Divorci, plagos me sqepar për pronësinë tre familjarët
DURRES – Policia e Durrësit arrestoi mbrëmjen e së dielës 69- vjeçarin Bilal Matraku për vrasje me dashje të mbetur në tentativë dhe plagosjes së lehtë me dashje. Sipas burimeve policore, rreth orës 14:30 të së dielës, pas një konflikti ka tentuar të vrasë duke e qëlluar disa herë në kokë me një sqepar nusen e djalit të tij, M. Matraku, 29 vjeçe. Mësohet se gruaja nga Durrësi ka marrë dëmtime të rënda dhe ndodhet në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Në gjaknxehtësi e sipër ai ka qëlluar me mjete të forta edhe djalin e tij, duke i shkaktuar dëmtime të rënda në kokë. Gjithashtu, Bilal Matraku ka ushtruar dhunë fizike edhe ndaj ish-bashkëshortes së tij, H.Matraku, 69 vjeçe. Policia bëri të ditur se konflikti ndodhi për motive pronësie. Autori i ngjarjes ishte divorcuar disa muaj më parë nga bashkëshortja e tij. Ai jetonte i vetëm në një banesë që e kishte marrë me qira. Ndërsa bashkëshortja e tij, H.Matraku, jetonte me djalin dhe nusen. Konflikti ka nisur disa muaj pas divorcit, sepse Bilali kishte kërkuar pjesë nga pronat që dispononte familja, gjë që është refuzuar nga bashkëshortja dhe djali i tij. Pikërisht mesditën e së dielës ai ka shkuar në ish-banesën e tij dhe, pas debatit të ashpër, Bilali ka nxjerrë nga çanta e tij e punës sqeparin, duke goditur nusen e djalit të tij disa herë në kokë. Më pas, ai ka qëlluar djalin dhe ish-gruan e tij, duke i plagosur. Pasi i ka lënë të tre të lënduar, ai është larguar për tu arrestuar disa orë më pas. l.m