Kriza ekonomike, Fullani: Rreziku ende nuk ka kaluar
TIRANË- Ekonomia e vendit rrezikohet ende nga kriza globale. Deklaratën e ka bërë sot guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, gjatë një takimi me bizneset kryesore në vend, i cili ka tërhequr vëmendjen për të qenë ende të kujdesshëm.
Sipas tij, pavarësisht rritjes ekonomike pozitive, që është tregues i përballimit të efekteve të para të krizës, nuk ka vend për entuziazëm.
"Banka e Shqipërisë e shikon të ardhmen e vendit me një optimizëm të kujdesshëm. Them me optimizëm sepse me gjithë goditjen e madhe që patëm, stabiliteti makroekonomik dhe financiar i vendit nuk u prek. Nga ana tjetër Banka Shqipërisë mbetet në pozita kujdesi sepse rreziqet financiare mbi ekonominë nuk janë tejkaluar plotësisht. Sistemi bankar ka ende mungesë likuiditeti, ndërsa ekonomia botërore mbetet përsëri e dobët." tha Fullani.
Më tej, guvernatori ka theksuar se modeli i zhvillimit të vendit ka nevojë për modifikime dhe përmirësime, të cilat duhet të synojnë rritjen e eficencës dhe qëndrueshmërisë. Sipas tij,
ekonomia shqiptare vazhdon të vuajë nga dobësitë strukturore.
Fullani ka këshilluar kredimarrësit që të jenë të kujdesshëm me konsumin dhe nëse marrin kredi të zgjedhin monedhën vendase.