E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza greke detyron emigrantët të investojnë në vendlindje

GJIROKASTER – Kriza financiare, e cila ka prekur ndjeshëm shtetin fqinj Greqinë, ka bërë që mjaft emigrantë shqiptarë që jetonin prej vitesh në vendin helen, të kthehen në vendlindjen e tyre. Ky numër, sipas statistikave zyrtare nga Dhoma Tregtare dhe Industriale në rajonin e Gjirokastrës, gjatë viteve të fundit është rritur ndjeshëm. Shifra më e lartë është konstatuar në gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar, si dhe gjatë muajve të parë të këtij viti. Sipas të dhënave që disponon Zyra e Tatim-Taksave në rajonin e Gjirokastrës, përgjatë pesëmujorit të parë të këtij viti, pranë kësaj zyre janë regjistruar 25 biznese të reja, kryesisht aktivitet prodhues. Ndërsa në raport me vitin e kaluar, treguesit janë pothuajse të njëjtë për sa i përket rritjes së kërkesave për të hapur një biznes. Nga Zyra e Tatimeve në qarkun e Gjirokastrës numërohen gjithsej rreth 48 biznese të reja gjatë 17 muajve të fundit, të cilat janë çelur nga ish- emigrantë të kthyer në vendin tonë. Një pjesë e konsiderueshme e tyre, të cilët kanë humbur vendet e punës në shtetin fqinj, kanë vendosur që kursimet shumëvjeçare të përfituara nga puna ditore, ti investojnë në rajonin jugor, shprehet për gazetën Panorama kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë për rajonin e Gjirokastrës, Mustafa Devolli. Sipas tij, interesim ka për çeljen e bizneseve që i përkasin fushës së shërbimeve dhe tregtisë me pakicë. Politikat fiskale në favor të biznesit që po ndjek qeveria shqiptare gjatë viteve të fundit, sidomos në heqjen e taksës doganore për lëndët e para që importohen, ka ndikuar që mjaft biznesmenë vendës dhe të huaj të investojnë në ndërmarrjet e prodhimit të veshjeve, sidomos në rajonet kufitare siç është dhe Gjirokastra. Kjo, pasi kostot në këtë mënyrë reduktohen -shton Devolli, duke nënvizuar se jo vetëm investitorë të fuqishëm grekë, por edhe italianë, kanë paraqitur interesin e tyre për të operuar në fushën e fasoneve në këtë rajon. Në zonën e Gjirokastrës ushtrojnë aktivitetin e tyre 2500 biznese në fusha të ndryshme, si prodhim, shërbime, tregti, transport, hoteleri-turizëm etj.                    p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›