E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Financieri" i Bares, nën hetim për pastrim parash

Megjithëse një pjesë e mirë e anëtarëve të Bandës së Lushnjës janë të ndaluar, arrestuar dhe dënuar nga drejtësia, aktiviteti i tyre kriminal është shndërruar nga trafiku i drogës në atë të pastrimit të parave. Policia e Shtetit deklaron se ka një dosje voluminoze me të gjitha transfertat bankare nga Italia në Shqipëri të anëtarëve të bandës. Paratë janë investuar në Tiranë e Durrës, ku janë ngritur prona të paluajtshme. "Kemi evidentuar se personi i arrestuar, Manoli (Edmond) Bega kontrollonte linjën e trafikut të drogës. Paratë e fituara nga kjo veprimtari e paligjshme investoheshin në fushën e biznesit, duke ngritur mjaft prona të paluajtshme, në formën e pallateve dhe vilave", deklarojnë burimet nga policia. Sipas tyre, në ditët pasardhëse, gjatë hyrjes në fuqi të ligjit "Antimafie" do të referojnë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda një dosje voluminoze ndaj personit Edmond Bega. Akuza për të cilin do të hetohet, është pastrimi i produkteve të veprës penale. "Ka dyshime se disa biznese, të evidentuara në pronësi të Begës dhe të anëtarëve të tjerë të bandës, janë ngritur nga trafiku i drogës. Kemi të dhëna se në këto raste ka një pastrim parash, vepër e cila është e përfshirë në ligjin "Antimafie", deklarojnë burimet nga policia. Sipas tyre, krahas Begës po verifikohen të gjitha pasuritë e anëtarëve të bandës që janë në liri edhe pse shumë prej tyre në periudha të caktuara kohore janë shkëputur nga kjo organizatë apo vetë kreu i saj, Bare.

Pronat
Pas konfiskimit të lagunës së Karavastasë, në pronësi të Alfred Shkurtit, Policia e Shtetit po verifikon se ku janë investuar paratë e fituara nga trafiku i drogës në Itali. Në bashkëpunim me drejtësinë italiane hetuesit shqiptarë kanë arritur të zbulojnë disa biznese, të cilat do të jenë objekt verifikimesh nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Gjithçka është bërë pas arrestimit të Edmond Begës, ish-president i SK Lushnja. Ai ishte i përfshirë në një organizatë kriminale ku bënin pjesë dhe Aldo Bare, Enver Dondollaku etj., ku ka qenë përcaktues në mbajtjen e lidhjeve me furnizuesit dhe koordinonte aktivitetin e pjesëtarëve të tjerë të organizatës. 39-vjeçari Edmond Bega njihej si "financieri" i Bandës së Lushnjës, e cila merrej me trafikun e drogës në Itali, ku kishte arritur të ngrinte një grup të sofistikuar kriminal. Është dashur ndërhyrja e shërbimit sekret ushtarak italian që të mundësohej shpërbërja e këtij rrjeti, i cili kishte përfituar miliona euro nga aktiviteti i paligjshëm. Policia e Shtetit në Shqipëri ka pranuar se "personi i arrestuar orientonte mënyrën e shpërndarjes dhe administrimit të parave të përfituara nga trafikimi i lëndëve narkotike". Policia deklaron se po hetojnë aktivitetin e tij kriminal, veçanërisht në kohën e lidhjeve të tij me Alfred Shkurtin. Gjithashtu, kanë mbledhur mjaft informacione edhe për pasuritë e vendosura nga banda.

Hetimet italiane
Krahas aktivitetit kriminal, policia italiane ka zbardhur disa përgjime të telefonave të anëtarëve të bandës. Drejtuesit e kësaj organizate të shtrirë në disa shtete e kishin ndarë Italinë në dy pjesë, duke krijuar dy grupe pothuajse të pavarura nga njëri-tjetri. Grupi që vepronte në veri të Italisë, fillimisht e ka pasur qendrën në Torino, por pasi iu sekuestruan disa ngarkesa me drogë nga policia, e zhvendosi bazën në qytetin e Milanos. Ky grup kishte për objektiv shpërndarjen e heroinës dhe kokainës në Veriun e Italisë. Sipas Prokurorisë së Torinos, në krye të këtij grupi ka qenë Edmond Bega, i njohur në Shqipëri si ish-president i skuadrës së Lushnjës. Ndërsa grupi tjetër ishte ngarkuar për të pritur drogën që vinte nga Shqipëria, si dhe kishte nën kontroll shpërndarjen e saj në rajone të rëndësishme të Italisë Qendrore dhe asaj Jugore. Ky grup e kishte qendrën në Romë, dhe në krye të tij ishte krahu i djathtë i "profesorit" Enver Dondollaku. Droga mbërrinte fillimisht në portet e Barit dhe Ankonës dhe më pas shpërndahej në të gjithë Italinë, përmes disa pikave mbështetëse në Torino, Romë, Milano, Napoli, Verona dhe Firence. Organizatës i janë zbuluar dhe tre laboratorë për ambalazhimin dhe përzierjen e drogës në qytetet e Torinos, Monzas dhe Breshias.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›