Kriza gjymton buxhetin e Bashkisë së Kukësit
Kriza e përgjithshme financiare, edhe pse për vendin tonë nuk është pohuar, ka dhënë shenjat e para në buxhetet lokale. Kështu, Bashkia e Kukësit, për vitin e ardhshëm do të ketë një buxhet më të reduktuar se një vit më parë. Diferenca është 100 milionë lekë dhe kjo masë pritet të ndikojë në uljen e numrit të shërbimeve për komunitetin. Ky ishte argumenti bazë me të cilin këshilltarët kanë miratuar projektin e paraqitur pikërisht buxhetin e reduktuar, përkatësisht dërgesën e Ministrisë së Financave. Megjithatë drejtues të bashkisë kanë thënë se ky boshllëk do të mbushet me subvencion nga qeveria.
Gjatë vitit 2010, Bashkia e Kukësit do ketë në llogarinë e saj rreth 260 milionë lekë. Me këto para do t‘u shërbehet rreth 27 mijë banorëve dhe për këtë vlerë ka vendosur vetë Ministria e Financave. Prezantimi i këtij projektbuxheti ka hasur në kundërshtitë e një pjese të këshilltarëve, të cilët e shohin atë si mjaft të cunguar duke parë se kërkesat e qytetarëve vijnë gjithnjë e në rritje. Ata thanë se një vlerë e tillë nuk përmbush synimet e tyre. Ky buxhet është rreth 28 për qind më i ulët se ai i një viti më parë. Skënder Ahmeti, këshilltar i PS ka thënë se diferenca e të ardhurave nga viti i kaluar është 39 milionë lekë ndërsa nga granti i pakushtëzuar ka një diferencë prej 97 milionë lekësh. "Këtë më duhet ta cilësoj si një goditje të madhe që u jepet të gjitha shërbimeve në bashki", tha Ahmeti duke shtuar se një diferencë tjetër kap shifrën e 15 milionë lekëve nga transferta e pakushtëzuar, e cila ka si destinacion ndihmën ekonomike dhe pagesën e personave me aftësi të kufizuara. Diferenca prej 100 milionë lekësh do të prekë shumë shërbime duke nisur nga ato publike, të arsimit, sportit dhe shërbime të tjera të detyrueshme. Këshilltarët pranuan faktin se me një buxhet të tillë administrata e bashkisë do ta ketë të vështirë të përballet me komunitetin. Një këshilltar tjetër tha se këtë buxhet e quante diskriminues për Bashkinë e Kukësit. Lidhur me këtë diferencë të theksuar të buxhetit të këtij viti, kryebashkiaku Hasan Halilaj ka deklaruar se do t‘i kërkojë qeverisë subvencion si dhe, siç tha "do rrisim presionin ndaj tatimpaguesve duke rritur nivelin e vjeljes së taksave. Ne do t‘i bëjmë kërkesë qeverisë shqiptare që të na financojë pjesën e efekteve që ka dhënë ligji mbi uljen e detyrimeve shtetërore të biznesit", tha ai. Sipas tij, diferenca prej 10 milionë lekësh të reja që rrjedh nga granti i pakushtëzuar nga viti 2009 në vitin 2010, do të subvencionohet nga shteti. Kreybashkiaku tha gjithashtu se "decentralizimi i kompetencave për pushtetin vendor të lë të kuptosh që ne duhet të jemi më konkretë dhe puna e bashkisë duhet të jetë më këmbëngulëse që të mbledhë të gjitha taksat".
Në këtë buxhet vetëm 3 për qind është lënë për t‘u përdorur për investime. Drejtues të bashkisë shpresojnë që një pjesë investimet t‘i realizojnë edhe falë donatorëve të huaj, siç janë UNDP, Ambasada Amerikane etj. me të cilët kanë pasur edhe më herët bashkëpunim. Buxheti i këtij viti është më i ulëti në tri vitet e fundit. Në vitin 2006 ai ka pasur një vlerë prej rreth 264 milionë lekësh, në 2007, rrethe 270 milionë lekë dhe në vitin 2008, 312 milionë lekë.
Në kushtet e kësaj situate financiare, bashkia ka dhënë për 220 punonjësit e saj vetëm shpërblimin prej 10 mijë lekësh, ndërsa rrogat janë lënë për vitin tjetër.