E Diel, 1 Nëntor 2026

Bizhdili: Besojmë te titulli, Tirana nuk ka forcën e duhur

Presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili, ka konfirmuar se skuadra e tij do të luftojë deri në fund për titullin kampion. Në këtë mënyrë, numri 1 i skuadrës kavajase nënvijëzon ambiciet për këtë sezon dhe i premton Dinamos "luftë" deri në fund. Me fitoren 1-0 të arritur të enjten kundër Gramozit, kavajasit e kanë ngushtuar në 12 pikë diferencën me blutë që janë shfaqur dominues në Kategorinë Superiore. Verdhezinjtë e drejtuar nga Shpëtim Duro kanë shansin t‘i afrohen edhe më shumë kryesuesve, pasi kanë edhe një ndeshje më pak (takimi i shtyrë në fushën e Skënderbeut). Mbyllja e mirë e vitit 2009, por edhe hapat fals të Dinamos, që në dy ndeshjet e fundit ka marrë vetëm një pikë, rindezën shpresat në radhët e Besës. "Ne besojmë te titulli kampion", deklaroi Bizhdili. "Besa nuk do t‘i ndahet Dinamos deri në fund të kampionatit. Do të dorëzohemi vetëm në momentin kur matematika nuk do të na lejojë më të shpresojmë që të fitojmë trofeun më të rëndësishëm. Në pjesën e mbetur të sezonit luajmë edhe dy ndeshje direkte me kryesuesit. Do t‘i fitojmë këto sfida, në mënyrë që të ngushtojmë edhe më shumë diferencën".
Drejtuesi i klubit ka lëshuar edhe një provokim për Tiranën, që renditet e treta dhe synon të vazhdojë ngjitjen. Vetëm pak ditë më parë, trajneri Alban Tafaj kishte deklaruar se objektivi parësor i bardhebluve është që t‘i rrëmbejnë Besës vendin e dytë, e më pas të mendojnë për Dinamon. "Ne as që e diskutojmë Tiranën. Ata nuk janë skuadra e një sezoni më parë dhe nuk kanë forcën që të na kalojnë në renditje, shtoi Bizhdili. Skuadrën e trajnerit Tafaj nuk e shoh aspak si një rivale". Një tjetër temë e nxehtë në Kavajë është merkato e janarit. Stafi teknik kërkon me patjetër përforcime, mbi të gjitha në repartin ofensiv, ku Besa ka treguar mangësi: në tri javët e fundit skuadra ka shënuar vetëm dy gola, duke regjistruar një fitore dhe dy barazime. Daniel Xhafaj është shumë i vetmuar në sulm, ndërsa ndihet mungesa e një lojtari të aftë ta shtyjë topin në rrjetë, pasi gjatë 90 minutave të lojës, shpërdorohen raste të shumta për shënim. Statistikat flasin qartë: 15 rrjeta të realizuara në 16 takime, mesatarisht 0,93 gola në ndeshje, janë shumë pak për një ekip pretendent. Në fakt, Besa ka sulmin e tretë më të keq të kampionatit, duke lënë pas vetëm Flamurtarin e vendit të parafundit, me 13 gola të shënuar dhe Gramozin e vendit të fundit me 11 gola. Bizhdili ka premtuar se do të ndërhyjë për të përmirësuar situatën dhe për të ngritur nivelin në skuadrën e Duros. "Fakti që ndodhemi në vendin e dytë dhe që i jemi afruar Dinamos na ka bindur të ndërhyjmë gjatë merkatos së janarit. Do të bëjmë 2-3 blerje shumë të rëndësishme, te Besa do të afrohen lojtarë me peshë, të cilët do të ndihmojnë skuadrën drejt objektivave të përcaktuara". Shkëmbimi është emri më i përfolur, ndërkohë që nuk kanë munguar kontaktet me dyshen serbe të Apolonisë, Sead Haxhibuliç e Mllade Brkiç. Alternativa janë edhe Sebino Plaku i Dinamos dhe kosovari Driton Krasniqi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›