E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përurohet ExpoScuola DireFuturo

Tiranë, 23 mars, NOA - Në kuadër të sezonit të eventeve Italia dhe Shqipëria 2010 dy Popuj, një Det, Një miqësi pranë muzeut Kombëtar të Tiranës u inaugurua sot ExpoScuola DireFuturo, iniziativë kjo e cila ka për qëllim tu japë më shumë impuls shkëmbimit të eksperiencave ndërmjet studenteve dhe profesorëve shqiptarë dhe italianë.

Protagonistët e kësaj dite ishin studentët shqiptarë dhe italianë të shkollave tekniko-profesionale; nxënësit e Institutit teknik Tosi di Busto Arsizio (Lombardia) të cilët paraqitën eksperiencat e tyre mbi Simulimin e Sipërmarrjeve dhe ndërthurjen shkollë-punë; nxënësit e Shkollës Hoteleri Turizëm të Tiranës, përveç përgatitjes së pjatave të shijshme për vizitorët e ekspozitës, që u përqendruan në ushtrime praktike salle dhe kuzhine.

Por edhe shkolla e ndërtimit Karl Gega ajo tekniko-profesionale e Tiranës Gjegj Canco (me drejtim tekniko-elektrik) përgjatë dy ditëve do të ekspozojnë punimet e tyre më interesante.

Në fjalën e tij, ambasadori italian Saba DElia nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit italo-shqiptar në sektorin shkollor dhe ilustroi shkurtimisht aspektet më kryesore të kësaj nisme, duke i dërguar një përshëndetje të veçantë studentëve të pranishëm dhe atyre të lidhur në video-konferencë nga Toskana për të dhënë kontributin e tyre në këtë veprimtari.

Ndërsa zv/ministri Shamata falënderoi qeverinë italiane për mbështetjen e saj të vazhdueshme në sektorë të ndryshëm të bashkëpunimit dypalësh si dhe Ambasadën italiane në Tiranë për organizimin e sezonit të eventeve Italia dhe Shqipëria 2010 dy Popuj, një Det, Një miqësi, duke theksuar se në fushën e arsimit, formimi profesional përbën një nga prioritetet e qeverisë shqiptare.

Bëhet me dijeni se veprimtaria do të mbyllet nesër me një tavolinë të rrumbullakët rreth praktikave të mira të shkollës italiane në të cilën do të jenë të pranishëm drejtues shkollorë dhe pedagogë shqiptarë dhe italianë.

Ndërsa më 25 mars, pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës do të zhvillohet Olimpiada e Gjuhës dhe Kulturës Italiane.

Protagonistët e kësaj nisme do të jenë studentët që frekuentojnë Seksionin Dygjuhësh Italo-Shqiptar të Tiranës, Shkodrës dhe Korçës, nxënësit e shkollave të mesme pjesë të projektit Illiria dhe studentët e Departamentit të Italianistikës.

n.e/NOA

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›