E Diel, 1 Nëntor 2026

Vazhdojnë protestat në Orikum: Duam tokën që na takon

VLORË- Banorët e Orikumit, ish punonjësit e Ndërmarrjes Bujqësore kanë vazhduar edhe sot protestat, duke i kujtuar kreut të qeverisë të mbajë premtimin e dhënë.
Mbi 150 banorë të Orikumit, i janë rikthyer protestave në lidhje me problemin e tokave, të cilat kanë në përdorim, tashmë burim konflikti me pronarë të tjerë. Ata kanë përshkruar në këmbë segmente nga rruga nacionale dhe ajo në brendësi të qytezës, duke bllokuar në këtë mënyrë edhe qarkullimin. Tabelat ku kërkohej zbatimi i ligjit 7501, dhënia 100% e sipërfaqes së tokës, kanë plotësuar protestën, e cila ka qenë paqësore. "Pritja që na propozojnë, thjesht lë për të dyshuar mbi zgjidhjen e çështjes së tokës që na takon" thanë protestuesit. Ata kanë kërkuar të zbatohet me përpikmëri ligji 7501 dhe toka t'u ndahet sipas këtij ligji. Me anë të një deklarate protestuesit kanë bërë me dije se duan 100% sipërfaqen e tokës që u takon. "Nuk do të njohim asnjë ligj tjetër jashtë këtij kuadri"- thanë protestuesit. Banorët i kanë bërë thirrje kryeministrit, parlamentit dhe qeverisë të japë zgjidhje të shpejta dhe gjithçka brenda kuadrit ligjor që parashikon ligji 7501. "Ndër të tjera janë propozuar edhe sipërfaqe të limituara për tokën që na takon, por ne do të pranojmë vetëm zbatimin e ligjit, duke marrë të plotë atë që na takon"-janë shprehur protestuesit. Ata kanë bërë me dije se kanë lënë tokat që u takonin nga prindërit në zona të tjera, në këmbim të sipërfaqeve të tokës që ua premton ligji 7501.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›