E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bernd Borchardt; Gjermania, mbështetje Shqipërisë për liberalizimin e vizave



Diplomati gjerman vëzhgoi nga afër aparaturat e instaluara së fundmi në pikën kufitare të Muriqanit. Qeveria gjermane ka financuar 1 milion euro në mbështetje të policisë shqiptare, për luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, trafikut të lëndëve narkotike e qenieve njerëzore, si dhe menaxhimit të kufijve

Gjermania do të mbështesë liberalizimin e vizave për Shqipërinë, sapo kushtet e përcaktuara nga BE-ja të përmbushen. Ky deklarim është bërë nga ambasadori gjerman në vendin tonë, Bernd Borchardt, gjatë një vizite që pati dje në pikën e kontrollit kufitar të Muriqanit në kufi me Malin e Zi, i ftuar nga ministri i Brendshëm, Lulzim Basha. Në përfundim të vizitës në ambientet e brendshme të kësaj pike kufitare, pasi ka vëzhguar më nga afër aparaturat e instaluara, ambasadori gjerman u shpreh se falënderonte ministrin Basha që i dha mundësinë për të vizituar nga afër pajisjet e instaluara së fundmi në kufirin me Malin e Zi, të cilat duhet të japin një kontribut në luftën kundër migracionit të paligjshëm dhe përmirësimin e menaxhimit të kufijve. Më tej, ambasadori Borchardt u shpreh se “në mars të vitit të ardhshëm, Bashkimi Evropian do të dërgojë në Shqipëri një mision vlerësues, i cili ndër të tjera do të verifikojë, nëse këto pajisje përmbushin standardet e domosdoshme për një liberalizim vizash. Parimisht mund të them se Gjermania e mbështet një liberalizim vizash për Shqipërinë, sapo kushtet e përcaktuara nga Bashkimi Evropian të jenë përmbushur”. Ambasadori ka përmendur edhe ndihmën që qeveria gjermane ka dhënë në ndihmë të Shqipërisë për të luftuar krimin e organizuar, kontrollin e kufijve, luftën ndaj korrupsionit, lëndëve narkotike dhe qenieve njerëzore. “Vetëm në vitin 2009 ne kemi vënë në dispozicion mbi 1 milion euro për të mbështetur Shqipërinë në përmbushjen e kushteve si lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit, trafiqeve të qenieve njerëzore dhe lëndëve narkotike dhe përmirësimin e menaxhimit të kufijve”. Ndërsa lidhur me përmbushjen e kushteve për integrimin në BE apo dhe liberalizimin e vizave, z. Borchardt theksoi se “për sa i përket përmbushjes së parakushteve ka lajme të mira dhe të këqija. Te lajmet e mira përfshihen ndër të tjera progreset e dukshme këtu në aplikimin e teknologjisë së informacionit në fushën e policisë dhe atë kufitare. Por, nga ana tjetër ka edhe lajme të këqija: para pak ditësh indeksi i korrupsionit i “Transparency International”, i njohur në mbarë botën, konstatonte një përkeqësim të situatës në Shqipëri. Raporti vjetor 2009 i Europolit shënonte se Shqipëria ende shërben si qendër grumbullimi dhe transporti për shpërndarjen e heroinës në Bashkimin Evropian. Raporti i Progresit i Bashkimit Evropian në tetor 2009 arriti në përfundimin, se përpjekjet e qeverisë shqiptare për të luftuar krimin e organizuar ende janë në një fazë fillestare dhe se përpjekjet për të luftuar pastrimin e parave duhet të intensifikohen më tej. Progrese në këto fusha janë parakusht për liberalizmin e vizave”. Në fund të fjalës së tij, ambasadori gjerman u shpreh se “përfitoj nga rasti të inkurajoj qeverinë shqiptare për të thelluar përpjekjet në këto fusha, në mënyrë që më në fund regjimi i vizave të hiqet. Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë në këtë rrugë”. Kjo vizitë vëzhgimi e një diplomati në pikat kufitare, vjen pas asaj të zhvilluar një javë më parë nga dy ambasadorët e Francës dhe Holandës në Shqipëri, znj. Maryse Daviet dhe z. Henk Van den Dool, të cilët panë më nga afër pajisjet e instaluara në pikën kufitare të Qafë-Thanës. Ambasadorët e Francës dhe Holandës vëzhguan në Pikën e Kalimit Kufitar të Qafë-Thanës se si funksiononte sistemi TIMS, si ndërlidhej ky sistem me sistemin MEMEX dhe me bazën e të dhënave të Interpolit, si funksiononin kamerat e instaluara të vëzhgimit, si funksiononin lexuesit optikë të pasaportave biometrike, e po kështu edhe se si bashkëpunonin agjencitë e ndryshme që operojnë në kufi, Policia Kufitare, dogana, kontrolli fito-sanitar, shërbimi i Antidrogës etj. Dy ambasadorët e përkufizuan si mbresëlënëse përshtypjen e tyre për funksionimin e sistemeve të kontrollit kufitar në këtë pikë të kalimit kufitar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›