E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha fton në Shqipërinë investitorët gjermanë



Gjatë vizitës së tij në Gjermani, kryeministri Berisha ka zhvilluar një takim me një grup investitorësh të fuqishëm të zonës së Essenit. Me këtë rast u zhvillua një drekë pune, në të cilën merrnin pjesë kompani ndër më të rëndësishmet të industrisë gjermane në këtë zonë, e cila është një nga zonat kryesore të zhvillimit ekonomik dhe industrisë në Gjermani. Në këtë takim merrnin pjesë drejtues dhe përfaqësues të kompanive të mëdha të autotransporteve, infrastrukturës, industrisë agro-ushqimore, industrisë së përpunimit të mineraleve, industrisë metalurgjike, si dhe përfaqësues të kompanive më të mëdha të organeve të medias. Në këtë takim merrte pjesë edhe kompania që ka kryer punimet për modernizimin e aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Kryeministri Berisha u përshëndet nga z. Bodo Hombah, anëtar i Kryesisë së Komisionit të Lindjes të Ekonomisë gjermane. Gjatë fjalës së tij kryeministri Berisha ka prezantuar potencialet e mëdha që ofron Shqipëria për investime, duke u ndalur veçanërisht në mundësitë që ofrohen në turizëm dhe në shfrytëzimin e pasurive minerare. “Shqipëria ka një bregdet rreth 400 km, pjesa më e madhe e të cilit e pashfrytëzuar, që ofron si plazhin ranor, ashtu edhe atë shkëmbor, dhe po shndërrohet në një vend tërheqës për turistët”, - është shprehur Berisha. Ai theksoi se një fushë tjetër që ofron mundësi të mëdha investimi është prodhimi i energjisë, ku ekzistojnë kapacitetet për ndërtimin e mbi 400 HEC-eve dhe TEC-eve të dimensioneve të ndryshme. Kryeministri theksoi se Shqipëria ka një pasuri të madhe të burimeve hidrike dhe investimi në këtë fushë do të jetë një histori suksesi, pasi ka një interesim shumë të madh nga investitorët e huaj. Më tej kryeministri vlerësoi se investimet në Shqipëri janë me interes të madh, pasi përfundimi i rrugës Durrës-Kukës do të ndryshojë tërësisht tregun rajonal, duke bërë që prodhimet në Shqipëri të hyjnë në një treg akoma dhe më të gjerë. Në përfundim të fjalës së tij kryeministri Berisha ftoi biznesin gjerman të investojë në Shqipëri, duke i garantuar ata për transparencë të plotë dhe duke nënvizuar se çdo investim i tyre në Shqipëri do të shndërrohet në një histori suksesi.

21 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›