Kriza financiare, 202 milionë të papunë në botë

Kriza financiare
Sipas një raporti të organizatës Ndërkombëtare të Punës sot në botë regjistrohen rreth 202 milionë persona të papunë.
ILO jep alarmin se në vitin 2013 norma e papunësisë globale do të rritet më shumë se 6 për qind.
Sipas Raportit të Punësimit Global për vitin 2012 që nga kriza financiare e viteve 2008-2009 e këtej kanë humbur vendin e punës rreth 50 milionë njerëz. Situata është shqetësuese në veçanti në Evropë, por përmirësimi i tregut të punësimit vonon edhe në vendet e zhvilluara si Japoni dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Shkak i rritjes kaq të madhe të shifrave të papunësisë në shkallë globale Organizata Ndërkombëtare e Punës tregon dëmin që i kanë shkaktuar tregut të punësimit masat e kursimit që janë marrë në shumë vende të zhvilluara, kryesisht ato evropiane.
Tregu i punësimit në Evropë do të vazhdojë të jetë në të njëjtin nivel deri në vitin 2016 në qoftë se nuk do të ketë ndryshime në politikën aktuale që ndiqet nga qeveritë e këtyre vendeve, bën të ditur ILO dhe paralajmëron për një rritje ekonomike më të ngadaltë.
Politika e kursimeve financiare në shumë vende të zonës së euros e ka thelluar edhe më shumë krizën e punësimit dhe madje në Evropë kjo mund të shkaktojë edhe një recesion të ri, nënvizon ILO në raportin e saj