Feith: Ndryshimi i qeverisë, në duart e Thaçit
Vendimi për ndryshimin e përbërjes së qeverisë së Kosovës është në duart e Kryeministrit Hashim Thaçi dhe Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO) do t’i mbështesë përpjekjet e tij në këtë drejtim, bëri të ditur shefi i ICO-së, Pieter Feith.
Zyrtari i lartë ndërkombëtar shprehu bindjen se kjo çështje është duke lëvizur dhe ka kërkuar që t’i jepet kohë kreut të ekzekutivit të vendit që t’i bëjë publike përcaktimet rreth kabinetit qeveritar. "Ky është një proces që po vazhdon dhe Kryeministri i Kosovës është përgjegjës. Prandaj le të presim dhe të shohim konfirmimet për emërimet e reja", ka thënë Feith, pas takimit të zhvilluar me kryetarët e komunave të rajonit të Prizrenit. Shefi i ICO-së ka mohuar që në lidhje me këtë çështje të ketë zhvilluar ndonjë konsultë me autoritetet vendore. "Jo! Kjo është përgjegjësi e Kryeministrit dhe unë i mbështes plotësisht angazhimet e tij", është përgjigjur ai. Në të njëjtën kohë nuk ka shfaqur mendimin nëse ndryshimet në ekzekutiv janë të domosdoshme. "I takon Kryeministrit të vendosë nëse duhet të ndryshohen ministrat... Ai është përgjegjës", ka pohuar Feith.
Por, pavarësisht nga zhvillimet në qeverinë qendrore, shefi i ICO-së ka thënë të jetë i kënaqur me nivelin e zbatimit të pakos gjithëpërfshirëse të presidentit Ahtisari nga pushtetet lokale.
#