbait, me më se dhjetë objektiva me rëndësi të madhe, sulmuar në mënyrë të koordinuar, më se njëqind të vdekur e qindra të plagosur, e bënë Indinë e botën të rrokullisen në një greminë ankthi.
Synimi vrasës dhe qëllimi i dukshëm për të goditur zemrën e një Vendi të madh, na sollën në mend 11 shtatorin në Nju Jork, pastaj Madridin, Londrën… Tensionet e konfliktet, që trondisin prej një kohe të gjatë subkontinentin indian, duhen përcaktuar pa ngurrim si pikë kritike, e përdorur me synim që të ndizet një zjarr edhe më i frikshëm, me pasoja të papërfytyrueshme, në se kemi parasysh përmasat demografike të Azisë Jugore dhe rolin e saj në zhvillimin botëror. Keqardhja dhe dhimbja për viktimat e këtyre ditëve, bëhen edhe më të thella, kur mendon për dhimbjen e pamasë që veprimtarë të çmendur, krejtësisht të kthjelltë për veprimtarinë e tyre të kobshme, duan t’u shkaktojnë sa më shumë njerëzve. Për besimtarët, shqetësimi njerëzor bashkohet me atë fetar. Kujtojmë tensionin e vjetër, që çoi në ndarjen ndërmjet Indisë e Pakistanit dhe rrymat ngulmuese, madje ndoshta në rritje, fondamentaliste, jo vetëm në botën islamike, por edhe në atë hinduiste. Pak vjet më parë India u trondit nga një valë dhune antimyslimane, ndërsa kohët e fundit jemi përballë asaj antikristiane në disa zona. Në një vend ku pakica myslimane numëron 140 milionë vetë, cilat mund të jenë reagimet e kësaj goditjeje, që me sa duket vjen nga burime islamike? Është e tmerrshme të mendosh se në botën e sotme feja ngatërrohet me dhunën. Fondamentalizmi është një nga rreziqet më dramatike të njerëzimit, që sfidon ndërgjegjen e çdo njeriu të fesë. “Nuk mund të përdoret dhuna, në emër të Zotit!”: britma e Gjon Palit II, mesazhet e Asizit, duhet të tingëllojnë gjithnjë e më të fuqishme. Çështja e paqes, çështje e njeriut, është çështje e vetë Zotit!”.
Benedikti XVI e kremtoi të Dielën I të Ardhjes në famullinë romake të Shën Lorencit jashtë Mureve/Dje Kisha kremtoi të Dielën e parë të Kohës së Ardhjes: duke nisur që sot për të leximet e së dielës do të përdoret Leksionari 'B'. Të dielën e parë të Kohës së Ardhjes Ati i Shenjtë e kremtoi në famullinë romake të Shën Lorencit jashtë Mureve, ku ishte në vizitë baritore, për mbylljen e kremtimeve të vitit lorencian, organizuar në përkujtim të 1750 vjetorit të martirizimit të Diakonit shenjt. Gjatë Vitit, që u hap më 1 janarin e kaluar nga kardinali Kamilo Ruini, mijëra shtegtarë nga dioqezat e ndryshme italiane, franceze, gjermane e spanjolle, që i kushtohen Shenjtit, u gjunjëzuan në lutje te varri i tij. Lorenci, njëri nga shatë diakonët e Romës, u dënua në vitin 258 nën Valerianin sepse mbrojti pasuritë e Kishës, që ishin caktuar për të ndihmuar të varfërit. Aty ku u martirizua, u ngrit bazilika, që u zgjërua e u zbukuruara nga Perandori Kostandini I e nga papët e shekujve të mëvonshëm. Shën Lorenci është pajtor i qytetit Hueska në Spanjë, ku nderohet kujtimi i prindërve të tij, Shën Orenci e Paciencia.
...