Afganistan, protesta kundër SHBA-së për vrasjen e 4 fëmijëve

Protesta kundër NATO-s
Qindra afganë kanë marshuar në rrugë duke protestuar me parulla anti-amerikane për vrasjen e 4 fëmijëve afganë të vrarë nga forcat e NATO-s.
Qindra protestues lëshonin thirrje anti-amerikane, derisa mbanin në duar trupat e katër fëmijëve, që ata thanë se u vranë nga forcat e NATO-s gjatë një përleshjeje me talebanët.
Mohamed Jan Rasouljar, zëvendës guvernator provincial në Zabul, tha se fëmijët e moshës 8 deri 12 vjeç, kanë vdekur gjatë një përleshjeje me armë në mes kryengritësve talebanë dhe forcave të NATO-s e atyre afgane në qarkun e Shahjojit, raportojnë mediat.
Rasouljar tha se disa dëshmitarë thonë se kryengritësit, dhe jo forcat e huaja, janë përgjegjës për vrasjet.
NATO thotë se është duke hetuar incidentin. Misioni i udhëhequr nga SHBA-të është fajësuar për një numër viktimash civile në Afganistan, duke përfshirë një incident në muajin mars, kur ushtari amerikan, Robert Bales vrau 17 njerëz, përfshirë nëntë fëmijë. /E.L/