E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza ekonomike, Qeveria, si do të sigurohen depozitat bankare

Berisha deklaroi se do të sigurohen depozitat me 25 mijë euro. Projektligji në Kuvend, sigurohen vetëm 2.5 milionë lekë

Eljona Ballhysa
Për të përballuar krizën ekonomike botërore Këshilli i Ministrave ka miratuar së fundi projektligjin për sigurimin e depozitave bankare, i cili është depozituar për shqyrtim në Kuvend. Gjatë mbledhjes së qeverisë kryeministri Berisha u shpreh se shteti do të marrë përsipër të sigurojë depozitat bankare me vlerë 25 mijë euro, ndërkohë që në projektligjin e qeverisë është parashikuar vetëm sigurimi i depozitave me vlerë 2.5 milionë lekë të rinj. Pra disa qindra mijë lekë më pak sesa 25 mijë euro. Megjithatë, ndryshimet në projektligj synojnë rritjen e vlerës së siguruar të depozitës bankare dhe kompensimin e saj në masën 100%.
Projekti
Projektligji i hartuar nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave pranë Bankës së Shqipërisë sjell përmirësim në fushën e sigurimit të depozitave bankare. Ai synon rritjen e nivelit të shumës maksimale që shërben si kriter për përcaktimin e depozitave të siguruara në vlerën prej 2.5 milionë lekësh, ndërkohë që vlera aktuale e siguruar është vetëm 700 mijë lekë. Drafti i qeverisë synon gjithashtu rritjen e nivelit të kompensimit të depozitave të siguruara duke parashikuar kompensimin e plotë të tyre në masën 100% në çdo rast kur depozita nuk është më shumë se 2.5 milionë lekë, ndryshe nga ligji aktual, i cili parashikonte kompensimin e përshkallëzuar në nivele, në përputhje me depozitën e siguruar. Në skemën e sigurimit të depozitave projektligji përfshin edhe shoqëritë e kursim-kreditit dhe unionet e tyre. Në relacionin që i bashkëlidhet projektligjit bëhet e ditur se nga të dhënat ekonomike rezultojnë se rreth 50% e depozitave të qytetarëve shqiptarë janë nën vlerën e 2.5 milionë lekëve.
Kompensimi
Sipas draftit të qeverisë, Agjencia kompenson depozitat e siguruara kur autoriteti mbikëqyrës ndërhyn në bankën e siguruar, ose kur banka likuidohet vullnetarisht. Agjencia kompenson depozitën në masën 100% në çdo rast kur depozita është jo më shumë se 2.5 milionë lekë. Kjo dispozitë vlen për çdo depozitë, në çdo bankë të siguruar që operon në Republikën e Shqipërisë, pavarësisht numrit të depozitave. Kompensimi për llogari të depozitave të siguruara fillon menjëherë pasi agjencia njoftohet me shkrim nga autoriteti mbikëqyrës për ndërhyrjen ose për vendimin e likuidimit vullnetar të bankës së siguruar. Kompensimi përfundon tre muaj pas fillimit të procesit. Agjencia kompenson depozitën e siguruar duke njohur të drejtën e kthimit të fondeve për shumën e depozituar dhe të transferuar në një bankë tjetër të siguruar deri në nivelin e kompensimit; duke i paguar shumën në lekë personit sipas nivelit të kompensimit; nëpërmjet një banke të siguruar.
Kur shuma që kërkohet për kompensimin e depozitave të siguruara është më e madhe se mjetet financiare të zotëruara nga Agjencia, atëherë kjo e fundit merr hua nga buxheti i shtetit, duke nënshkruar marrëveshje me Ministrinë e Financave për kushtet e huas. Agjencia, gjatë gjithë kohës, merr informacion të vazhdueshëm nga bankat për veprimtarinë, për depozitat dhe depozituesit, të cilët përfitojnë nga skema e sigurimit të depozitave. Agjencia gjithashtu kryen verifikime për çdo informacion që merr nga bankat.

21 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›