Shtyrja e fashës 800 kWh, Balluku i përgjigjet opozitës: Ne mbrojmë qytetarë

Ministra e Energjisë dhe njëherazi zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku i është përgjigjur akuzave të opozitës ndaj ERE, pas shtyrjes së aplikimit të fashës 800 kWh.
Nga foltorja e Kuvendit, Balluku sqaroi se një vendim i tillë u mor nga qeveria si pasojë e përmirësimit të kushteve hidrike të kaskadës dhe uljes së konsumit, duke theksuar se synimi është mbrojtja e qytetarëve.
Opozita akuzoi ERE si “vartëse të qeverisë” pas këtij vendimi, por Ministrja shtoi se Enti Rregullator e ka kryer punën siç duhet.
“Sa i përket energjisë, unë e kuptoj që jeni mërzitur shumë për shtyrjen e fashës. Ne kemi vlerësuar situatën hidrike dhe të konsumit. Qytetarët janë gjithashtu më të sensibilizuar ndaj kërkesës sonë për të kursyer. Përmirësimi i kushteve hidrike të kaskadës, ulja e konsumit na bëri të rishikojmë aplikimin e fashës për këtë muaj. Ju që i bini ERE, se s’keni ç’i bëni gomarit i bini samarit, ata janë ekspertë. Detyrimisht ERE e ka bërë punën siç duhet. Pse kur i mbrojmë ne qytetarët ça do thotë ERE mos se s’do opozita? Na vjen keq që iu prishëm planet”, tha Balluku.
/rtsh.al/