E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kriza energjetike, BE plan për të mbledhur 140 miliard euro, do të shfrytëzojë fitimet e tepërta të prodhuesve

Një zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian shpalosi sot planin për të kufizuar të ardhurat e prodhuesve të energjisë, të cilët po kapin fitime të jashtëzakonshme për shkak të efekteve të luftës së Rusisë në Ukrainë, si dhe të ndryshimeve klimatike.

Propozimi parashikon të mbledhë 140 miliardë dollarë për të ndihmuar njerëzit e goditur nga çmimet në rritje të energjisë. Ky është një nga disa propozime që synojnë të frenojnë krizën energjetike në Evropë, e cila mund të çojë në ndërprerje të energjisë elektrike, mbyllje të fabrikave, si dhe një recesion të thellë këtë dimër.

Propozimet e tjera përfshijnë uljen e përdorimit të energjisë, si dhe reformimin e tregut të energjisë elektrike, të cilat duhet të miratohen nga 27 vendet e BE.  Ndërsa blloku mbështet Ukrainën, Rusia ka reduktuar ose ndërprerë gazin natyror për 13 vende anëtare, duke rritur çmimet e gazit dhe të energjisë elektrike. Kërkesa arrin kulmin gjatë muajve të ftohtë.

Evropa është goditur edhe nga një thatësirë ​​që ekspertët thonë se është më e keqja në 500 vjet. Çmimet për gazin natyror – i cili përdoret për energjinë e industrisë, ngrohjen e shtëpive dhe gjenerimin e energjisë elektrike – në BE tani janë 10 herë më të larta sesa përpara COVID-19.

“Rusia vazhdon të manipulojë në mënyrë aktive tregun tonë të energjisë,” tha presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen para ligjvënësve të BE-së në Strasburg, Francë. “Ky treg nuk funksionon më”- tha ajo.

Vende individuale kanë miratuar subvencione, ulje taksash dhe lehtësime të tjera për familjet dhe bizneset, pasi çmimet e larta të energjisë po nxisin një inflacion rekord. Me ekonomitë që janë ende duke u rikuperuar nga pandemia, paratë duhet të gjenden jashtë buxheteve kombëtare, për të ofruar më shumë ndihmë për miliona njerëz që po luftojnë për të paguar faturat e tyre të energjisë elektrike.

Kjo është arsyeja pse komisioni dëshiron të shfrytëzojë fitimet e prodhuesve të energjisë që përdorin naftën, gazin dhe qymyrin, burimet e rinovueshme, si dhe energjinë bërthamore. Disa kompani po i pesëfishojnë fitimet e tyre të zakonshme. “Këto kompani po bëjnë të ardhura që nuk i kanë llogaritur kurrë, as që i kanë ëndërruar”, tha von der Leyen.

“Në këto kohë, është e gabuar të marrësh fitime të jashtëzakonshme, duke përfituar nga lufta, si dhe në shpinë të konsumatorëve.” Gjatë fjalimit të saj për gjendjen e Bashkimit Evropian në asamblenë e BE-së, ku mori pjesë Olena Zelenska, gruaja e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy, von der Leyen tha se “fitimet e kompanive duhet të ndahen dhe të kanalizohen tek ata që kanë më shumë nevojë”.

“Propozimi ynë do të mbledhë më shumë se 140 miliardë euro (140 miliardë dollarë) për vendet anëtare për të zbutur goditjen drejtpërdrejt,” tha ajo. Shumica e parave do të vileshin duke vendosur një kufi çmimi për energjinë elektrike të prodhuar nëpërmjet burimeve të rinovueshme të energjisë, si dhe energjisë bërthamore prej 180 euro për megavat orë, më pak se gjysma e çmimit aktual.

Vendet e BE-së do të mbledhin gjithashtu një “kontribut solidariteti” nga rafineritë e naftës, gazit dhe qymyrit, duke pasur normëfitimi jomë shumë se 20% sesa mesatarja e tyre gjatë tre viteve të fundit.

Me Rusinë që ka shtrënguar rubinet e gazit natyror, kërkesa për gaz dhe energji elektrike duhet të reduktohet, edhe nëse rezervat e karburantit janë mesatarisht 84% të plota në të gjithë BE-në. Kufizimi i çmimeve nuk do të zvogëlojë përdorimin, kështu që Komisioni Evropian dëshiron që njerëzit të konsumojnë më pak, veçanërisht gjatë orëve të pikut.

Qëllimi i komisionit është të reduktojë konsumin e energjisë elektrike në bllok me të paktën 5% gjatë orëve të pikut.  Von der Leyen, tha se tregu i energjisë elektrike i bllokut duhet të reformohet për të trajtuar siç duhet krizën energjetike. Ajo tha se kërkohet një “reformë e thellë dhe gjithëpërfshirëse e tregut të energjisë elektrike” për të reduktuar ndikimin e gazit natyror me mënyrën e përcaktimit të çmimeve.

Edhe përpara se Rusia të fillonte luftën e saj kundër Ukrainës, shumë vende anëtare të BE-së kishin bërë thirrje për reformë në tregun e energjisë të bllokut, sepse ata besojnë se ndikimi i gazit në përcaktimin e çmimeve me shumicë të energjisë elektrike është joproporcional. Megjithatë, vendet e BE-së janë thellësisht të ndara në lidhje me këtë.

Mbetet e paqartë nëse ato do t’i miratojnë propozimet e komisionit.  Ministrat e Energjisë së bllokut mbajtën bisedime urgjente javën e kaluar, pa ndonjë rezultat konkret. Ata do të takohen sërish në fund të muajit. Apnews

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›