E Diel, 1 Nëntor 2026

Për një histori të lexuesit

Deri më sot historia e letërsisë shqipe ka qenë histori autorësh; ngaqë veprat janë kundruar si faqe të biografisë së shkrimtarëve, ose nga këndvështrimi i përftimit të tyre, për të zbuluar se “çfarë ka dashur të thotë autori”. Kjo metodologji ndërthur në vetvete përfytyrimin romantik për shkrimtarin dhe në përgjithësi artistin si një qenie me dhunti të jashtëzakonshme, me admirimin vulgar për njerëzit e shquar në përgjithësi; për ç’arsye edhe diskutimet akademike më të ashpra janë shtjelluar jo aq rreth kritereve të analizës ose përzgjedhjes së veprave, por rreth emrave të autorëve që do të renditen në tribunat dhe presidiumet.

Perspektiva e autorit nuk është megjithatë e vetmja; dhe historia e një letërsie mund të studiohet edhe nga një perspektivë tjetër, e cila vë në qendër jo autorin, por lexuesin. Kjo perspektivë do të kërkonte, para së gjithash, një histori të lexuesit shqiptar – i cili nuk duhet marrë si një e dhënë elementare; sepse lexuesit edukohen në shkollat dhe duke u përfshirë në kulturat përkatëse, madje vetë të studiuarit e historisë së letërsisë ka për synim, ndër të tjera, edhe që t’ia sigurojë kulturës lexuesit e ardhshëm. Kjo bëhet jo ngaqë leximi krijon vlera materiale ose estetike për lexuesit ose për kulturën vetë; por sepse kultura ekziston dhe riprodhohet edhe nëpërmjet leximit.

Mirëpo në realitetin e letrave shqipe lexuesi është një dukuri relativisht e re, madje më e re edhe se autori; jo vetëm sepse historikisht shqiptarët kanë qenë të pashkollë, por edhe sepse libri shqip ka qenë më tepër një relikë e vyer ose talisman kulturor i përkatësisë etnike, sesa makinë prodhuese përjetimesh, rrëfenjash dhe përkatësish kulturore. Madje aq i rrallë ka qenë libri, sa fillimet e letërsisë shqipe mund të përfytyrohen si mesazhe mbyllur në shishe dhe lëshuar në oqean të kohës.

Deri në fillim të shekullit XX letërsia shqipe përcillej dhe konsumohej kryesisht në rrugë gojore rapsodike, në trajta të ngjashme me ato të këngëve, legjendave dhe përrallave popullore. Tekstet e shkruara, kur hartoheshin, ose shërbenin si materiale ndihmëse për mësuesit, recituesit dhe të tjerë përhapës të kulturës; ose qarkullonin në mjedise të mbyllura, të cilat ndonjëherë shiheshin edhe si subversive nga autoritetet. Në kushtet kur shqiptarët nuk kishin shtet dhe institucione të tyret dhe kur ata pak që dinin shkrim e këndim lexonin veç gjuhë të tjera – greqisht, turqisht, italisht – rruga gojore e riprodhimit të teksteve letrare ishte e vetmja për t’u ndjekur.

Që të ekzistojë si e tillë, vepra letrare ka nevojë të qarkullojë ose të përjetohet; E ruajtur si dorëshkrim rrëgjohet në një skelet të vetvetes, ose në një shifër në kërkim të interpretimit. Prandaj, kur masa e lexuesve të mundshëm nuk i zotëron kodet për ta përvetësuar veprën të shkruar, recitimi ose deklamimi vijnë e i zëvendësohen leximit, si mënyrë komunikimi. Një praktikë e tillë ndeshet në letërsinë shqipe me alfabetin arab, e cila përvetësohej dhe riprodhohej e recituar në mjedise publike.

Kur qarkullonte në trajta gojore, letërsia nuk dallohej shumë prej folklorit dhe ashtu depërtonte më lehtë e më mirë në popull. Rrethanat e konsumimit ndikuan drejtpërdrejt në format letrare të parapëlqyera nga autorët; meqë një publiku të pashkollë mund t’i drejtohesh më lehtë në vargje të rimuara sesa në prozë. Kur u ekspozoheshin në masën e duhur deklamimeve, dëgjuesit shndërroheshin shkallë-shkallë në riprodhues të veprave, meqë fillonin t’i recitonin vetë, ose t’ua përcillnin fëmijëve të tyre. Fragmente të “Historisë së Skënderbeut” të Naim Frashërit dhe të “Lahutës së malësisë” të Fishtës kanë qarkulluar deri vonë në katundin shqiptar, në jug dhe në veri të vendit, recituar prej amatorësh që ndoshta nuk i kishin lexuar dot kurrë vetë veprat në origjinal.

Edhe Rilindja Kombëtare, si lëvizje e orientuar ndaj qëllimit madhor të zgjimit kombëtar, u detyrua t’ia përcillte kumtet e veta një publiku kryesisht të pashkollë dhe në rrethanat kur shqipja e shkruar, në trojet shqiptare, mbetej më tepër kuriozitet, veprimtari subversive, ose praktikë rrethesh të ngushta e të mbyllura, të ngjashme me guildet mesjetare ose klubet masonike. Megjithatë, ideologjia rilindëse iu përcoll shqiptarëve kryesisht nëpërmjet veprave letrare. Studiuesit e kanë vënë re natyrën didaktike të veprave të asaj kohe; edhe pse s’është theksuar sa duhet se shumë prej këtyre u drejtoheshin fëmijëve, të cilët do ta “bënin” Shqipërinë. Vjershat për gjuhën e bukur shqipe, Shqipërinë, atdheun e të tjera të ngjashme do të tingëllonin sot foshnjore, sikur të mos ishim të vetëdijshëm për funksionin utilitar të tyre, ose destinimin e tyre për shkollën shqipe.

Për brezin e lexuesve gjysmë të shkolluar, që trashëgoi pavarësinë e 1912-ës, letërsia nuk ishte veçse forma gjuhësore e ideologjisë kombëtariste; dhe vjershat e panumërta për flamurin, dheun, baltën, gjuhën, gjakun, Skënderbeun e të tjera tema tipike konsumoheshin si tekste liturgjike të fesë shqiptare, në kuptimin që ia dha Pashko Vasa. Megjithatë, zelli kombëtarist në letërsi erdhi duke u fashitur pas vitit 1920, ose pikërisht atëherë kur Shqipëria u stabilizua si shtet i pavarur, dhe shoqëria shqiptare filloi të ndiente nevojën për një kulturë më pak propagandistike dhe më shumë refleksive. Që nga ajo kohë, numri i lexuesve shqip erdhi duke u rritur ortekshëm, sidomos me ardhjen në pushtet të komunistëve pas Luftës II Botërore, meqë edhe për komunistët, njëlloj si për Rilindësit, fjala e shkruar ishte vegël për të përçuar mesazhin ideologjik në masat. Duke filluar nga mesi i viteve 1960, lexuesit e shumtë dhe tirazhi i madh i librit artistik i dhanë letërsisë shqipe një status që s’e kish pasur më parë dhe përgatitën terrenin për suksesin, edhe letrar edhe në publik, të I. Kadaresë, D. Agollit, S. Godos, Q. Buxhelit, Dh. Xhuvanit, K. Jakovës, P. Markos, J. Xoxës e të tjerëve. Këta autorë regjimi vërtet mund t’i konsideronte e t’i përdorte si “inxhinierë të shpirtrave njerëzorë”, por publiku ua mbante veprat në një raft me Dickens-in, Çehovin dhe Remarque-un; duke i konsideruar ngushëllim, ose dritare të kthyer nga një realitet më i pasur, ose të paktën më i mirëfilltë sesa mërzia e së përditshmes.

Sa për disidencën letrare, këtë lexuesi i atyre viteve ishte mësuar ta kërkonte e ta gjente midis rreshtave, duke u dhënë lexime alegorike veprave më të njohura – veçanërisht prozës së I. Kadaresë, e cila më shumë interpretohej në ballafaqim me realitetin konkret, se sa shijohej në tërësinë e vet artistike. Megjithëse shumë autorë dhe lexues e vuanin diktaturën dhe mungesën e lirisë së mendimit dhe të fjalës drejtpërdrejt, pakkush prej tyre do të guxonte të revoltohej ndaj nënshtrimit të letërsisë ndaj politikës, madje edhe kur ishte fjala për lexime subversive, ose disidencë të vërtetë a të dëshiruar. Për këtë arsye, nën terrorin policor të regjimit, letërsia shpesh do të përdorej për qëllime terapeutike, ose për të zbutur ndrydhjen që buronte nga ballafaqimi me institucionet e dhunës totalitare, fizike dhe shpirtërore.

Gjithsesi, deri në fund të viteve 1980, lexuesi mbetej një forcë madhore brenda kulturës shqiptare, ç’ka i shtynte elitat kulturore të ëndërronin se, pas përmbysjes së diktaturës, letërsia shqipe moderne më në fund do të realizohej në krejt madhështinë e vet. Ndodhi në të vërtetë e kundërta: pas 1990-ës letërsia iu dorëzua tregut të librit, përkthimeve të këqija, manipulimeve politike, tabloidizimit, vetëbotimit, protagonizmit të papërligjur të autorëve, revanshizmit ideologjik, pornografisë dhe pështjellimit total. Shkaku kryesor i kësaj shpërbërjeje ishte kriza e leximit, meqë lexuesit e djeshëm iu kthyen formave të tjera të përpunimit dhe të komunikimit të eksperiencës, më të lehta e të drejtpërdrejta, si televizioni; ndërsa krejt sistemi i komunikimit letrar erdhi duke u shthurur, për faj të mungesës së gjykimit kritik dhe të bashkërendimit të shijeve.

Edhe sot, sikurse në të shkuarën, raporti i lexuesit me veprën letrare ndërmjetësohet prej gjuhës, e cila përveçse e mundëson, është edhe në gjendje ta ndihmojë, por edhe ta pengojë komunikimin letrar. Shqipja e shkruar ekziston në trajta të ndryshme, të shtresuara sipas kronologjisë, gjeografisë dhe motiveve të vetë autorëve; Mjedën dhe Migjenin nuk i ndajmë dot nga gegërishtja, as Seremben e Darën nga arbërishtja, ose Asdrenin dhe Nolin nga toskërishtja. Mangësitë në kompetencën gjuhësore dhe letrare të publikut vetvetiu e varfërojnë kulturën shqiptare në përgjithësi dhe komunikimin letrar në veçanti, madje edhe duke ia privuar shqipes potencialin krijues dhe shprehës.

Lexuesi shqiptar i sotëm është lënë në mëshirë të fatit – nga krejt sistemi kulturor dhe institucionet, por veçanërisht nga kritika që duhej ta orientonte në tregun e librit dhe ta ndihmonte për të zgjedhur mes mizërisë kaotike të ofertave letrare. Nëse leximi është gjithnjë akt individual që kërkon tërheqje nga jeta sociale dhe një farë mbylljeje në imagjinatë, veprat e mëdha kanë vetinë e magjishme që t’i lidhin lexuesit e tyre në besëlidhje shpirtërore të forta, duke i bërë të ndihen pjesë e një realiteti kulturor të përbashkët e duke funksionuar si alfabet kulturor për bashkëkohësinë, gjithnjë më mirë e më denjësisht sesa ekipet e futbollit ose yjet televizive. Edhe sot e kësaj dite disa vepra lexohen më shumë se disa të tjera, siç ka ndodhur, për shembull, me romanin “Të jetosh në ishull” të Ben Blushit; por suksesi i veprave të tilla është përcaktuar më shumë nga faktorë jashtë-letrarë. Këto ndërhyrje të politikës dhe të ideologjisë në procesin letrar, të cilat ndoshta nuk mund të shmangen, përforcojnë bindjen e gabuar se letërsia gjithnjë i shërben diçkaje tjetër më të rëndësishme – kombit, kauzës, së ardhmes, etj.

Shkolla, nga ana e vet, nuk po arrin të përgatitë një lexues në gjendje të shijojë letërsinë e traditës, e cila shpesh reduktohet në një buqetë manifestesh patriotike, ose traktesh për të nxitur ndjenjat kombëtare e për të mobilizuar kombin në lëvizje politike dhe sociale; thuajse kjo letërsi nuk ka funksion tjetër, përveçse të ilustrojë historinë kombëtare, si e vetmja minierë vlerash historike ende të pashterura. Nuk është për t’u habitur, pastaj, që publiku parapëlqen t’i trajtojë autorët si protagonistë absolutë të historisë, ndërsa veprat e tyre si nënprodukte pothuajse rastësore, të cilat askush s’i prek më me dorë, sepse ose i ka lexuar, ose duhej t’i kishte lexuar në vitet e shkollës. E gjithë kjo ndodh teksa shkrimtarë bashkëkohorë ndoshta të mëdhenj, por gjithsesi kontroversialë, përfundojnë të përdorur si emra dhe çomanga në betejat publicistike, por për vlerën e mirëfilltë të veprës së tyre nuk kujtohet kush. Ndonjëherë të krijohet përshtypja se, për publikun shqiptar post-totalitar, suksesi letrar nuk është veçse paradhomë për protagonizmin në tabloidet dhe në jetën publike të përcjellë prej mediave – kur nuk është pasojë ose apendiks i këtij protagonizmi. Ndërkohë, historia e lexuesit shqiptar mbetet projekt mes projektesh; duke shpresuar së paku që, kur të dalë në dritë, të gjejë ende lexues të mjaftueshëm për t’ua përligjur mundimin autorëve, botuesve dhe shtypshkruesve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›