Kriza energjetike Rama thirrje qytetarëve: Muajt në vijim do jenë sfidues, të kursejmë sa më shumë

Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në dorëzimin e apartamenteve të reja në Golem të ndërtuar pas tërmetit të 26 nëntorit, i ka bërë thirrje qytetarëve që të kursejnë energjinë elektrike. Kreu i qeverisë theksoi se muajt në vijim do të jenë më sfidues, duke shtuar se synimi i qeverisë është që të mos e aplikojnë fashën mbi 800 kilovat pas muajit dhjetor.
“Jemi të vendosur ta mbajmë të paprekur çmimin e faturës së energjisë për abonentët familjarë dhe biznesin e vogël. Kjo ka rolin e vetë në frenimin e inflacionit, të cilin e kemi më të ulët në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Ajo që kërkoj nga të gjithë është të kursejmë energjinë sa të mundeni, të mos lëmë dritat ndezur kot. Nëse patëm mundësinë ta shtyjmë aplikimin e fashës 800këh për t’i lehtësuar të gjithë psikologjkisht, kjo erdhi si rezultat i faktit se nevoja për energji u bë më e vogël se parashikimi. Qoftë kjo për shkak të kursimit apo të reshjeve. Por tetori nuk është muaji më sfidues, pas tij vijnë nëntori e dhjetori me të ftohtin. Ne duam që fasha të jetë një eksperiencë që përfundon me dhjetorin”, tha Rama.
Sot në Golem, qytetarët të cilëve iu dëmtuan banesat nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit të 2019, iu dorëzuar çelësat e shtëpive të reja. Në Kavajë deri tani janë strehuar në apartamente 221 familje që humbën strehën nga tërmeti.
/rtsh.al/