E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza financiare politikat monetare te bankave qendrore

Me fillimin e krizës financiare në vitin 2008, të parat që ndien efektin ishin bankat, kryesisht ato amerikane, të cilat ishin më të ekspozuara ndaj riskut.

Kjo bëri që banka qendrore e Amerikës, të ndryshonte në periudha afatshkurtra politikat e saj monetare, për të mos lejuar falimentimin e instituteve kredituese.

Rezerva Federale ka ndërhyrë në mënyrë të menjëhershme duke ulur apo ruajtur në të njëjtin nivel normat bazë të monedhës amerikane.

Dhe në periudha të ndryshme ka shtuar edhe sasi të mëdha likuiditeti në treg për të ndihmuar ekonominë. Efektet e krizës financiare filluan të ndihen edhe në sistemin bankar të Europës, kryesisht në vitin e kaluar.

Të parat që u prekën nga mungesa e likuiditetit duke ishin bankat irlandeze, të cilat u ndihmuan për të mos u mbyllur nga qeveria dhe Europa.

Por sot kriza e borxheve dhe të deficitit të disa vendeve europiane, po ndikon negativisht në sistemin bankar të Eurozonës, kryesisht në ato institute që janë më të ekspozuara ndaj riskut të borxhit grek.

Për këtë Banka Qendrore Europiane, në mbledhjen e fundit të bordit drejtues vendosi të lerë të pandryshuara normat bazë të Euros dhe për tu ardhur në ndihmë bankave në krizë kredie, vendosi një furnizim të ri me likuiditet.

Instituti qendror i Frankfurtit aktualisht konfirmon normën e rifinancimit ne 1,5% dhe atë të depozitave në 0,75%.

E njëjta politikë monetare u ndoq edhe nga Banka e Anglisë, e cila vendosi që të ruaj edhe për një periudhë tjetër kohe normën bazë të interesit dhe rriti me 75 mld paund programin e blerjes së bonove. Veprimet e fundit të bankave qendrore, lidhen me zhvillimet e ngjarjeve në Eurozonë.

Liderët evropian por edhe FMN, kanë diskutuar së fundmi për të rikapitalizuar bankat të cilat janë në nevojë, pasi kjo mund të ndihmojë tregjet financiare, duke rritur së pari besimin e humbur të investitorëve.

Ndryshe nga politika monetare e bankave qendrore europiane, Banka e Shqipërisë, në mbledhjen e fundit, vendosi të ulë normën bazë të lekut, me 0,25%.

Aktualisht, institutet financiare në vend nuk vuajnë nga mungesa e likuiditetit, dhe operacioni i fundit i bankës për të ulur normën bazë të interesit konsiderohet si një mundësi për rritjen e kreditimit nga ana e tyre.

Guvernatori i Bankës SH, Fullani, konstatoi në deklaratën e fundit se Depozitat janë shtuar nga muaji në muaj dhe ato mund të mbulojnë më shumë se një herë kreditë.

Sipas ekspertëve financiare, ulja e normës bazë të lekut me 0.25, pritet të ndikojë në uljen e lehtë të borxhit publik që vendi ka në lekë.

Sipas tyre, vendimi i marrë nga Banka e Shqipërisë është një sinjal pozitiv, që do të reflektohet edhe në uljen e interesave të kredive, që japin bankat e nivelit të dytë për konsumatorët.

 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›