E Diel, 1 Nëntor 2026

Bode: Masat për krizën, 200 milionë dollarë fond kontigjence



Nëse thellohet kriza, do përdoren paratë e privatizimeve

Ministri garanton sigurinë e bankave dhe të depozitave

Nëse kriza financiare globale financiare do të prekë ekonominë shqiptare, qeveria e ka një plan për të dalë prej saj. Një fond i posaçëm është menduar të përdoret për të përballuar këtë krizë, vlera e së cilës do të jetë sa 2 për qind e PPB-së. Ministri i Financave, Ridvan Bode, ka detajuar dje masat që qeveria do të marrë nëse kriza globale do të japë efekte negative në ekonominë vendase. Një fond kontigjence është parashikuar të përdoret për këtë situatë dhe nëse ajo do të thellohet më tej, për përballimin e saj do të përdoren edhe para të siguruara nga privatizimet e disa shoqërive shtetërore. Ministri i Financave, Ridvan Bode, bëri të ditur dje në një konferencë shtypi, se për çdo eventualitet qeveria ka 2 % të PBB-së kontigjencë, ose rreth 200 milionë dollarë. “Alokimet e kësaj kontigjence do të bëhen nëpërmjet vendimeve të qeverisë në ata sektorë që mund të preken nga kriza. Janë një tërësi masash nga ana e sigurisë, që vetë buxheti të jetë faktor nxitës për ekonominë dhe nga ana tjetër po ndiqet një politikë për të mbajtur të lartë kërkesën konsumatore në treg dhe kjo me anë të një politike pagash, që po ndiqet nga viti në vit nëpërmjet rritjes së pagave", - nënvizoi ai. Kontigjenca është plani i parë si masë antikrizë. Por edhe paratë e privatizimeve pritet të shkojnë për zbutjen e kësaj krizë. "Paratë e privatizimeve do përdoren për krizën që mund të prekë vendin gjatë vitit 2009. Janë siguruar rreth 300 milionë dollarë që do të përdoren për krizën", - tha Bode. Bëhet fjalë për të ardhurat e siguruara nga shitja e OSSH, INSIG dhe ARMO, të cilat qeveria do t’i përdorë për përballimin e krizës. “Të ardhurat nga privatizimi i ARMO-s ne ende nuk i kemi përdorur në mënyrë të plotë, janë rreth 125 milionë euro në dispozicion, të cilat mund të preken në masën 5–10 milionë euro për vitin 2008 dhe gjithë pjesa tjetër do të destinohet për vitin 2009, për të vijuar mbështetjen e programit të investimeve publike, por edhe për të pakësuar borxhin publik, që do të thotë, për të ulur kërkesën e qeverisë për para në treg. Po kështu, do të përdoren dhe të ardhurat nga OSSH–ja, një pjesë e të cilave do të përdoret edhe për të rregulluar pozicionin financiar të KESH–it, të ardhurat nga privatizimi i INSIG–ut, nga privatizimi i AMC–së dhe të gjitha privatizimet e tjera që ne kemi përgatitur për t’i realizuar gjatë vitit 2009”, - tha dje Bode. Bode garantoi se sistemi bankar në Shqipëri është i sigurt, po ashtu edhe depozitat e qytetarëve në llojin monetar ose në bono thesari. Gjithsesi ministri i Financave tha se pavarësisht masave të marra, ekonomia shqiptare është shumë e fortë dhe nuk do t’ia dijë për zhvillimet në tregun botëror, por specifikat e ekonomisë shqiptare janë të tilla, që në këtë lloj krize që është përfshirë sot ekonomia botërore, që është krizë e besimit dhe e rënies së konsumit, për shumë motive Shqipëria ka për të mbetur jashtë influencës së kësaj krize, ose ka për t’u ndikuar në mënyrë tepër simbolike, që nuk do të jetë e dukshme dhe nuk do të japë ato pasoja që ka aktualisht në Perëndim, ku përballen jo me rritje, por me rënie të ekonomisë, në të gjithë vendet e BE–së. “Ne shpresojmë që vendi nga nisi kriza, SHBA, të dalë shumë shpejt dhe sigurisht do të dalin të parët, sepse ata kanë tjetër sjellje ndaj konsumit dhe tjetër psikologji ndaj krizave dhe do të tërheqin shpejt drejt daljes së krizës edhe vendet e tjera. Shpresojmë që kriza të mos zgjasë më shumë se viti që vjen”, - tha dje Bode. Bode tha se bankat kanë investuar dhe janë në buxhetin e shtetit, i cili sigurisht është i sigurt 100 %. “Pra niveli i kredidhënies së sistemit tonë bankar është i ulët në raport me ekonominë dhe ky tregues negativ sigurisht që kthehet në një favor të madh në periudha krizash dhe po përfitojmë frytet e këtij favori në zhvillimin e sistemit bankar, pra që kemi pak kredi të dhënë. Për këtë arsye bankat janë likuide”, - tha Bode. Ai tha se bankat në Shqipëri nuk kanë probleme. “Kush nuk do të investojë në banka, të vijë tek buxheti dhe të blejë bono thesari. Janë 100 % të sigurta dhe interesat i merr në ditën e parë. Pra, sistemi bankar është shumë i sigurt, jo problematik dhe për këtë arsye ne kemi ndjekur në mënyrë më të vëmendshme dhe hap pas hapi zhvillimet aty. Për këtë arsye, për të injektuar likuiditet më të madh në ekonomi po ndërmarrim dhe masën tjetër për të përdorur rreth 300 milionë euro nga privatizimet për t’i injektuar në ekonominë shqiptare. Ky është kontributi që do të japim për të mbajtur likuid tregun tonë dhe sidomos sistemin bankar”, - ka sqaruar Bode.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›