E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytjet e shpronësimet shtyjnë rrugën e Malit të Zi

Gjatë punimeve të rrugës nacionale Shkodër - Hani i Hotit

Përmbytjet e vitit të shkuar, si dhe vonesat në shpronësime janë shkaqet kryesore që ecuria e punimeve në aksin rrugor ShkodërHan i Hotit po ecin më ngadalë seç ishte parashikuar.Vonesat e shkaktuara në rrugën nacionale lidhen direkt me situatën e përmbytjeve që kaloi kjo zonë dhe me problemet që dolën me shpronësimet. Kështu ka pohuar menaxheri i projektit, Giovani Saccaria, lidhur me ngadalësinë e punimeve në superstradën që lidh qytetin verior dhe gjithë vendin me pikën më të madhe kufitare, Malin e Zi. Njëkohësisht, konsiderohet projekti dhe investimi më i rëndësishëm në zonën e Shkodrës. Por, punimet në këtë projekt kaq të rëndësishëm vazhdojnë të jenë peng i shpronësimeve e pasojave që sollën përmbytjet.
PROBLEMET
Sipas specialistit italian Saccaria, tashmë po punohet me ritme të shpejta që të kapet koha e humbur. Kemi vendosur traun mbajtës të urës, 57 metra të gjatë, në aksin rrugor Shkodër-Hani i Hotit, në vendin e quajtur Ura e Vrakës. Ka qenë një moment shumë i rëndësishëm i punës sonë, pasi bëhet fjalë për një projekt bashkëkohor. Sipas tij, në punimet që po kryhen në këtë aks që lidh Shqipërinë me Malin e Zi, deri tani është kryer rreth 36 për qind e punimeve. Ne kemi bërë një analizë të situatës që kemi kaluar dhe tashmë e them me bindje se shkak për vonesat janë bërë shpronësimet dhe pastaj situata e përmbytjeve. Megjithatë, ne jemi shumë optimistë, sqaron Saccaria. Sipas tij, punimet do të kryhen në afatet e duhura. Për kompaninë italiane, çdo gjë duhet të përfundojë brenda kontratës. Ne po punojmë që të zbatojmë kontratën, shton më tej ai. Mësohet se aktualisht është në proces ndërtimi i urave dhe kështu deri në fund të korrikut, sipas ritmit të punëve pritet që të gjashtë urat të përfundojnë. Urat mësohet se janë dhe pjesët më të vështira të të gjithë projektit.
PROJEKTI
Superstrada Shkodër-Hani i Hotit, me një gjatësi prej 43 km, po ndërtohet me 40 milionë euro, bashkinvestim i qeverisë italiane dhe asaj shqiptare. Punimet nisën në qershor të vitit 2009. Gjatë përurimeve, ku ishte dhe kryeministri Berisha, u deklarua se punimet do të përfundonin në mbarim të vitit 2011, por mësohet se projekti do të dorëzohet në shtator të vitit 2012. Bashkia Shkodër, Bashkia Koplik dhe komunat Rrethina, Gruemirë, Kastrat e Qendër-Koplik janë 6 njësitë vendore ku kalon superstrada Shkodër-Hani i Hotit. Janë rreth 3 mijë familje që përfitojnë një vlerë prej 40.452.866 lekësh shpronësim. Vonesa e përfundimit të punimeve në këtë aks kaq të rëndësishëm ka ndikuar negativisht në lëvizjen mes dy vendeve, sidomos në transportin rrugor të mallrave, pasi është aksi i vetëm mes Shqipërisë e Malit të Zi e më tej në drejtim të Europës Qendrore për këtë transport.

SHKODER/ RITVAN DIBRA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›