E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza financiare, senati pritet të rivotojë paketën e shpëtimit

Senati amerikanë pritet të votojë sot për një version të rishikuar të paketës së shpëtimit disa miliardë dollarëshe të qeverisë për sektorin financiar amerikanë.

Udhëheqësi i Senatit, Harry Reid, tha se ishte esenciale që të veprohej me shpejtësi për rivendosjen e besimit në sistemin financiar dhe forcimin e ekonomisë.

Një zëdhënës i udhëheqësit republikan në Dhomën e Përfaqësuesve e cila e hodhi poshtë versionin e parë ditën e hënë, tha se ai kishte parë versionin e rishikuar dhe besonte se Kongresi do ta votonte atë.

Dy konkurentët presidencial Xhon Mëkejn dhe Barak Obama rikthehen në Uashington për të marrë pjesë në votimin në Senat.

Debati Mekein-Obama për krizën

Të dy kandidatët kryesorë presidencialë floën me tone të ngjashme, duke i bërë thirrje Kongresit për të vepruar pa vonesë në ndihmë të sektorit të trazuar financiar. Kronika në vazhdim shpjegon se si problemet e fundit ekonomike po ndikojnë tek politika presidenciale:

Pas përplasjeve për ditë me radhë mbi çështjet ekonomike, republikani Xhon Mekein dhe demokrati Barak Obama i bënë thirrje Kongresit të përpiqet përsëri për të miratuar planin e administratës, i cili u hodh poshtë nga Dhoma e Përfaqësuesve të hënën.

Senatori Mekein bëri komente para një grupi biznesmenësh në Ioëa:

"Nuk mund të lejojmë që kriza në sistemin financiar të kthehet në krizë në besimin e konsumatorëve. U bëj thirrje të gjithëve në Uashington të bashkohen në frymën dy-partiake për të zgjidhur këtë krizë. E di që shumë prej zgjidhjeve për këtë problem nuk gëzojnë popullaritet, por pasojat e frikshme të pasivitetit do të jenë shumë më të dëmshme për sigurinë ekonomike të familjeve amerikane dhe në atë rast fajin do ta kemi ne vetë."

Zoti Mekein dhe rivali i tij demokrat, Senatori Barak Obama, folën me telefon me presidentin Bush, i cili po ashtu i ka bërë thirrje Kongresit të veprojë pa vonesë për të shpëtuar planin.

Si Obama, ashtu edhe Mekein propozuan që qeveria të rrisë nivelin tavan mbi shumën e depozitave të garantuara në bankë nga niveli aktual prej 100 mijë dollarësh në 250 mijë dollarë.

Zoti Obama u bëri thirrje amerikanëve të mbështesin planin e qeverisë, në komentet që bëri në një tubim për fushatë në Reno të shtetit Nevada:

"Atyre demokratëve dhe republikanëve që e kundërshtuan të hënën planin, u them të marrin mbi vete përgjegjësitë që u takojnë dhe të bëjnë atë që duhet për të mirën e vendit. Të gjithë amerikanëve u them se nëse bëhem president, ky plan për shpëtimin e sektorit financiar nuk do të jetë masa e fundit që do të marr për të forcuar ekonominë, por vetëm fillimi."

Zoti Obama tha se nëse Kongresi nuk ndërmerr masa, amerikanët do ta kenë gjithnjë e më të vështirë të sigurojnë kredi për blerje shtëpie apo për të blerë një makinë e për të paguar studimet universitare.

Ka gjasa që ekonomia të jetë një temë e rëndësishme në debatin e së enjtes mes dy kandidatëve për nënpresident, republikanes Sara Pejlin dhe demokratit Xho Bajden.

(BBC)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›