E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza është vetëm e Ramës



Vija radikale që po ndjek sot Edi Rama dhe klani i tij i ngushtë, me një këmbëngulje dhe papërgjegjshmëri institucionale – e që kohët e fundit ka shfaqur shenja edhe të një papërgjegjshmërie kombëtare – ka vetëm një qëllim, të krijojë krizën. Krizën politike, krizën institucionale, krizën që synon të mbërthejë nën një qerthull veprimin dhe kundërveprimin e institucioneve, për të sjellë në fund kolapsin e sistemit politik. Është një marrëzi politike që është eksperimentuar edhe nga të tjerë e në të tjera vende të botës, në ato eksperienca që kanë zënë vend tashmë në faqet më të errëta të historisë së djeshme dhe të sotme.

Edi Rama, gjatë dy viteve të fundit, ka qenë konsekuent në përpjekjet e tij për të realizuar skenarin e “krizës”, duke synuar pikësëpari efektin e drejtpërdrejtë të saj, panikun social. Këtë skenar ai filloi ta zbatonte përmes injektimit të një propagande agresive dhe të ligë, për të shkaktuar frikë e alarm mes shqiptarëve me fantazmën e krizës ekonomike, ndërkohë që realiteti tregoi se Shqipëria i përballoi me impakte dhe pasoja minimale efektet e dhimbshme që kjo krizë ka lënë kudo në botë.

Ky akt i parë u pasua nga një i dytë, në periudhën paraelektorale, me përpjekjet dhe kërcënimet për sabotim e bllokim të procesit zgjedhor. Edhe kjo kartë iu dogj në dorë kryetarit të PS-së, sepse ky proces zgjedhor rezultoi të ishte më i miri që Shqipëria ka realizuar gjatë 20 viteve të tranzicionit, duke u certifikuar si i tillë edhe nga aktorët ndërkombëtarë.

Ndërsa sot, po shohim përpjekjet për të vënë në jetë aktin e fundit, një përpjekje ekstremizuese dhe deri perverse për të sjellë krizën politike, për të treguar mbi të gjitha në sytë e faktorit ndërkombëtar se Shqipëria dhe politika shqiptare nuk është në gjendje që të menaxhojë situatën paszgjedhore. Është një orvatje për të sjellë një bllokim total të institucioneve demokratike, pikërisht në një moment vërtet historik, kur Shqipërisë janë duke iu hapur një nga një dritat jeshile në rrugën e saj të pakthyeshme drejt Evropës.

Në sytë e gjithkujt, kjo nuk është më shumë se një kujtesë e rrugës së pashmangshme ku të çon ambicia perverse për pushtet, pasojë e pamundësisë dhe paaftësisë së liderit për të dalë nga qorrsokaku ku rrëshqiti po vetë, prej verbërisë apo megalomanisë së tij politike.

Kriza që po kërkohet me ngulm ka vetëm një emër: Ajo është krizë e individit Edi Rama. Një krizë e parashikueshme, me një trajektore që mund ta kuptojë kushdo që ka ndjekur me mendje të ftohtë aventurën e tij politike disavjeçare, por nga ana tjetër, e papranueshme, që në momentin kur ky individ nis e përpiqet ta shndërrojë krizën e tij personale, në një aksident të rrezikshëm politik, me pasoja për Shqipërinë dhe shqiptarët, të cilët janë futur tashmë në rrugën e mbarë të progresit dhe stabilitetit ekonomik.

Kjo krizë rëndon gjithashtu dhe mbi elektoratin që voton për Partinë Socialiste, pasi Edi Rama ka sjellë një çorientim politik të paprecedentë në jetën e kësaj force, duke i shkaktuar dëm vështirësisht të riparueshëm, opozitës më të madhe në vend. Ai i rrëmbeu asaj lidershipin, në një moment hutimi, një akt që u pasua nga uzurpimi total i fuqisë së lidershipit dhe eliminimi i një pjese të mirë të udhëheqjes historike.

Në vend të figurave historike, ai klonoi pinjollë të një të kaluare nga e cila PS-ja nuk merr aspak lavdi apo alienë deri dje anonimë, të cilët orgazmën për pushtet që u ngjalli Rama e shitën dhe vazhdojnë ta shesin për devotshmëri për kauzën e madhe të reformimit dhe modernizimit të PS-së historike. Në gjithë këtë operacion politik, Edi Rama po e shndërron PS-në në një hibrid gjinor të papërcaktuar, një eksperiment të hermafrodizmit në politikë. Demonstrimi më i qartë i kësaj është mbushja e podiumeve të protestave me një listë oratorësh që s’mund të ngjallë veç pesimizëm, një recetë e pagabueshme për dështim.

Kriza është vetëm e Edi Ramës, dhe jo e Shqipërisë, as e sistemit politik dhe institucioneve demokratike të saj, pasi është Rama që nuk mund të njohë rezultatin e pakontestueshëm e të certifikuar të zgjedhjeve të 28 qershorit. Për ne të tjerët është e kollajtë t’i kuptojmë arsyet e tij: E para, ai e di mirë që herët a vonë do të përballet me kontestimin e pushtetit që ka uzurpuar brenda PS-së, do të ndeshë në kundërvënien e shumë zërave dhe grupeve brenda saj, të cilët kanë gjakftohtësinë për të përballuar humbjen e një beteje elektorale dhe urtësinë e gjykimin e kthjellët për të qenë aktivë në procesin demokratik institucional.

Së dyti, ai ndodhet nën presionin e detyrimit robërues ndaj klanit apo klaneve oligarko-mafioze që, pasi e sollën “në jetë” si krijesë politike, e rritën, mbështetën dhe fuqizuan deri sot, por duke i vënë kushtin fatal, që të merrte pushtetin politik për ta. Dhe në fakt, Edi Rama qëndron sot si në një “sandwitch”, mes dy ultimatumeve. I dukshëm është ultimatumi që Rama u vë sot institucioneve demokratike nga tribunat e mitingjeve, ndërsa tjetri, i padukshmi, është ultimatumi që i kanë vënë atij vetë klanet e errët që e mbështesin.

Të dy këta ultimatume janë jo vetëm antidemokratikë, por edhe antikombëtarë. Sepse nuk mund të robërohet dhe mbahet peng vullneti i një force politike nga një klan jopolitik, sado i fuqishëm qoftë ai. Nuk mund të mbahet peng e madje të rrezikohet në momentin më kulmor ecuria e integrimit, nga interesat paranojake të një individi.

Edi Rama dhe zgjatimet e tij përdorin sot figura alegorike të revolucioneve “të kadifenjta” apo “portokalli”, ndërkohë që ndonëse nuk e artikulojnë publikisht, në skutat më të errëta të mendjeve të tyre ata projektojnë modelin e Revolucionit bolshevik të Tetorit. Shumë shpejt do të shohim se e gjitha është veç një stuhi në një gotë ujë.

Me fjalën dhe veprimin tonë politik, më shumë sesa thjesht të denoncojmë ekstremizmin dhe papërgjegjshmërinë e “Rama Holding” (pasi sot nuk përballemi me PS-në, por me këtë grupim), ne duhet që të shprehim vendosmërinë tonë për të garantuar ecjen e sigurt dhe pa ndërprerje dramatike të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian. Ne të gjithë duhet të përqendrohemi për të fituar sfidat e vështira dhe, tashmë aspak të pamundura, të liberalizimit të vizave për shqiptarët, të fitimit të statusit të vendit kandidat për në BE, si dhe të realizojmë programet e mëdha dhe ambicioze që qeveria ka shpalosur para shqiptarëve.

Këtë kërkojnë shqiptarët dhe ne duhet t’u japim atyre sigurinë dhe bindjen se proceset më të rëndësishme historike që kemi përpara nesh, nuk do të ndërpriten apo rrënohen nga varianti më i fundit i aventurizmit politik. Jemi të gjithë të vetëdijshëm se një Shqipëri pa viza, një Shqipëri që e njehson legjislacionin e saj antikrim me atë të vendeve të Bashkimit Evropian nuk është Shqipëria që do Edi Rama dhe klani që e mbështet atë.

Ne, si politikanë dhe përfaqësues të mandatuar të vullnetit të popullit, kemi përgjegjësinë për mbajtjen gjallë dhe realizimin e kësaj ëndrre, kemi përgjegjësinë për ruajtjen e sistemit demokratik dhe institucioneve demokratike. Por, është po kaq e vërtetë se garancia për funksionimin normal të institucioneve shtetërore buron edhe nga urtësia dhe përgjegjshmëria e çdo individi dhe qytetari të këtij vendi, nga të gjithë ata që, kur votojnë për politikën, kanë votuar në radhë të parë për të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre, qofshin këta të majtë apo të djathtë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›