E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza greke, pse skthehen emigrantët

Konferenca “Pasojat rajonale të krizës ekonomike europiane”: Nuk kanë besim se do gjejnë punë.

Ekspertët: Problemet ekonomike në BE ngadalësojnë zgjerimin.

Emigrantët që jetojnë në Greqi kanë preferuar që të mos e braktisin vendin fqinj, por të fillojnë “kursimet” në disa mënyra. Përkundër krizës greke jo të gjithë kanë pranuar se shpëtimi i tyre mund të gjendej në vendlindje. Në konferencën e djeshme me temë “Pasojat rajonale të krizës ekonomike europiane”, ekspertë të panelit shpjeguan dhe arsyet pse një pjesë e mirë e emigrantëve refuzojnë që të kthehen në Shqipëri.
Emigrantët dhe dërgesat
Emigrantët janë prekur nga kriza greke sikurse çdo qytetar i këtij vendi, por ata janë më pak të prekur se sa vendasit e pakualifikuar. Kështu e argumentoi dje tezën e tij profesori Kosta Barjaba, anëtar i asociuar i Akademisë së Shkencave. “Emigrantët, kur kanë mbërritur, kanë zënë vendet e vendasve të pakualifikuar. Prezenca e tyre është një barrë për sistemin e mirëqenies. Nga ana tjetër, hyrja në treg e emigrantëve sjell ulje të pagave të vendasve të pakualifikuar”, u shpreh Barjaba. Nga ana tjetër ai vlerësoi se emigrantët kanë pasur një kontribut të madh në ekonominë shqiptare. “Remitancat, edhe pse në rënie, sërish kanë një impakt dhe duhet të tërheqin më shumë vëmendje. Ato duhet të kalojnë nga aspekti i përdorimit për mbijetesë në zbatimin e projekteve për zhvillim, dhe kjo kërkon politika të reja dhe eficiente”, u shpreh ai. Një pjesë e mirë e emigrantëve kanë refuzuar që të kthehen në Shqipëri, pavarësisht situatës së vështirë në Greqi. Duke iu referuar një studimi të zhvilluar në Greqi, ekspertja Anna Triantafillidu, dha dje mënyrën se pse një pjesë e mirë e emigrantëve kanë vendosur që të mos kthehen në Shqipëri dhe si kanë vendosur ata ta përballojnë krizën. Fillimisht, sipas anketës, rezulton që emigrantët kanë vendosur të limitojë shpenzimet e mëdha. Në rastet kur ata nuk kanë një shtëpi të tyren, kanë preferuar ndarjen e qirasë me dikë tjetër. Po kështu kanë ulur shpenzimet e përditshme dhe janë shumë më të vëmendshëm në blerjet që kryejnë. Është ndalur dërgimi i parave te familjarët në Shqipëri. Arsyet pse kanë preferuar të mos kthehen në Shqipëri apo në vendin e tyre të origjinës, janë disa. Ata nuk kanë një punë në Greqi, por as një të tillë që i pret në Shqipëri, presin që situata të vendin fqinj të përmirësohet, familjarët kanë të stabilizuar fëmijët nëpër shkolla dhe është e vështirë për t’i larguar nga ambienti ku janë mësuar.
Rreziku nga kriza
Konferenca e djeshme nxori në pah edhe një tjetër sfidë që shfaqet për vendet e Ballkanit si pasojë e krizës së Europës. Profesori Franz-Loather Altmann, në fjalën e tij vlerësoi se në kohë të tilla pasigurish vëmendja është më pak e përqendruar te zgjerimi i BE-së. “Kriza financiare po ndryshon kushtet për zgjerimin e Bashkimit Europian. Vendet që janë në pritje do të duhet të mësohen me ngadalësimin e procesit, por ajo që është e rëndësishme është fakti që duhet të punojnë për të ulur impaktet negative të kësaj krize në vendet e tyre”, tha Altmann.

660 milionë euro vlerësohet të jenë dërgesat nga emigrantët për vitin 2011. Një ulje e tyre ishte e pritshme pas problemeve që shfaqën fqinjët si Greqia dhe Italia dhe lidhur me këtë paralajmëroi edhe Banka Botërore.

Zëvendëspresidenti Kaugionas
Shoqata e Bankave: Problem kolaterali

Zbatimi i kolateraleve është një problem që has sot sektori bankar. Kjo ka qenë problematika që ka ngritur në konferencën e djeshme “Pasojat rajonale të krizës ekonomike europiane” zëvendëspresidenti i Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, Ioannis Kougionas. Ai vlerësoi se sektori bankar shqiptar është i shëndetshëm dhe përballoi me sukses efektet negative të krizës duke shënuar rritje. Në total, sipas tij, asetet shkojnë në 8 miliardë euro dhe gjithsej janë në treg 16 banka, të cilat punësojnë dhjetëra mijëra njerëz. Kougionas u shpreh pozitivisht për ecurinë e rritjes së depozitave, por edhe të kreditimit. Nga ana tjetër, si vlerësoi se kuadri rregullator dhe bashkëpunimi me Bankën e Shqipërisë kanë bërë të mundur që sektori bankar të ketë një ecuri vërtet pozitive. “Sektori bankar gëzon shëndet të mirë dhe falë rregullave të qarta, rezervat janë në një nivel më të lartë se kudo në Europë. Rezervat shkojnë në 15.6 për qind, nivel ky dukshëm më i lartë se në vendet e tjera. Ajo që unë shoh si problem sot është kolaterali. Duhet të kuptohet njëherë e mirë që kolaterali duhet të jetë i zbatueshëm. Gjithçka është një lidhje zinxhir. Pra, nëse janë dhënë para për kredi, ato janë para të depozitave dhe banka duhet t’i kthejë dhe po kështu qytetari që i ka marrë. Kjo pjesë duhet të shihet me përparësi”, tha Kaugionas.

Malaj: Qeveritë kanë shpërdoruar paratë e BE
Arben Malaj, i pranishëm në konferencën e djeshme, u shpreh se BE-ja nuk duhet të shihet si zgjidhja e problemeve, por duhet të merret me më shumë përgjegjësi. Nga ana tjetër ai theksoi se qeveritë nuk kanë bërë gjë tjetër veçse kanë shpërdoruar paratë që kanë ardhur nga BE-ja. “Përvoja e vendeve juglindore tregon se ato janë keqpërdorur nga qeveritë ose kanë lehtësuar qëndrimin në pushtet të administratave që nuk kanë kryer reformat e domosdoshme. Leksioni i tretë është mosbashkëpunimi i partive politike për reforma jetike që përpara përfshirjes nga kriza. Leksioni i katërt: nga krizat nuk dilet pa kompromis”.

NERTILA MAHO

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›