E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza greke, 30 % e emigrantëve thonë të kthehen

Shqiptarët që jetojnë në vendin fqinj po përballen me papunësinë dhe pagesat e larta në Greqi

Kriza e rëndë ekonomike, që po kalon Greqia, ka përfshirë edhe emigrantët e huaj që punojnë prej shumë vitesh në tokën helene, ku më të prekurit janë emigrantët shqiptarë, që përbëjnë rreth 65% të gjithë emigracionit në Greqi. Shumica e emigrantëve shqiptarë kanë punuar nëpër vendet më të vështira të punës, si në ndërtim, bujqësi e gjetkë. Ndërsa, sot, sipas prononcimeve të tyre, rrezikohet që mbi 30% të kthehen në Shqipëri, si rezultat i papunësisë. “çfarë të presim?”, shprehen ata, “kur ne po prishim ato pak euro që kishim vënë mënjanë. Ne vetëm po tërheqim para nga bankat, për të paguar qira, drita dhe ujë. Tani na u rrit edhe TVSH-ja, nga 19% në 21%, benzina ka shkuar në stratosferë me mbi 1.50 euro për litër e kështu me radhë. Do durojmë sa do durojmë, dhe mesa duket po na pret Shqipëria”, thonë ata.
Marie Selmanaj, nga Pireu tregon se kur dëgjuam për krizën thamë se po bënin shaka, por tani kemi filluar ta ndjejmë me të vërtetë se çfarë qenka kriza. “Le që na lanë pa punë, por po harxhojmë edhe ato pak lek që kishim grumbulluar gjatë këtyre viteve. Po nuk u zgjidh, do ikim në Shqipëri, të paktën nuk paguajmë qira shtëpie. Këtu vetëm po harxhojmë duke paguar”, shprehet ajo plot shqetësim. Po kështu, Rajmond Dhimitri, në Athinë, pohon se “unë personalisht kam filluar ta ndjej krizën shumë gjatë kësaj periudhe të vështirë, që po kalon ekonomia këtu në Greqi. Si muzikant që jam kam kontakt me shumë njerëz, nga të cilët edhe paguhem, pasi marr pjesë në gëzimet familjare të tyre. Ai shton se kohët e fundit po shohim që nga dita në ditë po bie interesi për gëzimet familjare. Ato janë pakësuar shumë dhe në këtë periudhë krize nuk besoj se njerëzit nuk kanë dëshirë të martohen apo të festojnë. Ajo që i pengon është ekonomia, dhe nuk kanë mundësi që të përballojnë shpenzimet për të kryer ceremonitë në raste të tilla. Shikojmë edhe nëpër koncertet e shumta që zhvillohen që interesimi i shqiptarëve ka rënë jashtëzakonisht shumë, pjesmarrja në krahasim me periudhën e mëparshme është ulur mbi 50%. 
Mariana Tusha, e cila jeton dhe punon në Rodhos ashtu si edhe shqiptarët e tjerë në Greqi thotë se “me këtë krizën të gjithë e kemi mendjen nga Shqipëria, se këtu është bërë shumë keq. Po edhe në Shqipëri, lind pyetja çfarë do bëjmë? Akoma kemi frikë, nuk është krijuar ai besimi. Ajo tregon më pas se kur ishte për vizitë te disa miq të saj nga Saranda i thanë se do të iknin për në Shqipëri, pasi ishin të dy pa punë. “Edhe vendasit kanë filluar të largojnë nga puna shqipëtarë që të fusin në punë njerëzit e afërm të tyre. U morën gjithë këto masa shtrënguese, sikur krizën e solli populli e jo pushtetarët. Unë mendoj se kjo nuk është e drejtë, na dëmton shumë. Nuk dimë se si do shkojë kjo punë dhe çfarë do të bëhet në të ardhmen. Gjithmonë populli e vuan në kurriz. Urojmë që kjo gjëndje të përmirësohet sa më shpejt të jetë e mundur. Po jetojmë me shpresë meqë thonë se “Shpresa vdes e fundit”, thotë ajo.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›