SHKB, kontroll pastërtisë së figurës të 260 oficerëve
Më shumë se 260 oficerë policie do të testohen për pastërtinë e figurës, pasi në dorë të tyre do të kalojë i gjithë informacioni kriminal që disponon policia shqiptare. Bëhet fjalë për programin MEMEX, rrjet që është shtrirë në të gjithë vendin dhe së shpejti do të fillojë punën me kapacitet të plotë. Por, personat që do të kenë mundësinë për të parë këto informacione do të kalojnë në sitë, për të qenë super të besueshëm, pavarësisht se kanë bërë të gjitha trajnimet e duhura për të përdorur këto programe.
Informatizimi i të dhënaveSipas të dhënave policore, sistemi MEMEX është instaluar në serverë dhe po hidhet gradualisht informacioni kriminal që ka Policia e Shtetit. Të dhënat nuk janë shpërndarë ende në të gjitha strukturat e policisë, por u janë dhënë strukturave të hetimit të krimit. Në lidhje me përdorimin e këtij sistemi, janë trajnuar 260 punonjës policie që operojnë në të. Por, për të pasur në dorë informacionet e mundshme, ata duhet të kalojnë pastërtinë e figurës, pasi shpërndarja e gabuar e këtij informacioni dëmton jashtë mase inteligjencën policore. Në këto kushte, Drejtoria e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm është ngarkuar me detyrë që të verifikojë këta punonjës policie, që nga e shkuara e tyre personale, familjare e deri te kontaktet dhe raportet që kanë me njerëz të ndryshëm në ditët e sotme. Gjithashtu, ata do të vërehen për të gjitha masat e marra gjatë karrierës së tyre, ku nuk do të mungojnë edhe testime për të parë vendosmërinë e tyre për të pasur të drejtën e hyrjes në këtë sistem inteligjence.
Pas kësaj procedure do të vendoset nëse 260 uniformat blu do të jenë të parët që do kenë mundësinë për të përdorur sistemin më të rëndësishëm të policisë. Ndërkaq, të tillë specialistë u përcaktua të kishin gradën kryeinspektor. Sipas të dhënave, fillimisht u tha se ky funksion duhej të merrej nga oficerë me gradën “nënkomisar”. Por duke mos pasur për përdorimin e këtij sistemi kaq shumë burime njerëzore në dispozicion me këtë gradë, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit vendosi që një funksion i tillë të jetë i barasvlefshëm me gradën “kryeinspektor”.
Shtrirja e rrjetitNdërkaq, ministri i Brendshëm ka propozuar që MEMEX, në një kohë jo të largët, t’i kalojë edhe Patrullës së Përgjithshme dhe policisë kufitare, me qëllim që informacioni kriminal të jetë edhe në dispozicion të tyre. Sipas Bashës, fillimisht sistemi të testohet në nivelin e hetimit të krimit dhe më pas të kalojë në nivel të përgjithshëm, me qëllim që informacioni kriminal për çdo dosje të mos vonohet për të shkuar në destinacion, pra të jetë në rrjet. Sipas tij, gjithçka do të realizohet brenda gjashtë muajsh.
Gjithashtu, është propozuar që në një kohë të shkurtër të trajnohen edhe drejtues të policisë, si në qarqe, ashtu edhe në qendër, pasi ky informacion është shumë i nevojshëm për ta duke i ndihmuar në dokumentimin e veprave penale. Në këtë sistem do të ketë informacione kriminale, që nga dyshimet më të vogla të policisë, informacionet operative mbi kontingjentin kriminal, të arrestuar ose të pa arrestuar ndonjëherë. Në sistem do të hidhen edhe të dhëna për gjurmë të ndryshme, fotografi e informacione të tjera mbi këtë kontingjent.
#