"Kuvendi shkel statusin, privon deputetët nga infrastruktura"
Deputeti socialist, Alfred Dalipi, e konsideron skemë të qëllimshme për të penguar opozitën që të mos kryejë dot misionin e saj kufizimet që Kryetarja e Kuvendit u bën shërbimeve që shteti u detyrohet si ligjvënës. Pas mungesës së rrogës dhe gjithë shërbimeve të detyrueshme në dispozicion të deputetit, tanimë kufizimeve u është shtuar edhe heqja e pasaportës diplomatike, ndaj deputetët socialistë reagojnë ashpër për të drejtat që, sipas tyre, u takojnë me ligj që në momentin kur mandatin ua dha Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Dalipi u shpreh se e gjithë infrastruktura duhet të vihet në dispozicion të deputetëve si një formë që e ndihmon atë që të ushtrojë mandatin. Kjo, sipas tij, është një formë e jashtëligjshme e që bie ndesh me statusin e deputetit.
Me ligjin "Për statusin e deputetit" dhe ndryshimet e herëpashershme që i janë bërë atij, deputetët i kanë siguruar vetes një sërë favoresh dhe privilegjesh të pafundme, jo vetëm për gjatë kohës së kryerjes së funksioneve si deputetë, por edhe si ish-deputetë. Në referencë të këtij ligji, Kuvendi ka bërë disa rregullime edhe në ligjin tjetër "Për pensionet suplementare" dhe të dyja së bashku arrijnë të plotësojnë të gjithë gamën e nevojave dhe privilegjeve, që gëzon kjo kategori nëpunësish të lartë politikë.
"Makinat, pasaportat apo pagat merren automatikisht kur KQZ jep mandatin. Por gjithçka po bëhet e qëllimshme që deputetët e Partisë Socialiste të mos kenë logjistikën e duhur për të vënë dhe zbatuar mandatin e tyre", tha Dalipi, ndërsa përmendi nevojat që ka çdo deputet i opozitës për të lobuar jashtë shtetit, ndërsa një kufizim i tillë e detyron atë të rrijë në dyert e ambasadës. Deputeti Dalipi dhe kolegu i tij, Erion Braçe, pak kohë më parë i dërguan edhe një letër Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli ku i kërkonin shpjegime për pagën. Në letrën e tyre ata u shprehën se nëse nuk janë deputetë për shkak të mosrealizimit të procedurës së betimit, ç‘ka do t‘i jepte vlerë juridike mandatit të tyre, atëherë ata duhet të trajtohen si ish-deputetë dhe të përfitojnë ato të mira që u siguron ky status, ndërmjet të cilave dy rroga deputeti shpërblim dhe lidhjen e një rroge për tre vitet e ardhshme në masën 50 për qind të rrogës që merrnin më parë si deputetë. Sipas tyre, problemi nuk lidhet vetëm me trajtimin financiar, por mospërcaktimi i statusit të tyre juridik ka sjellë për ta dhe një sërë vështirësish të tjera, sidomos në raport me marrëdhëniet me institucione të tjera, siç mund të jenë bankat, ambasadat etj. Ligji "Për pensionet suplementare" duke i konsideruar deputetët si funksionarë të lartë politikë, i kategorizon ata në individë që pas kryerjes së detyrës përfitojnë një trajtim financiar të posaçëm. Kështu, në nenin 7 të ligjit në fjalë përcaktohet se deputetëve, "pas largimit nga funksioni, u jepet një shpërblim në masën e dy pagave mujore të muajit të fundit në atë funksion dhe mbas këtij shpërblimi marrin 50 për qind të pagës referuese, për aq kohë sa kanë punuar në funksione të tilla, por jo më shumë se 3 vjet nga momenti i largimit nga ky funksion". Duke iu referuar këtij neni, 24 deputetët socialistë që janë zgjedhur sërish, por që për shkak të një vendimi politik nuk kanë bërë betimin, në rast se do të konsideroheshin si ish-deputetë do të duhej të kishin marrë tashmë 2 rroga nga 135 mijë lekë shpërblim dhe dy rroga të tjera me nga 750 si 50 për qind e rrogës së tyre të mëparshme.